Kërko

Papa: sot, luhet me raketa e bomba, por kush beson në Zotin i thotë “jo” luftës blasfeme

Në Pallatin Mbretëror Sakhir të Awali-t, Papa Françesku mbylli Forumin për Dialogun me krerët e feve të ndryshme. Ftoi të veprohet bashkërisht për t’i zhdukur ndarjet: “Rrugëtimi i feve të mëdha qoftë ndërgjegjja e paqes për botën. Për t’iu kundërvënë ‘tregut të vdekjes’, të izolohen të dhunshmit, që abuzojnë me emrin e Zotit dhe të ndërpritet mbështetja për lëvizjet terroriste”. Bëri edhe një herë thirrje “për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të filluar bisedime serioze për paqen

R.SH. – Vatikan

Zjarr, raketa, bomba, armë, lot, vdekje, hi, urrejtje. Pas dy “Luftërave të tmerrshme Botërore” dhe një Lufte të Ftohtë, që për dekada “e mbajti botën pezull”, sot, përhapen ende kudo konflikte “katastrofike” dhe bota është përsëri “në prag të humnerës, në një ekuilibër të brishtë”. Atëherë, fetë duhet të veprojnë, të bashkohen, të takohen në emër të atij Zoti, që është “paqe” dhe “të dënojnë e të izolojnë të dhunshmit, që abuzojnë me emrin e tij”, duke e ndërprerë mbështetjen për lëvizjet terroriste e furnizimin e tyre me para, armë e mbulim mediatik.

Në ditën e dytë të shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Bahrein, nga sheshi Al-Fida’ i Pallatit Mbretëror Sakhir në Awali, zëri i Atit të Shenjtë u lartua deri në qiell, në thirrjen e zjarrtë “për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të filluar bisedime serioze për paqen”.

“Në kopshtin e njerëzimit, në vend që të kujdesemi për gjithçka, luhet me zjarrin, me raketat dhe bombat, me armët, që shkaktojnë lot e vdekje, duke e mbuluar shtëpinë e përbashkët me hi dhe urrejtje”.

Autoritete fetare nga e gjithë bota

Papa e bëri këtë thirrje solemne në përfundim të “Forumit të Bahreinit për Dialogun: Lindja dhe Perëndimi për Bashkëjetesën Njerëzore”, organizuar nga mbreti Hamad bin Isa Al Khalifa, arsyeja kryesore e vizitës së Françeskut në Bahrein, nga 3 deri më 6 nëntor. Në oborrin e pallatit mbretëror, Papa ujiti një palmë, që simbolizon paqen e është kujtim i vizitës së tij në vend. I pranishëm, ndër autoritetet nga e gjithë bota, “vëllai i dashur” Al-Tayyeb, Imami i madh i Al-Azharit, të cilin Françesku e takon sot pasdite privatisht, për të gjashtën herë. Aty ishte edhe “vëllai tjetër i dashur”, Bartolomeu, Patriku ekumenik i Kostandinopojës, që e nderon dhe e ka mik Jorge Mario Bergoglio-n.

Paradoksi i botës së sotme

Forumi u hap dje, duke ripohuar vullnetin dhe nevojën për të ndërtuar ura dialogu ndërmjet feve, kulturave dhe mediave. Sot, në fjalën e tij, Papa kërkoi zgjidhje paqësore për krizën globale, në themel të së cilës – nënvizoi ai – qëndron një “paradoks”:

“Ndërsa shumica e popullsisë së botës bashkohet nga të njëjtat vështirësi, e goditur nga kriza serioze ushqimore, ekologjike dhe pandemike, si edhe nga padrejtësia planetare gjithnjë e më shkandulluese, disa pushtetarë përqendrohen në luftën e vendosur për interesa të pjesshme, duke zhvarrosur gjuhë të vjetruara, duke përvijuar sërish zona ndikimi dhe blloqe kundërshtare”.

Takim, jo konflikt ndërmjet Lindjes e Perëndimit

Duke përdorur emrin e Bahreinit, që në arabisht do të thotë “ndërmet dy deteve”, njëri me ujë të ëmbël e tjetri të kripur, Ati i Shenjtë denoncoi se njerëzimi është i përçarë. Lindja dhe Perëndimi ngjajnë me dy dete të kundërta: njëri i ëmbël e i qetë, ai i bashkëjetesës paqësore e, tjetri i hidhur, ai i indiferencës e i luftës. Por ne, iu drejtua Françesku pjesëmarrësve të Forumit, jemi këtu për të lundruar në të njëjtin det, për t’u takuar e jo për t’i bërë luftë njëri-tjetrit, duke u interesuar për kulturën e secilit e duke punuar së bashku, sidomos për t’ua ndryshuar fatin të varfërve të kësaj toke. Ati i Shenjtë përmendi Dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar më 2019 në Abu Dabi, për t’u kërkuar feve të mos izolohen, por edhe për të përvijuar objektiva konkrete. I pari është që “mosmarrëveshjet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit të zgjidhen për të mirën e të gjithëve, pa e shkëputur vëmendjen nga një hendek tjetër në thellim të vazhdueshëm e dramatik, ai ndërmjet Veriut dhe Jugut të botës”.

“Shfaqja e konflikteve mos të na bëjë të harrojmë tragjeditë e tjera të njerëzimit, siç është katastrofa e pabarazive, si pasojë e së cilës shumica e njerëzve, që popullojnë Tokën, përjetojnë padrejtësi të papara; siç është murtaja e turpshme e urisë dhe fatkeqësia e ndryshimeve klimatike, shenjë e mungesës së kujdesit për shtëpinë e përbashkët”.

Ujitja e pemës, Papa dhe mbreti i Bahreinit
Ujitja e pemës, Papa dhe mbreti i Bahreinit

Liria fetare “e domosdoshme”

 Papa i ftoi të gjithë në lutje, për t’u çliruar nga egoizmi, për të fituar paqen e zemrës, në mënyrë që ta dëshmojnë atë më pas në jetën konkrete. Vetëm kështu, të tjerët, që e shohin shembullin e tyre, “nuk do të bëhen pengje të një paganizmi, që e redukton njeriun në mallin që shet e blen, ose në mjetet, me të cilat argëtohet”. Secili prej nesh, nënvizoi Françesku, ka një dinjitet pa fund, dhënë nga Ati Qiellor. Ja pse, bëhet e rëndësishme liria fetare, për të cilën, ashtu si edhe dje, Papa kërkoi të mos kufizohet vetëm në lirinë e kultit.

Gratë, fëmijët, qytetaria: tri sfidat edukative

Sfida e dytë, që përmendi Ati i Shenjtë, ishte edukimi, pasi aty ku ai mungon, shtohen fundamentalizmat. Arsimi, nënvizoi ai, nuk duhet të jetë tejet i rreptë, i përbërë vetëm nga rregulla e norma të ngurta, por duhet të pasqyrojë ndryshimet e vazhdueshme kulturore, t’u japë të drejta e mundësi të gjithëve e jo vetëm disave. Papa vuri në dukje tri urgjenca edukative: njohja e të drejtave të grave; mbrojtja e fëmijëve, që të arsimohen, të mos jetojnë në uri e në dhunë; si edhe edukimi për të qenë qytetarë të mirë, duke respektuar ligjin e bashkëjetesën.

“Duhet të impenjohemi për këtë, - theksoi Françesku - në mënyrë që të përcaktohet mirë koncepti i qytetarisë së plotë në shoqëritë tona dhe, të heqim dorë nga përdorimi diskriminues i termit ‘pakicë’, i cili mbart farën e izolimit dhe të inferioritetit”.

Papa në Forumin e Bahreinit
Papa në Forumin e Bahreinit

Të izolohen të dhunshmit, që abuzojnë me emrin e Zotit

 Objektivi i tretë, që përvijoi Papa, ishte dënimi i dhunës dhe i atyre, që abuzojnë me emrin e Zotit. Françesku e quajti luftën “blasfemi” dhe i nxiti përfaqësuesit e feve të mos thonë thjesht se “feja është paqësore, por të dënojnë e t’i izolojnë të dhunshmit… E s’mjafton as të distancohemi nga intoleranca dhe ekstremizmi, duhet të veprojmë për t’iu kundërvënë”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

“Është e nevojshme të ndërpritet përkrahja e lëvizjeve terroriste, përmes furnizimit me para, armë, plane apo justifikime, madje edhe mbulimi i tyre mediatik, duke i konsideruar këto si krime ndërkombëtare, që kërcënojnë sigurinë dhe paqen botërore. Duhet dënuar një terrorizëm i tillë në të gjitha format dhe manifestimet e tij”.

T’i kundërvihemi luftës dhe riarmatimit

 “Njeriu i fesë, njeriu i paqes, i kundërvihet edhe garës së riarmatimit, biznesit të luftës, tregut të vdekjes”, pohoi Papa Françesku, “nuk mbështet aleanca kundër dikujt, por mënyra për t’i takuar të gjithë: pa u dorëzuar para relativizmave apo sinkretizmave të çdo lloji, ai ndjek vetëm një rrugë, atë të vëllazërimit, të dialogut e të paqes”.

Ati i Shenjtë i ftoi krerët e feve të mbajnë lidhje më të forta, “pa dyfytyrësi dhe pa frikë”. Si vëllezër, si motra! Para pushtetarëve të paskrupullt, njerëzit e fesë duhet të dëshmojnë një mënyrë tjetër takimi, pasi “forca, armët dhe paratë nuk do ta ngjyrosin kurrë të ardhmen me paqe”.

“Udhëtimi i feve të mëdha qoftë më i frytshëm dhe i vazhdueshëm, qoftë ndërgjegjja e paqes për botën!”

Papa në Librin e Nderit
Papa në Librin e Nderit

Nënshkrimi i Librit të Nderit

Në fund të Forumit për dialogun, Papa nënshkroi Librin e Nderit:

“Nga Mbretëria e Bahreinit, toka e dy deteve, i lutem të Tejetlartit që, nga deti i trazuar i konflikteve, njerëzimi të arrijë në detin paqësor të bashkëjetesës, duke ndjekur rrugën e takimit dhe duke rizbuluar busullën e vëllazërimit. Faleminderit për shembullin tuaj!”.

04 nëntor 2022, 10:33