Kërko

Papa Françesku - Takimi i Këshillit të Kardinajve – C9 Papa Françesku - Takimi i Këshillit të Kardinajve – C9 

Papa kryeson takimin C9: ndërmjet temave, përmasa femërore e Kishës

Këshilli i Kardinajve u mblodh sot për seancën e fundit të vitit 2023. Françesku, më 30 nëntorin e kaluar, pati caktuar një nga temat në qendër të reflektimit, duke takuar Komisionin Teologjik Ndërkombëtar.

R. SH. - Vatikan

Nisi sot, në Vatikan, me praninë e Françeskut, Mbledhja e Këshillit të Kardinajve. Siç pohoi Papa më 30 nëntorin e kaluar në mbledhjen e Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, gjatë takimit do të ketë edhe "një reflektim mbi përmasën femërore të Kishës".

"Të shmashkullarizohet Kisha"

“Kisha është femër” - pohon Françesku, duke shpjeguar: “Një nga mëkatet e mëdha, që kemi pasur është ta ‘mashkullosh’ Kishën”. Problemi, megjithatë - shton - nuk mund të zgjidhet përmes rrugës ministrore, por "përmes rrugës mistike, përmes rrugës reale". Duke propozuar dallimin baltasarian ndërmjet parimit Pjetrin e Marian, sipas të cilit "Mariani është më i rëndësishëm se Pjetrini, sepse atje është Kisha si nuse, Kisha si grua", Papa përsëriti, për këtë arsye, nevojën për "demaskulizimin e Kishës".

Takimi i qershorit

Takimi i fundit i C9 ishte ai ndërmjet 26 dhe 27 qershorit, gjatë të cilit kardinajtë reflektuan së bashku me Papën për çështje të ndryshme, duke përfshirë konfliktin e Ukrainës në vijim, zbatimin e Kushtetutës Apostolike Praedicate Evangelium në Kishat lokale dhe punën e Plenare të Komisionit për Mbrojtjen e të Miturve. Në qendër, edhe një diskutim mbi Asamblenë Sinodale me temën e sinodalitetit, zhvilluar në Vatikan në tetor.

C9 i ri

Këshilli i Kardinajve, pas risimit të organizmit nga Papa, më 7 mars, përbëhet nga kardinajtë Pietro Parolin, sekretar i Shtetit; Fernando Vérgez Alzaga, president i Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit; Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës; Oswald Gracias, Kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley, Kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, kryepeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, kryeipeshkëv San Salvador de Bahia. Sekretari është Imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Krezmimit. Takimi i parë i C9-së së re u mbajt më 24 prill.

Krijimi i Këshillit të Kardinajve

Këshilli i Kardinajve u krijua nga Papa Françesku me kirografin e 28 shtatorit 2013, me detyrën për ta ndihmuar në qeverisjen e Kishës universale dhe për të studiuar projektin për rishikimin e Kuries Romake, kjo e fundit e zbatuar me Kushtetutën e re Apostolike Praedicate Evangelium, botuar më 19 mars 2022. Takimi i parë i C9 u zhvillua më 1 tetor 2013.

04 dhjetor 2023, 13:51