Olimpiada e Parisit 2024 Olimpiada e Parisit 2024

Në Paris shpresohet përsëri, duke u lutur, në armëpushimin olimpik

Sot, e dielë, 4 gusht, Kisha organizoi një takim ndërfetar në sheshin e katedrales Notre-Dame për armëpushimin olimpik. Këtë kërkoi edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili mban gjallë kujtimin e kremtimit me rastin e Lojërave të Parisit 100 vjet më parë. "Ne dëshmojmë për vëllazërimin dhe lutemi së bashku për dhuratën e paqes ndërmjet kombeve", pohon Ipeshkvi Gobillard, përgjegjës i Konferencës Ipeshkvnore Franceze për Olimpiadën

R.SH. - Vatikan

Në kulmin e shkallëzimit të luftërave - me të fuqishmit e botës që nuk duan as ta dëgjojnë propozimin për armëpushimin olimpik të mbështetur edhe nga Papa Françesku - në Paris njerëzit vazhdojnë të luten me këmbëngulje për paqen.

Me stilin elastik të sportistëve, “nuk hiqet dorë” nga strategjia e ndërtimit të marrëdhënieve më vëllazërore, edhe nëpërmjet përvojës sportive. E edhe nëpërmjet amerikanes Katie Ledecky - notarja më e fortë e të gjitha kohërave – e cila përpara se të zhytet në pishinë thotë me zë të lartë Falemimërinë  "në mënyrë që të gjithë të kenë paqe duke parë përvujtërinë e Nënës së Zotit" (ashtu siç bën Athletica Vaticana në "fillim ” të çdo gare). Sot, 4 gusht, ndërmjet orës 10 dhe 11 të mëngjesit, Kisha Katolike Franceze organizoi një takim ndërfetar në sheshin e Notre-Dame të rilindur - kushtuar Gjon Palit II - pikërisht për armëpushimin olimpik. Një iniciativë e kërkuar shprehimisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që mban të gjallë kujtimin e festës në Notre-Dame me rastin e Lojërave të Parisit të vitit 1924, pikërisht 100 vjet më parë.

"Ne do të dëshmojmë për vëllazërinë dhe do të lutemi së bashku për dhuratën e paqes ndërmjet kombeve", pohon ipeshkvi Emmanuel Gobillard, përgjegjës i Konferencës Ipeshkvnore Franceze për Olimpiadën. Është domethënëse, thekson ai, se propozimi erdhi nga vetë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar: i pranishëm, presidenti Thomas Bach, i cili më 19 korrikun e kaluar mori pjesë në Meshën për fillimin e armëpushimit olimpik.

Në një kontekst shpirtëror - me të krishterët, hebrenjtë, myslimanët, budistët dhe hindusët - Bach do të flasë për sportin, që mund të "mobilizojë konkretisht më të mirën e çdo personi dhe të mbarë njerëzimit". E përmasa shpirtërore është qendrore, si çdo përvojë thellësisht njerëzore.

Gjatë takimit do të flasin Haïm Korsia, rabin i madh i Francës; Najat Benali, kryetar i shoqatës së xhamive të Parisit; Christian Krieger, president i Federatës Protestante Franceze; Anton Gelyasov, përfaqësues ortodoks; Shailesh Bhavsar, në emër të komuniteteve hindu; Jigmé Thrinlé Gyatso, bashkëkryetar i Unionit Budist të Francës; Imzot Philippe Marsset, peshkop ndihmës i Parisit, me François Morinière dhe Isabelle de Chatellus, president dhe drejtor i përgjithshëm i Lojërave të Shenjta, një strukturë e Konferencës Episkopale Franceze për t'i gjallëruar shpirtërisht Lojërat "në shtëpi".

“Stili i vëllazërisë nëpërmjet sportit që po përjetojmë në Paris nuk është i rastit apo sipërfaqësor, sepse çdo ditë e ndërtojmë bashkë në fshatin Olimpik”, këmbëngul ipeshkvi Gobillard. “Mbi njëqind kapelanë të krishterë dhe përfaqësues të feve të ndryshme janë gjithmonë në dispozicion për të mirëpritur dhe për të dëgjuar atletët dhe të gjithë njerëzit që bëjnë pjesë, në forma të ndryshme, në botën olimpike”.

Por çfarë kërkojnë sportistët?

“Sportistët janë para së gjithash shumë të ndjeshëm ndaj çështjes së paqes. Ata thjesht duan të luten, të rrëfehen, të shprehin mendimet e tyre dhe të marrin një bekim: jo për të fituar medaljen e artë, por për të qenë në gjendje ta jetojnë plotësisht këtë përvojë shumë njerëzore, që është sporti olimpik” - pohon Imzot Gobillard- që u kujton të pranishmëve se  "kapela e Zojës së Sportistëve në kishën e La Maddalena është gjithmonë e hapur: atje lutja është e pandërprerë, në mënyrë që Lojërat të jenë kanal dialogu për paqen".

04 gusht 2024, 12:44