Videopërshëndetja e Papës për Ednën, prekur nga një sëmundje e rëndë: "Vazhdo të luftosh"
R.SH. /
Ndoshta as ajo vetë nuk e besonte se trupi i saj, i ligështuar nga sëmundja e rëndë, që e stërmundoi për tetë vjet, ishte i aftë për një rezistencë të tillë. “Doktori më tha se nuk e di kur do ta takoj Jezusin, por kjo do të ndodhë së shpejti” - i shkroi vajza Papës në një letër, drejtuar nga spitali në qershor të vitit të kaluar. Edna Rodrigues, 17 vjeçe, është ende gjallë e, me gjithë vuajtjet e shumta, vazhdon të ecë përpara me të njëjtën qetësi që kishte prekur Françeskun. E pikërisht Papa deshi ta përshëndesë sërish sot 'mikeshën' e tij. E bëri këtë përmes një videoje të shkurtër të regjistruar nga Kardinali Américo Manuel Alves Aguiar, ipeshkëv i Setúbal (Portugali), një nga organizatorët e DBR-së.
Fjalët e Papës në video
“Edna, të kujtoj…”, kështu nis Papa në video. “Më kujtohet që e ofrove gjithë sëmundjen, gjithë dhimbjen tënde për Ditën e Rinisë. Faleminderit për këtë, e faleminderit që vazhdon të luftosh! Vazhdo, vazhdo!”. “Vazhdo - i kërkon Françeskut vajzës - të lutesh për shumë të rinj që kanë nevojë për forcë, që të mund të ecin përpara. Mos harro se je një nga shtyllat e Ditës së Rinisë. Zoti të bekoftë e Zoja të ruajtë e, mos harro të lutesh për mua. Mirupafshim!".
Shkëmbimi i letrave dhe i videove vitin e kaluar
Vitin e kaluar Edna u regjistrua për Ditën Botërore të Rinisë në gusht, në Lisbonë, në Portugalinë e saj të lindjes. Rast për ta njohur nga afër atë Papë "aq të rëndësishëm për të e familjen e saj"; me besimin se do të kishte forcë për ta bërë këtë. Nuk mundi të merrte pjesë në këtë ngjarje madhështore së bashku me bashkëmoshatarët e saj nga famullia e Shën Maksimilian Kolbes, në periferi të kryeqytetit portugez dhe me djemtë dhe vajzat e tjera nga pesë kontinentet. “Kur mësova se Dita do të mbahej në Portugali u gëzova shumë, sepse sa herë e shoh Papën duke folur në televizion, ndihem më mirë, sikur të mos e kisha sëmundjen, që më pengoi të marr pjesë në DBR” - shkruan ajo në letrën drejtuar Jorge Mario Bergoglios.
E Papa i përgjigjet menjëherë me një video-mesazh prej një minuti, në të cilin i thotë vajzës gjashtë herë "faleminderit". Faleminderit për "butësinë" tënde dhe "paqen" që ke në zemrën tënde, e cila - thekson Papa - është "si farë e mbjellë në zemrat e ne të gjithëve, që të shohim dhe të gjithë atyre, që flasin me ty". “Unë të shoqëroj në këtë rrugëtim që po bë. E do t'ju shoqëroj, i bindur se do të pritesh mirë” - shton Françesku. "Të shoqëroj duke u lutur për ty, duke u lutur me ty dhe duke parë Jezusin, i cili na pret gjithmonë".
Mesazhi për zonjën portugeze 107-vjeçare dhe për të rinjtë e DBR-së
Papa siguroi gjithashtu sot se lutet për Maria da Conceição Brito Mendonça, një zonjë 107-vjeçare e lindur ditën e Dukjeve të Fatimes, më 13 maj 1917, të cilën e pati takuar në Nunciaturen e Lisbonës dhe i pati dhuruar një Rruzare. “Ji e fortë dhe ec përpara. Mos u ngadalëso, vazhdo të thuash Rruzaren, për të mbështetur Kishën me lutjen dhe gëzimin tënd” - i kujton Papa në një video, regjistruar sot nga Kardinali Aguiar.
Kardinali - krijuar në Koncistorin e shtatorit 2023 - i kërkoi më pas Papës t’u shkruante nja dy fjalë djemve e vajzave, që morën pjesë në DBR-në portugeze dhe që tashmë po përgatiten për Ditën e ardhshme Botërore, planifikuar për në Seul (Koreja e Jugut).
“Më thonë se ju të rinjtë duhet të ngacmoheni, përndryshe ju zë gjumi. Jo? Nuk e besoj se ju zë, apo jo? Nuk ju zë” - dëgjohet zëri i Franceskut në video. “Panama, Lisbonë, Seul… Udhëtim interesant, që lë gjurmë. Ka rëndësi të lini gjurmë në jetë, të lini diçka që bëtë. Mund të thuash: 'Këtu kaloi një i ri dhe la këtë shenjë'. Mendoni pak për këtë: 'Çfarë gjurmësh lashë në jetën time?'. Dhe vazhdoni të ecni, pa e humbur kurrë guximin rinor”