Kërko

Izraeli vazhdon sulmet mbi Rripin e Gazës Izraeli vazhdon sulmet mbi Rripin e Gazës  (ANSA)

Papa: armëpushimi i ndërprerë në Gaza do të thotë vdekje, urgjent armëpushim i ri

Pas lutjes së Engjëllit, Papa shprehu dhimbje për situatën "shumë të rëndë" në Tokën Shenjte, veçanërisht për ndërprerjen e armëpushimit: "Kjo do të thotë vdekje, shkatërrim, mjerim". Françesku kërkon që palët e përfshira "të gjejnë zgjidhje të tjera larg armëve" dhe "të ndjekin shtigje të guximshme drejt paqes". Më pas shpreh afërsinë e tij me familjet e viktimave të sulmit të sotëm në Filipine, ku shpërtheu një bombë gjatë meshës.

R. SH. - Vatikan

"Vdekje, shkatërrim, mjerim". Për Papën, këtë nënkupton prishja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe rifillimi i luftimeve, të cilat sipas informacioneve të autoriteteve në Rrip, vranë 700 qytetarë palestinezë në njëzet e katër orë. Pas kremtimit të Engjëllit, sërish nga Shtëpia e Shën Martës për shkak të bronkitit infektiv që e ka prekur prej më shumë se një jave, Papa - edhe pse nuk e lexoi vetë thirrjen pas lutjes mariane - shprehu dhimbjen e tij të thellë për Lindjen e Mesme, ku "Situata është rëndë", por edhe shpresën për rivendosjen e menjëhershme të marrëveshjes së armëpushimit:

“Të trishton fakti që armëpushimi u prish, gjë që do të thotë vdekje, shkatërrim dhe mjerim”.

Mendimi për pengjet, shpresa për një marrëveshje të re

Më pas Françesku kujtoi pengjet, ende në duart e Hamasit pas 7 tetorit dramatik. Shumë janë liruar, por shumë janë ende në Gaza. “Le të mendojmë për ata dhe familjet e tyre që panë një dritë, një shpresë për të përqafuar sërish të dashurit e tyre”, kujton Papa.

Vështrimi i Atit të Shenjtë më pas kaloi në Gaza ku, nënvizoi, "ka shumë vuajtje, ka mungesë të nevojave elementare". Përveç ushqimit dhe ujit, gjithnjë e më shumë mungojnë pajisjet e nevojshme për emergjencat ushtarake. Një anije e marinës me dhoma operacioni dhe klinika në bord për të trajtuar të plagosurit u nis sot për në Egjipt. Situata, megjithatë, po keqësohet orë pas ore.

Prandaj Papa bëri thirrje:

“Uroj që të gjithë të përfshirët të arrijnë një marrëveshje të re armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur dhe të gjejnë zgjidhje të tjera pa armë, duke u përpjekur të ndjekin rrugët e guximshme të paqes”.

Izraeli pati rënë dakord, të enjten e kaluar, për të zgjatur armëpushimin në Rripin e Gazës për të tetën ditë, në një marrëveshje që synonte lirimin e dhjetë pengjeve të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë. Ndërkohë që SHBA, Egjipti dhe Katari ishin të zënë në Doha duke u përpjekur për të rënë dakord për një zgjatje të mëtejshme, Forcat e Armatosura izraelite njoftuan se kishin nisur sulmet ajrore kundër vendeve në territorin palestinez, pa dhënë detaje të mëtejshme. Në pamjet e transmetuara nga stacioni televiziv pan-arab "al Jazeera" duken kolona tymi gri që ngrihen nga zonat e populluara të Gazës, shoqëruar nga zhurma e bombardimeve dhe përleshjeve me zjarr.

Pranë familjeve të viktimave të Mindanao

Me të njëjtin shqetësim, Françesku siguron lutjet e tij për viktimat e sulmit që ndodhi sot, në mëngjes në Filipine, në shtetin Mindanao, në Marawi,   zonë në jug të vendit, ku një bombë shpërtheu në palestrën e një universiteti ndërsa po kremtohej mesha. Papa u shprehu afërsinë  familjeve të të vdekurve - katër, duke përfshirë tre gra - dhe me mbi 40 të plagosur, si dhe banorëve të Mindanaos, qytet-skenë e një beteje në të kaluarën ndërmjet forcave qeveritare dhe militantëve të lidhur me Shteti Islamik. Papa u shpreh afërsinë:

“Jam pranë familjeve, me banorët e Mindanaos që tashmë kanë vuajtur kaq shumë”.

03 dhjetor 2023, 13:20