Corona III domenica di Avvento Corona III domenica di Avvento

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 3-të Ardhjes: Jezusi do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt

Na mungojnë, o Jezus, profetët/si Gjon Pagëzuesi, /na mungojnë zërat që flasin për Zotin, /ata, që janë gati të bëjnë gjithçka/për të realizuar planet e Tij. / Por ndoshta, Ti o Jezus, nuk do që/ ne të kërkojmë profetë të tjerë/pasi Shpirti Shenjt i dhuron secilit/ mundësinë për ta ngritur zërin/ për ta bërë copë-copë heshtjen e turpshme/ të atyre, që s’presin asgjë e prandaj, /humbasin në rrjedhën e kotësive. Dhuroji secilit forcën për të dëshmuar ku është shpëtimi/e si arrihet plotësia e jetës

R.SH. - Vatikan

Kumti profetik i Shën Gjon Pagëzuesit, që i hap rrugën ardhjes së Jezu Krishtit, është në qendër të Ungjillit të së Dielës III të Ardhjes, në të cilën Kisha na fton të galdojmë për Shëlbuesin, që “do të pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr”. Të ndjekim pjesën ungjillore, marrë nga kreu 3 (10-18) i Shën Lukës

Në atë kohë, turmat e pyesnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po ne çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigj: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre iu përgjigj: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”. E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëzat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”. E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin. 

Të lutemi së bashku

Na mungojnë, o Jezus, profetët

e kalibrit të Gjon Pagëzuesit,

na mungojnë zërat, që vibrojnë

me dashuri të plotë për Zotin,

ata, që janë gati të bëjnë gjithçka

për të realizuar planet e Tij.

 

Na mungojnë, o Jezus, profetët

e ndershëm si Gjon Pagëzuesi,

që i pranojnë kufizimet e tyre,

që s’pretendojnë të zëvendësojnë më të mirët

që e shohin rolin e tyre si shërbim për t’u bërë

me thjeshtësi e vendosmëri,

por nuk tundohen të hipin në skenë

e të bëjnë me mburrje, protagonistin.

 

Na mungojnë, o Jezus, profetët

me guximin e Gjon Pagëzuesit:

që u kujtojnë të pushtetshmëve ligjet e Tua

dhe ua përplasin në fytyrë të mëdhenjve fajet e tyre,

që i jetojnë personalisht

fjalët, që u thonë vëllezërve.

 

Por ndoshta, Ti o Jezus, nuk do që

ne të kërkojmë profetë të tjerë

pasi Shpirti Shenjt i dhuron secilit

mundësinë për ta ngritur zërin

për ta bërë copë-copë heshtjen e turpshme

të atyre, që s’presin asgjë e prandaj,

humbasin në rrjedhën e kotësive.

Dhuroji secilit forcën për të dëshmuar ku është shpëtimi

e si arrihet plotësia e jetës.

14 dhjetor 2024, 12:50