Papa: të punojmë për t’u kujtuar si brezi, që ringjalli natyrën
R.SH. - Vatikan
Me krijimtari dhe guxim, të sigurohemi se do të na kujtojnë si “brezi i rimëkëmbjes” së ekosistemeve. “Ta rigjallërojmë natyrën, që e kemi dëmtuar”, do të thotë, para së gjithash, të rigjallërojmë vetveten. Kështu, Papa Françesku në një videomesazh, lexuar në anglisht nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për drejtoreshën ekzekutive të UNEP-it, Programit të Kombeve të Bashkuara për Ambientin, Inger Andersen dhe drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu. Ati i Shenjtë ka parasysh Ditën Botërore të Mjedisit, e cila kremtohet nesër, 5 qershor. Pikërisht në këtë ditë, fillon Dekada e Kombeve të Bashkuara për rimëkëmbjen e ekosistemit.
Kemi pak kohë, mos vazhdoni me shkatërrime
“Kemi pak kohë - thonë shkencëtarët - për të rivendosur ekosistemin”. Prandaj, Papa nënvizon rëndësinë e marrjes së angazhimeve dhjetëvjeçare, që synojnë ta ndryshojnë gjendjen e degradimit aktual të ekosistemeve, të cilat janë shfrytëzuar tepër. “Ka rrezik të kemi përmbytje, uri dhe pasoja të rënda për ne e për brezat e ardhshëm”, vijon Ati i Shenjtë. Për këtë arsye, duhet “të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe për më të ligështit ndërmjet nesh”. S’është as e drejtë e as e mençur të vazhdohet rruga e shkatërrimit të njeriut dhe natyrës, vëren Papa, që kërkon përgjegjësi e ndërgjegjësim.
Të përgjegjshëm për brezat e ardhshëm
Duhet vepruar “urgjentisht” për t’u bërë administratorë gjithnjë e më të përgjegjshëm edhe ndaj brezave të ardhshëm: të gjithë jemi pjesë e “dhuratës së krijimit të Zotit”, siç e kujton Bibla. Pikërisht kjo lidhje e planit të Hyjit me ekologjinë e gjithanshme është filli, që përshkon Mesazhin e Françeskut, në të cilin përmendet disa herë enciklika “Laudato si’”, kushtuar temave të mbrojtjes e të ruajtjes së natyrës e të njeriut.
Kriza sjell veç kriza
Duke parë gjendjen aktuale, vërehet se kriza nuk sjell tjetër veçse krizë, shkatërrim të natyrës, “ashtu si një pandemi globale, që çon drejt vdekjes miliona njerëz”. Papa vë në dukje pasojat e padrejta të sistemeve aktuale ekonomike, si edhe katastrofat e shkaktuara nga kriza klimatike, “me efekte të rënda mbi shoqërinë njerëzore, deri në zhdukjen masive të specieve”. E pastaj, Covid-19 dhe ngrohja globale. Janë të gjitha sinjale, që nxisin për masa urgjente. Ati i Shenjtë uron që Takimi COP26 mbi ndryshimet klimatike, i cili do të mbahet në Galsgow në nëntor, të japë përgjigjet e duhura. Duhet rishikuar modeli i zhvillimit, duke nënvizuar qartë se “degradimi i ekosistemit është rezultat i funksionimit të keq ekonomik”.
Shpresë nga impenjimi i ri
Pavarësisht nga shqetësimet, ka shpresë, vijon videomesazhi për organizmat e OKB-së. Teknologjia mund të drejtohet në brazdën e një përparimi më të shëndetshëm. Gjithashtu, vërehet një impenjim i ri i shteteve, autoriteteve dhe i shoqërisë civile në promovimin e ekologjisë së gjithanshme. Fjalë kyçe, kjo e fundit, e përdorur nga Papa në enciklikën “Laudato si’”, fjalë “shumëpërmasore”, që kërkon “këndvështrim afatgjatë” dhe vë në dukje pazgjidhshmërinë e “shqetësimit për drejtësinë e natyrshme ndaj të varfërve, me impenjimin për shoqërinë e paqen e brendshme”, nënvizon, së fundi, videomesazhi, me të cilin Papa u kërkon të gjithëve përgjegjësi për veten, për të afërmin, për gjithësinë e për Krijuesin e saj.