Shqipëri, Dita Botërore Rinore Dioqezane, të rinjtë udhës së shpresës

Dëshmia e Kledis Jaku, anëtar i komisionit kombëtar të të rinjve, pranë Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, rreth Ditës Botërore Rinore Dioqezane që u kremtua nga të rinjët e dioqezës së Shkodrës e Sapës, këtë të diel, 24 nëntor, në festën e Krishtit Mbret, në Lezhë.

R.SH. / Vatikan

Dëshmia e Kledis Jaku, anëtar i komisionit kombëtar të të rinjve, pranë Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, rreth Ditës Botërore Rinore Dioqezane që u kremtua nga të rinjët e dioqezës së Shkodrës e Sapës, këtë të diel, 24 nëntor, në festën e Krishtit Mbret, në Lezhë. Ja dëshmia e Kledis Jakut:

“Kemi filluar të përshkojmë udhën e shpresës...”

Nis kështu letra nga mesazhi i Atit të shenjtë drejtuar ne të rinjve, një mesazh frymëzues dhe nxitës, ku besoj se e treguam më së miri gjatë Ditës Botërore Rinore Dioqezane.

Dua ta filloj nga vetë fakti që ishim të thirrur të shtegtonim edhe në mënyrë fizike, shumë të rinj nga dioqeza e Shkodrës dhe e Sapës shtegtuam tek të rinjtë e tjerë në dioqezën e Lezhës, ku dhe u zhvillua takimi.

Ishte vërtetë një shenjë e pranisë dhe e dashurisë së Zotit në bashkim, sepse të bashkuar kuptuam se jemi një trup i vetëm në Krishtin, se ashtu të bashkuar mund të njihemi, të shihemi sy në sy me njëri- tjetrin, mund të shkëmbejmë buzëqeshje dhe mbi të gjitha se mund të shpresojmë në gëzimin që na jep bashkimi.

E mbi të gjitha kemi përjetuar atë që besoj është më e rëndësishme, atë të shtegtimit shpirtëror. Psalmi 139 ishte zanafilla e takimit tonë. Lutje që brohoret se Zoti na do, se ende të patrajtuar në kraharorin e nënës Ai na ka njohur dhe na ka thirrur për emër, se jemi të krijuar kaq mrekullisht... Duke marrë vetëdijen e mrekullisë që Zoti është dhe bën për ne, vazhduam me një katekezë që na thërriste të ishim të gëzuar, të rinj me shpresë, që pavarësisht sfidave të jetës që shpesh na rrëzojnë, duhet të ecim me besim se përqafimi i Zotit nuk do të na mungojë kurrë.

Rrugët e qytetit më pas u mbushën me ne të rinjtë që u vumë në ecje, jo si turistë të thjeshtë, por si shtegtarë, duke zbuluar bukurinë e asaj që takonim dhe përjetonim. Shtegtarë në kërkim të lumturisë. Dhe shtegtimi ynë mbaroi në mënyrën më të hirshme, me Eukaristinë, me Meshën e shenjtë që në fakt është fillimi i çdo gjëje.

Fillimi i marrëdhënies tonë me Zotin, i përkatësisë sonë me Të dhe i besëlidhjes së Tij të dashurisë me ne. Dua ta mbyll me atë që më ka prekur në shpirt atë ditë, një lutje që u lexua gjatë momentit të kungimit dhe thoshte: “ ne jemi ëndrra e Zotit”. Në atë moment kam menduar mbi të gjitha ëndrrat e jetës sime, ëndrra që besoj sot ka çdo i ri, dhe nuk kisha menduar kurrë që për Zotin unë jam ëndrra e Tij dhe se Ai do ta realizojë këtë ëndërr në plotësi, duke më dhënë dashurinë e Tij dhe vetveten.

Kledis Jaku

25 nëntor 2024, 12:09