Kërko

Bahrein, Papa ipeshkvijve e meshtarëve: përhapeni gëzimin e Ungjillit

Dita e fundit e Papës në vendin e Lindjes së Mesme hapet me një takim lutjeje, pasuar nga Engjëlli i Tënzot, në praninë e atyre, që ia kanë kushtuar jetën Zotit. Françesku i nxiti t’i lënë dhuratat e Shpirtit Shenjt të gurgullojnë, pasi Ai është gurra e gëzimit, e bashkimit dhe e profecisë. U kërkoi edhe të luten për paqen e qëndrueshme në Etiopi dhe në Ukrainën e martirizuar

R.SH. – Vatikan

Një bashkësi e krishterë me frymë “katolike”, pra, universale, sepse përbëhet nga njerëz që vijnë nga rajone të ndryshme të botës, por dëshmojnë së bashku fenë e vetme në Krishtin. Takimi i lutjes së Papës Françesku me ipeshkvijtë, meshtarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë në kishën e Zemrës së Krishtit në Manama, kryeqyteti i Bahreinit, ishte një kuadër shumëngjyrësh, i pasur me fytyra të ndryshme. Të gjitha i përkasin Vikariatit Apostolik të Arabisë Veriore, ku shërbejnë rreth 60 meshtarë dhe mbi 1300 katekistë, në një bashkësi prej rreth 2 milionë katolikësh, që banojnë në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe në Arabinë Saudite.

Paqe për Etiopinë dhe Ukrainën

Në fjalët e Papës për bashkësinë e krishterë, kumboi kërkesa për paqen, sidomos për dy vende të botës:

“Gjatë këtyrë muajve, jemi lutur shumë për paqen. Në këtë kuadër, sjell shpresë marrëveshja e nënshkruar për gjendjen në Etiopi. I inkurajoj të gjithë ta mbështesin këtë impenjim për paqen e qëndrueshme, që, me ndihmën e Zotit, të vazhdojmë të ecim në rrugën e dialogut dhe populli të gjejë së shpejti jetën e qetë dhe dinjitoze. Gjithashtu, nuk dua të harroj të lutem e t'ju them edhe juve të luteni për Ukrainën e martirizuar, që ajo luftë të marrë fund”.

Dëshmia e motrës Rose Celine.
Dëshmia e motrës Rose Celine.

Një kishë emigrantësh në shkretëtirë

Takimit dhe Engjëllit të Tënzot me ata, që ia kanë kushtuar jetën Hyjit u paraprinë fjalët e mirëseardhjes së administratorit apostolik të Vikariatit të Arabisë Veriore, imzot Paul Hinder: ata që ndodheshin në kishë, në Manama, e para e ndërtuar në brigjet e Gjirit Persik, janë “përfaqësues të një Kishe migrante”, nënvizoi ai. Fjalët e mëpasme të Papës u ndërthurën me vështrimet e njerëzve të dashuruar pas Ungjillit, që shërbejnë në gjendje të vështira, pikërisht ndërmjet emigrantëve, ose edhe ndërmjet të burgosurve. Papa dëgjoi dy dëshmi në këtë drejtim, të një gruaje, që punon me emigrantët dhe, të një murgeshe, që punon me të burgosurat. E Ati i Shenjtë komentoi:

“Është bukur t’i përkasësh një Kishe të përbërë nga histori dhe fytyra të ndryshme, që e gjejnë harmoninë në fytyrën e Jezu Krishtit. Kjo shumëllojshmëri - e kam vërejtur këto ditë - është pasqyra e këtij vendi, e njerëzve që e popullojnë, por edhe e peizazhit, që e karakterizon, i cili, megjithëse dominohet nga shkretëtira, ka një pasuri të madhe e të larmishme bimësh dhe qeniesh të gjalla”.

Uji i freskët i Shpirtit Shenjt

Papa komentoi Ungjillin e marrë nga kreu 7 sipas Gjonit, ku flitet për ujin e gjallë, që rrjedh nga Krishti për besimtarët. Bëri paralelizmin me shkretëtirën e Bahreinit, që është e pasur me burime të nëndheshme me ujë të ëmbël, të cilat e ujisin tokën. Kështu është edhe jeta, nënvizoi Françesku, pavarësisht nga vështirësitë e sipërfaqes, në thellësitë e zemrës, uji i ëmbël i Shpirtit Shenjt rrjedh i qetë dhe i heshtur, duke e vaditur çdo shkretëtirë të jetës e duke i kthyer energjitë gjithçkaje, që ka rrezik të thahet. Është uji, që buron nga brinja e Jezu Krishtit, në orën kur Ai vdes në kryq, duke na liruar nga mëkati e nga vdekja.

“Kisha lind atje, lind nga kraharori i hapur i Krishtit, nga një banjë rigjenerimi në Shpirtin Shenjt. Nuk jemi të krishterë për meritat tona, ose thjesht pse i përmbahemi një besimi të caktuar, por sepse në Pagëzim na është dhuruar uji i gjallë i Shpirtit, i cili na kthen në bij të dashur të Zotit dhe vëllezër ndërmjet nesh, duke na bërë krijesa të reja. Gjithçka buron nga hiri - gjithçka është hir! - çdo gjë vjen nga Shpirti Shenjt”.

Takimi në kishën e Zemrës së Krishtit, Manama, Bahrein
Takimi në kishën e Zemrës së Krishtit, Manama, Bahrein

Shpirti Shenjt është gëzim

Papa u ndal në “tri dhurata të mëdha të Shpirtit Shenjt”: gëzimi, bashkimi dhe profecia. Shpirti është burimi i gëzimit, vërejti ai, është siguria se nuk jemi kurrë vetëm në jetë, pasi na ngushëllon me praninë e Tij, na shoqëron me dashuri e na mbështet në vështirësi, duke inkurajuar relizimin e ëndrrave tona më të bukura.

“Ju, që e keni zbuluar këtë gëzim dhe e jetoni në bashkësi – u tha Papa ipeshkvijve, meshtarëve e rregulltarëve të Vikariatit të Arabisë Veriore – dua t’ju them: ruajeni, madje, shumëfishojeni. A e dini cila është metoda më e mirë për ta bërë këtë? Dhurojeni. Po, kështu është: gëzimi i krishterë është ngjitës, sepse Ungjilli e bën njeriun të dalë nga vetvetja për të komunikuar bukurinë e dashurisë së Zotit, prandaj është thelbësore që në bashkësitë e krishtera gëzimi të mos pakësohet dhe të ndahet me të tjerët; që të mos kufizohemi në përsëritjen e gjesteve sipas zakonit, pa entuziazëm, pa krijimtari. Përndryshe, do të humbisnim besimin dhe do të bëheshim bashkësi e mërzitshme… kjo është e shëmtuar! Ka rëndësi që përveç liturgjisë, përveç kremtimit të meshës, burim e kulm i jetës së krishterë, ta përhapim gëzimin e Ungjillit përmes një veprimtarie të gjallë baritore, veçanërisht për të rinjtë, për familjet dhe për thirrjet në jetën meshtarake e rregulltare. Gëzimi i krishterë nuk mund të mbahet për vete dhe kur e vëmë në qarkullim, shumëfishohet”.

Shpirti Shenjt është burim i bashkimit

Më tej, Papa theksoi se “Shpirti Shenjt është burimi i bashkimit” në Kishë. “Ata që e pranojnë, marrin dashuri nga Ati Qiellor dhe bëhen bijtë e tij”. Siç bën shpesh, Françesku i paralajmëroi besimtarët arabë të mos nxisin ndarjet e grindjet, të mos bëjnë thashetheme e të mos shpifin, të mos bien në ndarjet e botës si dallimet etnike, kulturore dhe rituale, të mos e kompromentojnë unitetin e Shpirtit Shenjt.

“Flaka e tij – nënvizoi Papa – i djeg dëshirat e kësaj bote dhe e shndrit jetën me atë dashuri mikpritëse dhe të dhembshur, me të cilën na do Jezu Krishti, në mënyrë që edhe ne ta duam njëri-tjetrin ashtu. Prandaj, kur Shpirti i të Ngjallurit zbret mbi dishepujt, bëhet burim i bashkimit dhe i vëllazërimit kundër çdo lloj egoizmi; përuron gjuhën e vetme të dashurisë, që gjuhët e ndryshme njerëzore të mos mbeten të largëta dhe të pakuptueshme; thyen barrierat e mosbesimit dhe të urrejtjes, për të krijuar hapësira mikpritëse e dialogu; çliron nga frika dhe ngjall guximin për të dalë në takim me të tjerët, me forcën e çarmatosur dhe çarmatosëse të mëshirës”.

Takimi në kishën e Zemrës së Krishtit, Manama, Bahrein
Takimi në kishën e Zemrës së Krishtit, Manama, Bahrein

Shpirti Shenjt është burim profecie

Papa e ftoi klerin të jetojë në vëllazërim, i cili rrjedh nga bashkimi. Vetëm kështu dialogu ndërmjet të krishterëve do të jetë i besueshëm, duke vlerësuar karizmën e secilit. Gjithashtu, dëshmia e tyre do të jetë më e vlefshme për shoqërinë, pasi “Shpirti Shenjt është burim i profecisë” për të ardhmen, ashtu siç ndodhi dikur me profetët biblikë.

“Edhe ne e kemi këtë thirrje profetike: të gjithë të pagëzuarit e kanë marrë Shpirtin Shenjt dhe të gjithë janë profetë. E si të tillë, nuk mund të bëjmë sikur nuk i shohim veprat e së keqes, nuk mund të zgjedhim një ‘jetë të qetë’, që nuk na i ndot duart. Herët a vonë, i krishteri duhet t'i ndyejë duart për ta jetuar jetën si i krishterë dhe për të dhënë dëshminë e tij. Kemi marrë në zemër një Shpirt profecie për ta nxjerrë në dritë Ungjillin me dëshminë e jetës”.

Fjalët e fundit të Papës Françesku në Bahrein, para se të nisej për në Vatikan, rreth orës 11.00 evropiane, ishin falënderime për organizatorët e udhëtimit e sidomos, për mikpritjen e mbretit të Bahreinit dhe të autoriteteve të vendit.

06 nëntor 2022, 10:36

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >