Kërko

Planeti Tokë Planeti Tokë 

Françesku: Mbrojtja e tokës kërkon angazhim e risi

Papa e thekson shumë shpesh rëndësinë që ka mbrojtja e Planetit, duke kujtuar se jemi “familje njerëzore e ndërvarur” dhe se nuk ka të ardhme, po ta shkatërrojmë ambientin, që na mban gjallë. Na bën mirë t’i kujtojmë fjalët e Papës kushtuar Tokës, gjatë disa Ditëve Botërore.

R. SH. - Vatikan 

193 vende festojnë Ditën e 52-të Botërore të Tokës, themeluar nga Kombet e Bashkuara më 22 Prill, për ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e planetit, promovuar nga  Rrjeti ndërkombëtar i Ojq-ve të Ditës së Tokës, në Uashington. Earth Day Italia, selia italiane, aktivizon njerëz, shoqata dhe realitete të të gjitha llojeve, për ndërgjegjësimin e ri ndaj ambientit dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për mbrojtjen e Tokës. Prej tre vitesh, më 22 prill, organizon një maratonë multimediale, #OnePeopleOnePlanet, (NjëPopullNjëPlanet), që përfshin shkolla e të rinj, ofron dëshmi e gara transmetuese zërash nga mbarë bota. Festa, e organizuar për të dhënë një mesazh të fortë shprese, përfshin edhe Mediat e Vatikanit, Departamentin e  Komunikimit, Rai, Ansa, Radio Italia dhe shumë partnerë të tjerë

Shiheni botën me sytë e Zotit

Papa Françesku ka folur disa herë për Ditën e Tokës. Në vitin 2015, në fund të audiencës së përgjithshme më 22 prill, i nxiti “të gjithë ta shikojnë botën me sytë e Zotit Krijues" duke shtuar edhe se "toka është mjedisi që duhet mbrojtur; kopshti, që duhet punuar”. Kujtoi edhe se: “Marrëdhënia e njeriut me natyrën nuk duhet të udhëhiqet nga lakmia, manipulimi, shfrytëzimi, por duhet të ruajë harmoninë hyjnore ndërmjet krijesave dhe krijimit përmes logjikës së respektit dhe të kujdesit, për ta vënë atë në shërbim të vëllezërve, madje edhe të brezave të ardhshëm”.

Françesku në "Fshatin për Tokën"

Një vit më pas, më 24 prill, Françesku shkoi papritmas në "Fshatin për Tokën", ngritur në Romë, në Villa Borghese, nga Earth Day Italia dhe Lëvizja e Fokolarëve. Në fjalën e tij Papa vlerësoi ata që punojnë për shndërrimin e shkretëtirave në pyje, për të çuar shpresë, atje ku ka lot: “Shkretëtira është e shëmtuar, si ajo që është në zemrën e të gjithëve, ashtu edhe ajo që është në qytet, në periferi - tha Papa - duke saktësuar se nuk duhet të kesh frikë të shkosh në shkretëtirë, kur mendon ta kthesh në  pyll të blertë; ku lulëzon jeta, thahen shumë lot e vendin e tyre e zënë buzëqeshjet”.

Më pas Françesku theksoi rëndësinë e faljes: keqardhja, pakënaqësia - përsëriti ai - na ndan. Duhet të ndërtojmë gjithmonë me vetëdijen se të gjithë kemi diçka për të falur, se duhet të punojmë të gjithë bashkë, të respektojmë njëri-tjetrin, që kështu ta shohim “mrekullinë” para syve tanë. Të shohim si bëhet shkretëtira pyll.  Më 22 Prill 2020, në kulmin e pandemisë, duke folur nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa ia kushtoi të gjithë katekizmin e audiencës së përgjithshme Ditës së 50-të Botërore të Tokës.

Papa: të krijohet lëvizja “nga poshtë” për tokën

Duhet të ndërgjegjësohemi - pati kujtuar e kujton - për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, që u ndot e u plaçkit, duke krijuar një lëvizje “nga poshtë”. Pikërisht pandemia tragjike e Covid-19 po tregon qartë se vetëm të bashkuar, e duke marrë mbi vete fatin e të ligshtëve, “mund t’i fitojmë sfidat globale”. Ky është horizonti, që hapi Papa Françesku në atë audiencë. Kërkoi “një kthesë ekologjike”, si dhe “një plan të përbashkët” për të shmangur dëmtimin  e mëtejshëm të tokës,  duke pasur kujdes edhe për krijesat e tjera  e duke ushqyer dashurinë e mëshirën për të tjerët. Me   ndërprerjen e shkurtër të ciklit kushtuar Lumnive, Papa e përqendroi, reflektimin mbi mbrojtjen e gjithësisë, me rastin e 50-vjetorit të Ditës Botërore të Tokës, kushtuar pikërisht Atit të Shenjtë, në pesëvjetorin e enciklikës “Bekuar qofsh”, kremtuar  në Itali, për shkak të coronavirusit, me “maratonën mulitimediale” të drejtpërdrejtë prej 12 orësh, nisur në orën 08.00 të mëngjesit, me të ftuar e me lidhje ndërkombëtare.

Toka nuk është depo pasurish, siç mund të mendojë ndokush, ndërsa për ne, besimtarët, bota natyrore është “Ungjilli i Krijimit”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Kjo është “mënyra e re” me të cilën duhet shikuar krijimi, gjithësia! Jemi e vetmja familje njerëzore e ndërvarur, e bërë nga materia tokësore, me frymën jetike që vjen nga vetë Zoti, e prej këndej, jemi të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, të ngjashëm me Të. Por, për shkak të egoizmit, u ngarkuam me përgjegjësinë e “rojtarëve” të tokës, duke vënë në rrezik vetë jetën tonë.

Pandemia na mëson se duhet të veprojmë së bashku

Papa i vlerësoi sinqerisht “lëvizjet e ndryshme ndërkombëtare e lokale, që u formuan për të zgjuar ndërgjegjet përgjumura”. Do të jetë ende e nevojshme - shtoi - që bijtë tanë të dalin në rrugë, për të na mësuar çka është e drejtë e çka nuk është. Domethënë, se nuk mund të ketë të ardhme për ne, “nëse vijojmë ta shkatërrojmë ambientin, që na mban gjallë”. Më pas, inkurajimi drejtuar të gjithë atyre, që mund të japin një kontribut sado të vogël:

“Duke kremtuar sot Ditën Botërore të Tokës, jemi të thirrur të rigjejmë  kuptimin e respektit të shenjtë ndaj tokës, sepse ajo nuk është vetëm shtëpia jonë, por edhe shtëpia e Zotit. Që këtu lind në shpirtin tonë vetëdija se shkelim mbi një tokë të shenjtë”.

Zoti, para krijimit, pa se ishte gjë e mirë, por përballë “këtyre tragjedive natyrore, që janë përgjigjja e tokës ndaj keqtrajtimit tonë, nuk besoj që vijon të thotë se është gjë shumë e mirë” - nënvizoi Papa, duke kujtuar  se jemi ne, që e shkatërruam veprën e duarve të Zotit.

Kujtoi, në vijim, edhe një fjalë të urtë spanjolle, që thotë kështu: “Zoti fal gjithnjë; ne, njerëzit, herë falim e herë nuk falim; po Toka nuk të fal kurrë”. Po ta rrenojmë - vërejti Françesku - përgjigjja që do të na japë, do të jetë tejet e keqe!

“Nuk ka të ardhme për ne, nëse shkatërrojmë mjedisin që na mbështet”, na kujton Françesku. Pandemia na mëson se duhet të veprojmë së bashku.

20 prill 2022, 15:37