Padre Zef Pllumi ofm albanese, scrittore Padre Zef Pllumi ofm albanese, scrittore

Përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes Át Zef Pllumi, ofm

Provinca Françeskane Shqiptare kujtoi sot me një konferencë shkencore në Shkodër, 100-vjetorin e lindjes së Át Zef Pllumit, ofm.

R.SH. / Vatikan

Provinca Françeskane Shqiptare kujtoi sot, me një konferencë shkencore në Shkodër,  100-vjetorin e lindjes së Át Zef Pllumit, ofm.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në Konferencën Shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Át Zef Pllumit. Konferenca zhvillohet me datën 26 tetor, në orën 10:00 pranë Kuvendit Françeskan në Gjuhadol. Kështu shkruhet në ftesën që i drejtuan fretënt dashamirëve të veprës së pamort të Atë Zefit.

Tue përkujtue Patër Zef Pllumin - vijon ftesa - na jepet mundësia me reflektue mbi komunizmin, shkaqet e vendosjes së diktaturës si dhe vuejtjet, persekutimet, vrasjet dhe mjerimet që shkaktoi ai sistem. Kanë kalue 34 vite e ne shohim se ende nuk e kemi ba reflektimin e duhun mbi sistemin komunist dhe totalitar. Duhet të ndalemi dhe të reflektojmë  pse ja shkaktuam njeni-tjetrit këto të këqija”.

Kjo, ftesa e sivëllezërve françeskanë, për një njeri që na la trashëgim përmes jetës së tij të pashoqe, edhe jetën e Shqipërisë nën një nga diktaturat më gjakatare që njohu vendi nëpër kohë.  

“Njeriu duhet shpëtue - na porosit Pater Zefi -  e për këtë na ndihmon edhe trashëgimia që na la, të cilën Provinca Françeskane Shqiptare e kujtoi sot në konferencën shkencore me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

Kanë kaluar, pra, njëqind vjet nga dita fatbardhë që i fali Shqipërisë një djalë, një malësor të vogël - që do të bëhej shkrimtar i madh. Një xhakue, që u burgos në lule të rinisë, në pritje për t’u shugurue meshtar. Që kur doli nga burgu deshi të rikthehej sakaq në kuvendin françeskan gjysëm të mbyllur, po i u desh të dëgjonte këshillën e  Atë Marin Sirdanit: “Rrno vetëm për me tregue”, që u bë më pas titull i një kryevepre e nxitje për një mori veprash të tjera, në prozë e poezi! E edhe e një morie porosish, tejet aktuale për kohët tona të përgjakura, ndërmjet të cilave:

“Njeriu duhet shpëtue e duhet shpëtue njerëzimi!”.

E sot kur mbush 100 vjet, Atë Zefi Pllumi na fton ta shfletojmë veprën e tij madhore: ndaj zgjodhëm një fragment, për ta vënë në jetë këtë porosi…

Fragment nga vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga Zef Pllumi:

… Simbas asaj historie që dij vetë, i thojshim Velkos, njerëzimi sundohet prej njerzve të dhunës, që nuk kanë mëshirë as dashuni, por vetëm dëshirë të pangopun për lavdi e pasuni. Natyrisht kanë dhelpninë që për mos me u thirrë “përbindsha” i paraqesin veprimet e veta në bazë të mbrojtjes të ndonjë feje, ideologjie, filozofie o ideali. Ajo shka i karakterizon udhëheqësat, asht guximi i tepërt. Kështu ata pa kurrfarë ndrotje kcejnë në shpinë të kalit me vrull e lshojnë kushtrimin:

“Kush asht trim le të vijë mas meje me vdekë për liri”.

Këtë fjalën e fundit këta heronj të historisë e kanë zëvendësue dikush me “fe”, tjetri me “ideal”, me “atdhe” e me proshka të tjera që u vijshin ma përshtat për me gënjye nji turmë të verbët e cila tue bërtitë “urra” i shkon mbrapa me turr, posi nji ortek bore, tue gjumue, tue marrë hov e sulm sa herë që “prijsi në kal” valëvit e tund nji copë leckë, nji, dy, ose tringjyrshe, pse ai nuk din të numërojë të katërtën. Ajo copë leckë thirret “simbol”, “ideal” etj. Shiko, shife në Spanjë se si demi i egër sulmon nji pecë të kuqe. Kjo asht “turma” ose “populli” dhe në krye të saj “heroi” që ban historinë…

Velko, tash sa mija vjetësh njerzimi vërtitet në nji “rreth vicioz” në kërkim të lirisë, ndërsa ajo rrin atje larg tue u zbavitë pamëshirshëm për marrinë e gjithmonshme të turmave që kërkojnë “nji prijës”, e adhurojnë atë, ecin mbas ligjeve të tija e jo të Zotit …  

26 tetor 2024, 11:43