Gjatë kreshmëve: lutja, agjërimi, kthimi te Zoti Gjatë kreshmëve: lutja, agjërimi, kthimi te Zoti

Agjërime që çlirojnë zemrën!

Gjatë kohës së Kreshëve, jezuiti belg Jean Galot (1919-2008) i kërkon Zotit ta ndihmojë të agjërojmë nga pasionet, nga fama e kënaqësisë e, sidomos, nga gjuha, që gjykon e përçan.

R.SH. / Vatikan

Në sprova dhe vështirësi jemi të detyruar të ndeshemi me atë që është vërtet e rëndësishme. Një dështim, një sëmundje, një braktisje na bën të ndeshemi me themeloren e jetës sonë. Duke lënë mënjanë shqetësimet e kota, mbeten pyetjet e thella të jetës: kush jemi ne? Ku shkojmë? Me kë dhe për kë po ecim?

Koha e Kreshmëve në këtë kuptim është kohë e privilegjuar sepse, duke na ftuar në lutje, bamirësi dhe flijime, na nxit të edukojmë vullnetin. Shembull klasik është agjërimi i krishterë: nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimi, por edhe nga gjithçka që e rëndon shpirtin dhe e pengon të fluturojë në kaltërsitë e pafundme, të arratiset drejt viseve ku nuk të ndjek pas krenaria, dëshira për sukses, kulti i vetvetes!

Flijimi, si palestër shpirtërore, na ndihmon ta çlirojmë veten nga barra e zakoneve të këqija, qëndrimeve arrogante dhe planeve të gabuara, që na mbajnë të ankoruar në tokë. Kjo theksohet në lutjen e mëposhtme të jezuitit belg Jean Galot (1919-2008) i cili i kërkon Zotit ta ndihmojë të agjërojë nga pasionet, nga fama e kënaqësisë e, sidomos, nga gjuha, që gjykon e përçan:

 “Bëje zemrën tonë të agjërojë:

 të heqi dorë prej gjithçka e largon

nga dashuria jote!

Bëje të bashkohet me ty, o Zot,

më sinqerisht.

E krenarinë tonë ti bëje të agjërojë,

ashtu dhe pretendimet tona,

kërkesat tona...

Na bëj më të përvujtë, duke dëshiruar

si të vetmën ambicie

shërbimin ndaj Teje!

Na e bëj gjuhën të shpejtë:

 të shprehë veç vlerësim e mirësi.

Qoftë agjërimi i shpirtit mjet

 për të përmirësuar vetveten,

 e  për të lartuar drejt Teje

dhuratën që vetëm Ti

di ta dhurosh,

më të madhin gëzim:

premtimin të na e lartosh

shpirtin drejt Teje në Amshim!

17 mars 2025, 16:43