Françesku: ta presim Jezusin pa ankime a hutime të kota
R.SH. / Vatikan
Si masë paraprake për shëndetin e tij, i cili megjithatë është duke u përmirësuar, Papa Françesku e kryesoi edhe sot lutjen e Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje të Parë të Kohës së Ardhjes nga Shtëpia e Shën Martës e jo nga dritarja e Pallatit Apostolik.
Thirrje për vigjilencë
Sot, e diela e parë të Ardhjes, në Ungjillin e shkurtër nga Marku që na ofron liturgjia (shih Mk 13,33-37), Jezusi na drejton tri herë një këshillë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë: "Rrini zgjuar!” (v. 33, 35, 37).
Tema e sotme është vëmendja e kujdesi madh, pra, vigjilenca. Po si duhet ta kuptojmë? Ndonjëherë ne e mendojmë këtë virtyt si sjellje që nxitet nga frika e ndëshkimit të menjëhershëm, si të na binte ndonjë meteorit nga qielli dhe të na kërcënonte, nëse nuk i shmangemi në kohë. Por sigurisht që nuk është ky kuptimi i vigjilencës së krishterë!
Kuptimi i pritjes, shpjeguar me një shëmbëlltyrë
Jezusi e shpjegon këtë me një shëmbëlltyrë, duke folur për një zotëri që do të kthehet nga udha dhe për shërbëtorët e tij, që e presin (shih v. 34). Shërbëtori në Bibël është "personi i besuar" i zotërisë, me të cilin shpesh ka marrëdhënie bashkëpunimi dhe dashurie. Le të mendojmë, për shembull, se Moisiu quhet shërbëtor i Hyjit (shih Nm 12,7) dhe se edhe Maria e quan ashtu vetveten: "Ja, shërbëtorja e Zotit" (Lk 1,38). Atëherë vigjilenca e shërbëtorëve nuk buron nga frika, por nga dëshira, në pritje të takimit me të zotin e tyre, që vjen. Ata janë gati për kthimin e tij sepse e duan, sepse planifikojnë ta lënë të gjejë, kur të arrijë, një shtëpi mikpritëse dhe të rregullt: ata janë të lumtur ta shohin përsëri, deri në atë pikë, sa ta presin kthimin e tij si festë për gjithë familjen e madhe, pjesë e së cilës janë.
Të përgatitemi për ta pritur Jezusin
Edhe ne duam të përgatitemi për ta pritur Jezusin me këtë pritje plot vëmendje e dashuri:
“…në Krishtlindjet, që do t’i festojmë pas disa javësh; në fund të kohës, kur të kthehet në lavdi; çdo ditë, ndërsa Ai vjen të na takojë në Eukaristinë, në Fjalën e tij, në vëllezërit dhe motrat tona, veçanërisht ata që kanë më shumë nevojë”.
Pra, në një mënyrë të veçantë këto javë, ta përgatisim me kujdes shtëpinë e zemrës, që ajo të jetë e rregullt dhe mikpritëse. Sepse të jesh vigjilent do të thotë pikërisht ta mbash zemrën gati. Është qëndrimi i rojës, i cili natën nuk e lë veten të tundohet nga lodhja, nuk e zë gjumi, por rri zgjuar në pritje të dritës.
Zoti është drita jonë: ta përgatsim zemrën për ta pritur
Zoti është drita jonë – kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa - dhe është bukur ta përgatisim zemrën për ta pritur me lutje dhe me bamirësi, dy përgatitje që, si të thuash, të bëjnë të ndihesh i qetë:
“Në lidhje me këtë, thuhet se Shën Martini i Tours, njeri i lutjes, pasi i dha gjysmën e mantelit të tij një të varfëri, pa në ëndërr Jezusin të veshur pikërisht me atë copë që kishte dhuruar”.
Program i bukur për Kohën e Ardhjes
Ja pra, një program i bukur për Ardhjen: ta takojmë Jezusin i cili vjen në çdo vëlla dhe çdo motër që ka nevojë për ne dhe ta ndajmë me ta çka të mundemi: dëgjimin, kohën, ndihmën konkrete.
Një pyetje me vlerë, në prag të Krishlindjes
Të dashur - kujtoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit së Tënzot - është mirë që sot ta pyesim veten se si të përgatisim një zemër mikpritëse për Zotin. Mund ta bëjmë këtë duke kërkuar Faljen e tij, Fjalën e tij, Sofrën e Tij, duke gjetur hapësirë për lutje, duke e mirëpritur atë, ndër ata që kanë nevojë.
“Ta jetojmë pritjen e Tij pa u shpërqendruar nga shumë gjëra të kota dhe pa u ankuar vazhdimisht, por me zemër të valë, domethënë të etur për Të, zemërzgjuar dhe të gatshëm, të paduruar për ta takuar”.
Si zakonisht, Papa na kujtoi një lutje të shkurtër, që mund ta përsërisim vazhdimisht gjatë kësaj jave e përtej:
“Virgjëra Mari, gruaja e pritjes, na ndihmoftë ta marrim në zemër Birin e saj që vjen”.