Krishti, Mbret i Universit Krishti, Mbret i Universit

Çelësi i fjalëve të Kishës: Krishti Mbret

Krishti është një mbret, që nuk sillet si “mbretërit e paganëve, që sundojnë e kërkojnë të quhen ‘Bamirës’” (Lk 22,25). “Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk 10,45). Jezusi flijohet e rrethohet jo nga të fuqishmit e botës, por nga të fundmit dhe e ndan fatin me ta. Kjo është “mbretëria e Zotit”, e ngjashme me “kokrrën e sinapit…më e vogla ndër të gjitha farërat”, por e frytshme (Mt 13,31-33)

R.SH. - Vatikan
Të dielën e ardhshme, Kisha Katolike kremton festën e Krishtit Mbret. Por ç’do të thotë kjo, cila është mbretëria e këtij sovrani? Do të përpiqemi sot të shpjegojmë ç’kuptojmë me fjalën “Mbretëria e Zotit”.

Kur Jezu Krishti filloi shërbimin e tij publik në Galile, fjalët e para që tha ishin: “Kthehuni, se mbretëria e qiejve është ngjat!” (Mt 4,17). U bëri kështu jehonë të njëjtave fjalë, që thoshte pararendësi i tij, shën Gjon Pagëzuesi (3,2). Qendra e Lajmit të Mirë të krishterë gjendet pikërisht rreth këtij simboli, të përdorur që në Besëlidhjen e Vjetër, me domethënien e dyfishtë të “qeverisjes e mbizotërimit” hyjnor dhe të “popullit të qeverisur me drejtësi nga Zoti”. Natyrisht, imazhi është marrë nga qytetërimet e Lindjes së Afërt dhe nga vetë përvoja e Izraelit, që kishte zgjedhur formën monarkike të qeverisjes rreth gjysmës së shekullit XI para Krishtit. Madje, dinastia e Davidit konsiderohej si rruga historike drejt mesianizmit.

Koncepti i “Mbretërisë së Zotit” (Shën Mateu Ungjilltar përdor “mbretërinë e qiejve” për të shmangur, si judeas që është, përdorimin e emrit hyjnor, të shenjtë e të pashqiptueshëm) ka të bëjë me planin e një rendi të ri botëror, të një shoqërie të drejtë, të një gjithësie në harmoni, siç qe dashur e krijuar nga Zoti. Fatkeqësisht, ky plan ndryshoi për shkak të mëkatit të njeriut. Psalmet që i thurin lavde “Mbretërisë së Zotit” (47;93;96-99) ngrenë në qiell ndërhyrjen e Hyjit për t’i dhënë zanafillën asaj “mbretërie të së vërtetës e të jetës, të shenjtërisë e hirit, të drejtësisë, të dashurisë e paqes”, që kremtohet si shpresë në liturgjinë e solemnitetit të Krishtit Mbret.

Po, sepse Jezusi, jo vetëm e përuron mbretërinë e Zotit në shembëlltyrat e veta e në veprën e tij shëlbuese, por paraqitet edhe si mbret në skenën madhështore të gjykimit të mbramë, përshkruar nga Mateu: “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm…Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij…” (25,31.34). Ai është “basiléus”-i grek, sovrani me detyrën, që ishte e Zotit në Besëlidhjen e Vjetër: “Zoti…vjen për të gjykuar tokën! Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij…sepse e Drejta e Drejtësia janë themeli i fronit të tij “(Ps 96,13; 97,2; 98,9).

Krishti pra, është një mbret, që nuk sillet si “mbretërit e paganëve, që sundojnë e kërkojnë të quhen ‘Bamirës’” (Lk 22,25). “Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk 10,45). Jezusi flijohet e rrethohet jo nga të fuqishmit e botës, por nga të fundmit dhe e ndan fatin me ta. Kjo është “mbretëria e Zotit”, e ngjashme me “kokrrën e sinapit…më e vogla ndër të gjitha farërat”, ose me “tharmin e përzier me miellin” e historisë njerëzore (Mt 13,31-33). E fshehur, por e frytshme, farë e hedhur në brazdat e tokës, por pjellore. Kjo është “Mbretëria e Zotit”, ardhjen e së cilës e lusim me Atynën, kur themi: “Ardhtë Mbretëria jote!”. E ky është Lajmi i Mirë që, në emër të Krishtit, përsëritet nga dishepujt e Tij: “Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është ngjat!’” (Mt 10,7).

21 nëntor 2024, 09:41