Vritet At Marcelo Perez, S.J. zëri profetik i Meksikës

Meshtari jezuit Marcelo Pérez dyzet vjeçar u vra në Chiapas nga burra me motoçikletë, pasi kremtoi Meshën e së dielës. Punonte për paqen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

R.SH. / Vatikan

E diel, 20 tetor. Meshtari Marcelo Pérez largohet, menjëherë pas meshës, nga famullia e tij në Cuxtitali, lagje e San Cristóbal de Las Casas,  qytet në shtetin meksikan të Chiapas. Planifikonte një tjetër kremtim Eukaristik (Meshë), por nuk do të arrinte kurrë në Kishën e Guadalupes. Do të gjindej i përshkuar me të shtëna armësh, shtrirë mbi timonin e furgonit të tij të bardhë, i vrarë nga disa njerëz në bordin e një motoçiklete të shpejtë.

Jezuiti, në të dyzetat, konsiderohej në këto anë si zë udhërrëfyes dhe profetik i paqes dhe i pajtimit si dhe mbrojtës këmbëngulës i të drejtave të njeriut. I lindur në grupin indigjen Tzotzil, për të cilin qe kujdesur gjithmonë, duke e mbrojtur atë nga abuzimi dhe shtypja, në një intervistë të fundit pati denoncuar me forcë se "Shteti i Chiapas është gjithnjë e më shumë në rrezik, sepse sundohet nga krimi i organizuar" dhe madje kishte bërë të ditur se për kokën e tij qe caktuar një shpërblim prej qindra mijëra pesos. Populli, që e vlerësonte shumë shërbimin e tij, e dënoi këtë vrasje nga autoritetet.

Edhe OKB-ja, duke e cilësuar incidentin si të papranueshëm, bëri thirrje për hetime të menjëhershme dhe shteruese. Dhimbje të thellë shprehu sidomos Konferenca Ipeshkvnore Meksikane: «Ky akt dhune - shkruan ipeshkvijtë - jo vetëm që e lë bashkësinë pa një bari delikat, por edhe e bën heshtë një zë, që ka luftuar pa u lodhur për paqen dhe drejtësinë në rajon”.

Dy jezuitë të tjerë, vetëm dy vjet më parë, humbën jetën në oborrin e kishës së tyre, në shtetin Chihuahua, të goditur nga njerëz të armatosur, ndërsa vrasja e Atë Isaías Ramírez González, trupi i të cilit u gjet më 15 gusht nën një urë në Guadalajara, kryeqyteti i shtetit të Jalisco, pati jehonë edhe më të trishtuar!

Rrugët e drogës dhe të kontrabandës, që kalojnë ndërmjet Chiapas dhe Jalisco janë shkaku i një lufte të egër ndërmjet dy grupeve më të fuqishme kriminale në Meksikë: Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación.

21 tetor 2024, 17:02