Pagëzimi Jezusit Pagëzimi Jezusit

Të meditojmë me Ungjillin: Pagëzimi i Jezusit Zot

Pritja, më në fund, mbaroi/e gjithçka në lumin Jordan,/ku Gjon Pagëzuesi ka shpallur/se po vjen Mesia./Aty hapet Qielli e bashkohet me tokën.../Aty, Shpirti Shenjt zbret si pëllumb/për të na i drejtuar hapat/në shtigjet e dashurisë./Aty, Ati Qiellor të njeh para të gjithëve, o Krisht/Si Birin e dëshirit, ardhur/për të bërë vullnetin e Tij/ e për të realizuar planin e Tij./ Pasi kundruam/ Misterin e hirit, Mishërimin tënd o Krisht./ Tani ecim pas hapave të tu/ për të dëgjuar Fjalën tënde...

R.SH. - Vatikan

Shpirti Shenjt i vë vulën solemnisht hyjnisë së Jezu Krishtit, në çastin kur ai, si një njeri i zakonshëm, merr pagëzimin nga Gjoni. Ungjilli i së dielës së Pagëzimit të Jezusit, marrë nga kreu 3 i Shën Lukës (15-16.21-22), na tregon se Jezusi është i madh në përvujtërinë e gjesteve e të fjalëve, prandaj, të ecësh në gjurmët e Tij do të thotë të ndërmarrësh rrugën e përvujtërisë. Do të thotë të ecësh pas Krishtit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, që na çon drejt lumnisë, drejt jetës së amshuar.

Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”

Të lutemi së bashku

Pritja, më në fund, mbaroi

e gjithçka ndodh pikërisht atje, në lumin Jordan,

ku Gjon Pagëzuesi e ka shpallur tashmë

se po vjen Mesia.

Aty hapet Qielli e bashkohet me tokën

duke lindur diçka të re

ëndërruar nga gjithë të varfërit e kësaj bote.

 

Aty, Shpirti Shenjt zbret si pëllumb

për të na i drejtuar hapat

në shtigjet e dashurisë.

 

Aty, Ati Qiellor të njeh para të gjithëve, o Krisht

Si Birin e dëshirit, ardhur

për të bërë vullnetin e Tij

e për të realizuar planin e Tij.

 

Pritja, më në fund, mbaroi

sepse ti fillon misionin.

Shi për këtë, u bëre njeri,

për t’i ngushëlluar e për t’i ringritur njerëzit në këmbë,

për të shëruar e për të çliruar,

për të ofruar mëshirë e paqe.

Gjon Pagëzuesi është gati

të mënjanohet tani që detyra e tij

përfundoi.

Uji i Jordanit i lë vendin

flakës së Shpirtit Shenjt,

profeti ia lë vendin Mesisë,

Pararendësi, Birit të Zotit.

 

Këto ditë, kundruam

Misterin e hirit, Mishërimin tënd o Krisht.

Tani ecim pas hapave të tu

tashmë, jo me foshnjë,

për të dëgjuar Fjalën tënde,

për të kuptuar gjestet e tua,

Lajm i Mirë, që na e ndryshon jetën

11 janar 2025, 09:50