Venezuelë, imzot Moronta: shpresojmë që vullneti i popullit të dëgjohet
R.SH. – Vatikan
Në Venezuelë, më se tetë ditë pas zgjedhjeve presidenciale, rezultati i votimeve vazhdon të jetë i pasigurt. Ndër protestat paqësore, edhe zëri i Kishës, e cila flet përmes ipeshkvijve dhe manifestimeve fetare të popullit. Sot, 6 gusht, festa liturgjike e Shndërrimit të Zotit, në Andet e Venezuelës kremtohet me përkushtim të veçantë festa e Krishtit të Shenjtë të La Grita-s. Flet për të dhe për situatën në vend imzot Mario Moronta, zv.kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Venezuelës dhe ipeshkëv i dioqezës së San Cristóbal…
Këtu kremtojmë festën e Krishtit Shenjt të La Grita-s, dita kryesore e së cilës është 6 gushti, por edhe në ditët e mëparshme ka pasur shtegtime, shugurime meshtarake dhe shumë veprimtari fetare. Më 1 gusht ishte shtegtimi i priftërinjve, që e bëjmë çdo vit. Kësaj radhe iu lutëm Zotit të na shndrisë për të qëndruar të palëkundur në punën tonë si barinj, në situatën e paprecedentë dhe shumë të vështirë që po përjeton Venezuela.
Si është situata në vend, më se tetë ditë pas zgjedhjeve? Çfarë interpretimi jep Kisha Venezueliane për ç’po ndodh?
Bëmë disa interpretime, sepse një nga gjërat më të vështira për këtë situatë të paprecedentë është se gjendja ndryshon vazhdimisht. Ne ipeshkvijtë jemi në kontakt të ngushtë, kemi pasur disa takime, edhe për të vlerësuar situatën në çdo rajon. Shohim ende shumë pasiguri. Qeveria kombëtare njeh vetëm rezultatin e vet, prandaj, ka shumë shqetësim dhe pasiguri ndërmjet njerëzve. Ka pasur demonstrata, disa shumë të dhunshme, për fat të keq, me vdekje dhe plagosje të shumta, si në mesin e civilëve ashtu edhe në mesin e policisë, por njerëzit po manifestojnë edhe paqësisht për të treguar mospajtimin e tyre dhe për të kërkuar të dëgjohet vullneti i popullit. Po përjetojmë vërtet një ngjarje të pazakontë dhe të paprecedentë, siç thonë disa historianë. Por dua të garantoj se Kisha, jo vetëm nëpërmjet ipeshkvijve, por edhe meshtarëve, diakonëve dhe shumë punonjësve laikë baritorë, e ka intensifikuar praninë dhe afërsinë e saj me njerëzit. Jemi anëtarë të popullit të Zotit, vuajmë me popullin tonë dhe kemi të njëjtat shpresa; vuajmë dhimbjet e njerëzve tanë.
Çfarë mund të ndodhë në Venezuelë nëse nuk sqarohet kjo situatë për rezultatet e zgjedhjeve? Cili është skenari më pak i dëshiruar?
Skenari më pak i dëshiruar - e po punojmë për ta shmangur këtë - është që dhuna të vijojë deri në shpërthim social. Të shpresojmë se nuk do të ndodhë. Sepse ka kaluar një javë e gjatë, që kur jemi vënë në dijeni për rezultate, të cilat nuk i prisnim, por ende jemi të bindur se me ndihmën e ekspertëve, por mbi të gjitha me vullnetin e mirë të liderëve politikë, vullneti i popullit do të dëgjohet dhe do të zbatohet. Ne ipeshkvijtë po punojmë së bashku me meshtarët, me famullitë, për paqen në Venezuelë. Edhe institucione të tjera fetare jo-katolike janë të angazhuara në këtë drejtim, në mënyrë që kush beson në Zotin të kërkojë paqen. Një nga skenarët më të këqinj, për mendimin tim, do të ishte nëse situata nuk zgjidhet, mund të ketë indiferencë dhe mund të ketë një grup të ri emigrantësh, që do të largohej nga Venezuela në kërkim të një realiteti të ri. Presim, prandaj ngul këmbë edhe një herë, presim që të mbizotërojë ndërgjegjja, inteligjenca dhe ndjenja e shërbimit ndaj popullit.