At Zef Pllumi, ofm, në 100-vjetorin e lindjes
R.SH. - Vatikan
Sot më 28 gusht bie 100-vjetori i lindjes së françeskanit shqiptar At Zef Pllumi, personalitet i Kishës dhe i Kombit Shqipta, dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit që na la faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.
At Zef Pllumi lindi më 28 gusht 1924 në Bogë, ndërroi jetë më 25 shtator 2007 në Romë. Me rastin e përvjetorit të lindjes së tij, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi At Zef Pllumi.
Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht At Zefi, që përjetoi populli shqiptar, Kisha, kleri e Populli mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës, të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.
"Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit", si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue». Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme".
Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, At Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. At Zef Pllumi ende sot mungon, u mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi. Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.
Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori jete, feje, qëndrese, shprese, pra, histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha kombëtare që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.
At Zef Pllumi personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.
Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, sot Vatican News, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me At Zef Pllumin, gjatë qëndrimeve të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.
Sot në 100-vjetorin e lindjes të françeskanit At Zef Pllumi, ju propozojme disa fragmente nga intervista që realizuam në janar të vitit 2007 me At Zef Pllumin për programin shqip të Radio Vatikanit, me rastin e marrjes së çmimit “Penda e artë” për veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo vepër, pohon mes tjerash At Zefi, "rrëfen të vërtetën e fakteve pa inate, me ma të madhen paanësi, tuj tregue faktet pa i gjykue..”. ‘Rrno vetëm për me tregue’ ashtë “një mendim i ndryshëm prej të gjithë historianëve tjerë të Shqypnisë qi kanë shkrue deri me sot”.
At Zef Pllumi, ofm, në mikrofonin e dom David Xhuxhës:
*****
Veprimtaria meshtarake
At Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake, sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e tmerrshëm nga ana e regjimit komunist e për veprimtarinë e tij të shquar letrare, lindi më 7 prill 1924 në Mal të Rrencit, pranë Lezhës. Ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën e jetës rregulltare françeskane. Vijoi, kështu, mësimet ndër fretën, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum” në Shkodër. Taman kur përgatitej për të vijuar jashtë shteti studimet filozofike e teologjike, iu desh t’i ndërronte universitetet evropiane me një universitet tjetër: atë të burgut.
U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendi françeskan i Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967 –tës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim. Këtë herë iu desh të rrinte tepër gjatë në universitetin e burgut, duke lëvizur nga Spaçi, në Kryporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.
Rilidhi, jo pa vështirësi të të gjitha natyrave, fillin e jetës, të këputur brutalisht. Tani në biografinë e tij u dukën emrat e vendeve, që duhet t’i kishte shkelur në të ri: Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Kroaci, SHBA… Shkollë e re kjo, për fratin e vjetër! E nisi edhe veprimtaria e tij letrare, që e radhit ndërmjet shkrimtarëve më në zë të ditëve tona, me një sërë veprash. Kujtojmë “Rrrno vetëm për të tregue” , vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike”, (T. 2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (T. 2001); “Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (T. 2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë filmi (T. 2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (Sh. 2004).
Disa prej këtyre veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar tejet cakun e kujtimeve. Kanë marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare, që pasurojnë fondin aq të varfër të letërsisë shqiptare, e cila që prej më se një gjysmë shekulli ka prodhuar kryesisht vepra të indoktrinuara. E vepra të tilla nuk i thonë më asgjë lexuesit. Kështu At Pllumi, që shkruan në dialektin gegë, sot është përfaqësuesi më i shquar i shkollës letrare të Veriut, që megjithatë nuk ka dekë.
Shkrimet e At Zefit
Por At Zefi njihet edhe për veprimtari të tjera: firmë publicistike, që duket rishtas në shtypin e kohës (u botua në gazetën “Bota shqiptare” të Romës, shkrimi i tij publicistik “Demokracia shqiptare me dy diktatorë”) ai pati marrë mbi vete një vepër tjetër të lumnueshme: ribotimin e revistës famëmadhe të Françeskanëve “Hylli i Dritës”. Dhe ia doli mbanesh jo vetëm ta botonte, por edhe t’i jepte shkëlqimin e parë, në një kohë kur shtypi shqiptar përgjithësisht, s’premton asgjë të mirë. Por “Hylli” i lavdishëm, u detyrua të mbyllej rishtas për mungesë fondesh, për t’u hapur s’e di se kur….. Gjithsesi Pater Zefi vijoi të botonte, ndonëse sytë nuk duanin t’i bindeshin më. Por, si shkruan ai për vete në fund të një autobiografie të shkurtër, për të “thonë se âsht i marrë e nuk rrin me dekë rahat”. Fjalë filozofike që përmbledhin simbolikisht atë mendësi, e cila nuk e lë një shoqëri (shqiptarin) të ecën përpara.