PHILIIPINES-HOLIDAY-ALL SAINTS DAY PHILIIPINES-HOLIDAY-ALL SAINTS DAY

Jezus, po shkoj sot ndër vorre

Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,/s’është vend i këndshëm, e di, /më rrënqeth ky vend i heshtur, /ky vend ku ka veç zi. /...Po shkoj për njerëzit që më deshën, /që ishin, por që shkuan, /po shkoj t’u shpreh mirënjohjen/për gjithçka më dhuruan. /Po shkoj t’u çoj një lule/ simbol bukurie që duhet. /Po shkoj të ndez një qirisimbol i zjarrit që s’ shuhet. /Po shkoj të prek një fytyrë/mes kryqave pa fund, /po shkoj të të takoj Ty, / Jezus që vdekjen mund.

R.SH. / Vatikan

Dita e 2 nëntorit dita e përkujtimit të të vdekurve, simbolikisht bëjmë një shtegtim, sa të dhimbshëm, aq festiv drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit që më s'janë.

E duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje dhe të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton se vdekja nuk është fjala e fundit, dhe se më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!

Kjo poezi, e njëkohësisht uratë poetike, shpreh përshpritërinë, fenë mbi vujtjen, dhimbjen, vdekjen dhe ringjalljen. E më së miri e shpreh atë që besimtarët katolik, më nëntor, në ditën e të besimtarëve të vdekur, ndjejnë dhe besojnë që Jezusi me Ngjalljen e Tij e mundi vdekjen.

Jezus, po shkoj sot ndër vorre

Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,
s’është vend i këndshëm, e di,
më rrënqeth ky vend i heshtur,
ky vend ku ka veç zi.

E zëri i tmerrshëm i vdekjes 
frymon këtu nga çdo plasë,
pëshpërit nga çdo gëmushë, 
nga çdo kurorë e çdo rrasë.

Po shkoj për njerëzit që më deshën, 
që ishin, por që shkuan,
po shkoj t’u shpreh mirënjohjen
për gjithçka më dhuruan.

Mirënjohje për kë më dha jetën,
për kë më dha bujarinë,
mirënjohje për kë më fali fenë,
për kë m’ dha për ditë dashurinë.

Një krah më dha, ku u mbështeta,
një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta,
më mësoi Lajmin e mirë,
ku gjeta shpresë e hir.

Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time.
Po shkoj t’u përsëris se besoj,
në atë jetë mbi të cilën vdekja
askurrë nuk triumfoi.

Se nuk është sëmundja, as morti
që fjalën e fundit e thonë.
Jo unë nuk mund të besoj
se i humba përgjithmonë.

Po shkoj t’u çoj një lule
simbol bukurie që duhet.
Po shkoj të ndez një qiri
simbol i zjarrit që s’ shuhet.

Po shkoj të prek një fytyrë
mes kryqave pa fund,
po shkoj të të takoj Ty,
Jezus që vdekjen mund.

 

 

02 nëntor 2024, 10:30