XIX Domenica Ordinaria - Anno B - Vangelo della Domenica - Gesù pane di vita XIX Domenica Ordinaria - Anno B - Vangelo della Domenica - Gesù pane di vita

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XVIII 'B': Jezusi, buka e jetës

Ka një bukë jete të amshuar, /që vetëm Ti mund ta dhurosh, o Jezus, /e ajo shuan një uri më të thellë, /që e bartim si shenjë të pashlyeshme: /jemi krijuar në shembëllim e në përngjasim me Hyjin/ prandaj kemi uri për të, /për plotësinë e jetës, bukurinë, gëzimin, /që vetëm Ai i Lumi na e jep. / E këtë uri nuk e shuajnë/surrogatet e krijuara nga njerëzit, / por vetëm Ti, që je/Buka e jetës ofruar për njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli sipas Gjonit (kreu 6) na shpjegon rëndësinë, që ka besimi në Krishtin. Ai është i dërguari i Zotit, bart zbulesën e fundme, e cila na hap udhën drejt Hyjit. Kush e ndjek Jezu Krishtin me fe, kush hyn me Të në bashkësi përmes pagëzimit, kush e merr për shembull dhe e dëgjon – nxjerr në pah kjo e diel XVIII e vitit kishtar 'B' - pikërisht përmes Jezusit do të gjejë të vërtetën, që ia shuan urinë e jetës. Të ndjekim pjesën ungjillore…

24 Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte as Jezusi, as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” 26 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. 27 Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj. 28 Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” 29 Jezusi u përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi”. 30 “Çfarë shenje bën ti, - i thanë ata - që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën mannën në shkreti si shkruan edhe në Shkrimin Shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’”. 32 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: 33 sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën”. 34 Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” 35 Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

Të lutemi së bashku:

Sigurisht që Ti, o Krisht, s’e ke ndërmend ta nënvlerësosh

atë uri, që ua merr shpirtin sa e sa njerëzve,

vëllezërve tanë,

e i dënon me rraskapitje,

me këputje, me sëmundje,

e shpesh, fatkeqësisht, edhe me vdekje.

Pikërisht këtë uri deshe ta shuash fillimisht.

 

Por pastaj, na kërkon të mos ndalemi aty,

ta kuptojmë shenjën që na dhe e të ecim më tej,

sepse edhe kur kemi ngrënë sa s’pëlcasim,

jetës sonë i mungon diçka thelbësore.

 

Ka një bukë jete të amshuar,

që vetëm Ti mund ta dhurosh, o Jezus,

e ajo shuan një uri më të thellë,

që e bartim si shenjë të pashlyeshme:

jemi krijuar në shembëllim e në përngjasim me Hyjin

prandaj kemi uri për të,

për plotësinë e jetës, bukurinë, gëzimin,

që vetëm Ai i Lumi na e jep.

 

E këtë uri nuk e shuajnë

surrogatet e krijuara nga njerëzit,

por vetëm Ti, që je

Buka e jetës ofruar për njerëzimin.

 

02 gusht 2024, 21:22