Papa në audiencë me Fondacionin Arena e Veronës Papa në audiencë me Fondacionin Arena e Veronës

Papa: të dhurohet lumturi përmes artit. Kemi nevojë të gjithë për këtë

Audiencë e Papës, sot paradite, me 300 anëtarë të Fondacionit Arena e Veronës, me rastin e 100-vjetorit të "rilindjes" së strukturës dhe të Festivalit të Operës, që vazhdon të mbahet në të. Në fjalën e tij, Papa nënvizoi impenjimin e njerëzve të shumtë, që e kanë mbajtur Arenën gjallë "për t'ia dorëzuar atë, edhe më të pasuruar, brezave të ardhshëm", duke ushtruar kështu "një formë inteligjente, krijuese dhe konkrete mirënjohjeje dhe bamirësie"

R.SH. – Vatikan

 "Njëqind sezone me veprimtari artistike të nivelit të lartë, që kanë mbledhur dhe mbajtur gjallë trashëgiminë e çmuar të së shkuarës, për t'ua dhënë edhe më të pasuruar brezave të ardhshëm. Kjo është diçka shumë e bukur: është një formë inteligjente, krijuese dhe konkrete mirënjohjeje dhe bamirësie”. Me këtë reflektim i priti sot Papa Françesku anëtarët e Fondacionit Arena e Veronës në sallën Klementine, në Vatikan, me rastin e 100-vjetorit të "rilindjes" së strukturës. Fillimet e veprimtarisë së Arenës datojnë në vitin 1913, me interpretimin e operës “Aida” të Xhuzepe Verdit, kujtoi Françesku, i cili ripërshkoi historinë e amfiteatrit:

“Siç ndodh shpesh, ai i është përshtatur përdorimeve të ndryshme, ka qenë protagonist i ngjarjeve të ndryshme: i vlerësuar, në disa periudha, në funksionin e tij origjinal si vend për shfaqje; i deklasuar, herë të tjera, në përdorime më modeste, deri sa rrezikoi, në disa momente, të reduktohej në vend nga ku merreshin gurët për t’u përdorur gjetiu”.

Puna e një bashkësie të madhe

Një stukturë, seli e "aventurës së bukur" njëqindvjeçare të Festivalit të Operas, shpëtuar gjithmonë nga veronezët, të cilët e kanë restauruar disa herë, vuri në dukje Papa. “Sa punë është dashur për këtë, sa përkushtim dhe sa mundim”, vijoi Ati i Shenjtë, duke përmendur gjithë profesionistët, që kontribuan në jetën e re të Arenës së Veronës.

“Njëqind vjet art, në fakt, nuk mund të prodhohen nga një person i vetëm, as nga një grup i vogël njerëzish të zgjedhur: ato kanë nevojë për kontributin e një bashkësie të madhe, puna e së cilës shkon përtej vetë ekzistencës së individëve. Ata, që punojnë në të e dinë se po ndërtojnë diçka jo vetëm për vete, por edhe për brezat e ardhshëm”.

Gëzimi për t'u dhuruar diçka të bukur të tjerëve

Papa Françesku nënvizoi më tej "sa e rëndësishme është, si në art ashtu edhe në jetë, të jemi të përvuajtur dhe bujarë". Këto janë dy virtyte të artistit të vërtetë. Ati i Shenjtë e përfundoi takimin me urimin:

“Ju inkurajoj ta vazhdoni këtë punë dhe ta bëni me dashuri, jo aq për suksesin personal, por për gëzimin se po u dhuroni diçka të bukur të tjerëve. Dhuroni lumturi përmes artit, përhapni qetësinë, komunikoni harmoninë! Të gjithë kemi kaq shumë nevojë për to”.

18 janar 2024, 11:19