Dasma në Kanë - Ungjilli i së Dielës Dasma në Kanë - Ungjilli i së Dielës

Të meditojmë Ungjillin e Dielës së 2-të gjatë vitit 'C': mrekullia e Kanës

…Ti o Krisht, erdhe për ta shpallur/këtë ditë hiri/e mrekullia e Kanës është shenja/që Ti u jep atyre, që presin/realizimin e planit të Zotit./ Ka një gosti, që askush/s’mund ta sigurojë me forcat e veta, /sepse, herët a vonë, gjithçka fiton/me mund, djersë e punë,mbaron e mbetesh i uritur e i etur, /pa bukë e pa verë. /Ti o Krisht, erdhe të na sjellësh/jo ndonjë verë të çfarëdoshme/e as bukë, që na e shuan urinë/veç për një ditë, /por verën më të mirë, më të ëmbël/e bukën, që na dhuron amshimin

R.SH. - Vatikan

Cila është ora, që përmend Jezusi në kreun 2 (1-11) të Ungjillit sipas Gjonit, në të dielën II të gjatë vitit kishtar (C)? Për ungjilltarin është kulmi i jetës së Mesisë, sidomos Kalvari; është edhe çasti, që përmbys historinë e njerëzve të të gjitha kohrave; por është edhe ora e misionit publik të Krishtit, kohë shenjash e mrekullish. Nga ana tjetër, mrekullia e Kanës, për të cilën flet Ungjilli, është mrekulli e fesë së Zojës. Maria nxjerr prej Atit që Jezusi ta fillojë atë kohë, pavarësisht nga bindja se akoma nuk i kishte ardhur “ora”. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Gjoni:

Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. 

Të lutemi së bashku

Ka një gosti, që i pret

të gjithë burrat e të gjitha gratë

e çdo kohe e të çdo vendi,

një begati jete e gëzimi

që do t’i bëjë të harrojnë

çdo mungesë e çdo vuajtje.

Ti o Krisht, erdhe për ta shpallur

këtë ditë hiri

e mrekullia e Kanës është shenja

që Ti u jep atyre, që presin

realizimin e planit të Zotit.

 

Ka një gosti, që askush

s’mund ta sigurojë me forcat e veta,

sepse, herët a vonë, gjithçka fiton

me mund, djersë e punë,

mbaron e mbetesh i uritur e i etur,

pa bukë e pa verë.

Ti o Krisht, erdhe të na sjellësh

jo ndonjë verë të çfarëdoshme

e as bukë, që na e shuan urinë

veç për një ditë,

por verën më të mirë, më të ëmbël

e bukën, që na dhuron amshimin.

 

Në këtë lloj gostie, jemi të gjithë varfanjakë,

sepse e marrim veç prej Teje

gëzimin e paqen, ngushëllimin e mëshirën

e Atit Qiellor, që dëshiron, mbi çdo gjë,

lumturinë e bijve të vet.

Në këtë gosti, shihet qartë e menjëherë

se ia vlen të besojmë në Ty, në Fjalën tënde.

 

18 janar 2025, 09:43