Çelësi i fjalëve të Kishës: të varfërit sipas Ungjillit
R.SH. Vatikan
Të dielën, më 17 nëntor, Papa Françesku do të kremtojë meshën shenjte dhe do të drekojë me të varfërit, në Ditën Botërore, që ai vetë ua kushtoi atyre, tashmë, që nga viti 2017. Sivjet, ajo ka si moto një fragment nga Libri i Siracidit: "Lutja e të varfërve lartohet tek Zoti" (shih Sir 21,5). Papa rithekson se të varfërit kanë një vend të privilegjuar në zemrën e Hyjit, i cili ua dëgjon lutjet dhe, para vuajtjeve të tyre, bëhet "i paduruar" derisa të vendosë drejtësinë. Vërtet, Libri i Siracidit dëshmon se "gjykimi i Hyjit do të jetë në favor të të varfërve" (shih 21,5).
Ati i Shenjtë e ka shpjeguar shpesh konceptin e tij të varfërisë, që nuk është mungesë pasurie, por diçka tjetër. Fraza ungjillore “U bë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e Tij”, që i referohet Krishtit, është baza për të kuptuar ç’do të thotë “varfëri” për të krishterët e pse Kisha kujdeset kaq shumë për të varfërit. E për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.
Varfëria e Jezusit nuk është mungesë pasurie
Varfëria e Jezusit, siç mund të kuptohet nga Besëlidhja e Re, nuk është mungesë pasurie, sepse Ai jeton në shtëpinë e shën Jozefit (Mt 2,23); ka një punë për të cilën paguhet (Mk 6,3); grupi i tij mbështetet nga ndihma e miqve, sidomos nga gra të pasura të borgjezisë (Lk 8,1-3); vishet jo keq (Gv 19,23). Varfëria e tij është e barazvlefshme me lirinë, butësinë, përvujtërinë e zemrës, gatishmërinë për të kryer vullnetin e Atit Qiellor, deri në vdekjen mbi Kryq, duke pranuar me vetëdije e bindje vuajtjen.
Në Letrën e dytë të shën Palit drejtuar Korintasve, por edhe në atë për filipianët, Apostulli i Popujve e shpjegon fort mirë konceptin e varfërisë së Jezusit. “Edhe pse me natyrë Hyj – shkruan shën Pali për Krishtin – barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar, që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (Fil 2,6-7), e “për ne, nga i pasur që ishte, u bë i varfër” (2 Kor 8-9). Varfëria e Krishtit është plotësimi i profecive për Mesinë. Vërtet, Atij nuk i munguan persekutimet politike, internimi, tradhëtia nga ana e një miku, zhveshja e plotë nga çdo gjë, thjeshtësia, përmes së cilës dilte në pah madhështia e Tij. Por Krishti është i varfër edhe pse solidarizon me të varfërit e merr mbi vete mëkatet e gjithë botës. Për Jezusin, të varfër janë mëkatarët, të sëmurët, të pamundurit, të huajt, të cilëve nuk u thotë fjalë ngushëllimi, por shëlbimi.
Ungjillëzimi i të varfërve
Si shenjë e plotësimit të premtimeve mesianike, Jezusi cakton ungjillëzimin e të varfërve. Ai merr anën e tyre, i quan të lum, i larton në shembëlltyrën e Epulonit të pasur dhe Lazrit të varfër (Lk 16, 19-31) e në atë të “dhuratës së vejushës skamnore” (Mk 12, 41-44), i do pjesëmarrës në jetën shoqërore e në ndarjen e të mirave. Pastaj, u thotë të gjithëve të mos shqetësohen për pasuritë e kësaj bote, vë në dukje rreziqet që sjellin, i thotë të riut të pasur të heqë dorë prej tyre për ta ndjekur.
Jezusi parashikonte se të varfërit nuk kanë për të munguar kurrë. Por fjala e Tij nuk e institucionalizon varfërinë, synon të zgjojë tek dishepujt forcën për ta zhdukur këtë vuajtje e problem përmes drejtësisë shoqërore, përmes rishpërndarjes së pasurisë, përmes ndihmës së prekshme e të përhershme. Të varfërit, sipas Ungjillit, janë “sakrament”. Në ta gjejmë vetë Krishtin (Mt 10,41; 25, 40-45), të cilit, përmes tyre, mund t’i shërbejmë, ose ta mënjanojmë. Ata simbolizojnë realitetin e Mbretërisë Qiellore, në të njëjtin kuptim, me atë, që i jep Papa Françesku në magjisterin e vet. Pra, një varfëri përtej përmasës ekonomike, që shpreh pasurinë ungjillore, “stilin e Hyjit” – siç thotë shën Pali – mënyrën e veprimit të Zotit, i cili nuk na zbulohet me bujë e pushtet, por me butësi e përvujtëri.
Shembulli i Nënë Terezës
Ja përse të varfërit kanë rëndësi për Kishën Katolike, sepse janë Ungjilli, siç vëren Papa, i cili, shpesh, ka dhënë si shembull Nënë Terezën, misionaren e lume shqiptare të bamirësisë, e cila nuk bëri asnjë luftë politike për përmirësimin e gjendjes së të varfërve, por i çoi secilit prej tyre dashurinë e krishterë, duke u dhënë dinjitet. E Ati i Shenjtë ngul këmbë në logjikën e “dhurimit”, pra kërkon që secili të japë sa mundet e sa di për të kontribuar në të mirën e njerëzimit, i cili kështu, do të frymëzohej nga një forcë, krejtësisht e ndryshme nga mbizotërimi e dominimi e, malli do të kthehej në dhuratë. E të mos harrojmë se gjithnjë, të pasurin që nuk bënte ç’kishte në dorë për t’u pasuruar, por dinte ta ndante pasurinë me kë kishte nevojë e dinte të ndihmonte, çdo popull e ka konsideruar përherë “fisnik”.