Kërko

Papa: fetë të japin shembull të mirë duke punuar së bashku për paqen dhe klimën

"Na e kërkojnë këtë, në veçanti, të vegjlit dhe të varfërit": këtë thekson Françesku në videomesazhin e projektuar në Dubai për inaugurimin e Pavijonit të Fesë, hapësirë bashkëveprimi për rreth njëqind organizata, liderë fetarë dhe politikë e shkencëtarë, për të nxitur veprimtarinë mbi klimën. Është urgjente që fetë, pa rënë në “kurthin e sinkretizmit”, të krijojnë aleanca “jo për interesat e tyre, as të një partie, por për interesat e botës sonë”.

R. SH. - Vatikan

Krijoni aleanca për të mirën e përbashkët. Ky, thelbi i videomesazhit që Françesku i dërgon Dubait duke shprehur keqardhjen e tij që nuk ishte i pranishëm në Cop28 dhe duke i besuar sërish Sekretarit të Shtetit, të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, fjalën e përgatitur për inaugurimin e "Faith Pavillon", Pavijonin e Fesë, duke nënvizuar rëndësinë e tij, pasi kjo është hera e parë që një pavijon fetar krijohet në kuadër të një konference të OKB-së për ndryshimet klimatike.

Bota ka nevojë për aleanca në interes të të gjithëve

“Fakti që Cop28, në zhvillim ndër Emiratet e Bashkuara Arabe, mirëpret një Pavijon Feje, është shenjë e dëshirës për të dëshmuar se mund të krijohen aleanca fitimprurëse për interesin e përbashkët. Ndër këto, “më të rëndësishmet sot, paqja dhe klima”- nënvizon Papa.

Sot bota ka nevojë për aleanca që nuk janë kundër askujt, por për të gjithë. Është urgjente që fetë, pa rënë në grackën e sinkretizmit, të japin  shembull të mirë duke punuar së bashku: jo për interesat e tyre apo të një partie, por për interesat e mbarë botës sonë.

Të japim shembull, na e kërkojnë të varfërit

Për të ardhmen veçanërisht të njerëzve më të ligshtë, por edhe të ardhmen e të gjithëve, Papa nxit të ruajmë krijimin dhe të mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët. “Të jetojmë në paqe dhe t’i shëbejmë paqes”, fton Françesku:

“Të japim shembull, si përfaqësues fetarë, për të treguar se ndryshimi është i mundur, për të dëshmuar për një mënyrë jetese të respektueshme dhe të qëndrueshme e t’u kërkojmë me zë të lartë udhëheqësve të kombeve që të ruhet shtëpia e përbashkët. Këtë na e kërkojnë veçanërisht të vegjlit dhe të varfërit, lutjet e të cilëve arrijnë deri tek froni i Tejetlartit”.

Pavijoni i Fesë, shenjë sinergjie për klimën

Pavijoni i parë i Fesë është një hapësirë e krijuar për të qenë pika qendrore për promovimin e bashkëpunimit dhe angazhimit kuptimplotë ndërfetar, me synimin për të shpjetuar veprimin efektiv dhe ambicioz të klimës. Do krijojë edhe mundësi për dialog me përfaqësuesit fetarë dhe indigjenë, me shkencëtarët, të rinjtë dhe liderët politikë për të përshpejtuar veprimet klimatike e do të presë mbi 60 sesione, duke përfaqësuar mbi 100 organizata.

03 dhjetor 2023, 11:04