Papa con il Comitato di Direzione del Mensile "Donne -Chiesa-Mondo" Papa con il Comitato di Direzione del Mensile "Donne -Chiesa-Mondo"

Mendimet e Papëve për gruan, kryevepër e krijimit

Sot, 8 mars, po përshkojmë disa reflektime të Papëve, nga Piu XII - tek Françesku, kushtuar "kësaj krijesë të ëmbël, në duart delikate të së cilës - na kujton Papa Pacelli - Zoti duket se e ka lëshuar në shumë drejtime, si ndihmëse e burrit, “të ardhmen e botës".

R.SH. / Vatikan

Sot në shumë vende të botës kremtohet “Dita e Gruas”. Rrënjët e kësaj feste nisin nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, me lëvizjet për të drejtën e votës së grave dhe protestat socialiste për kushte më njerëzore të punës. Dita e sotme lidhet gjithashtu me një datë tjetër: 8 mars 1908, kur disa punëtore u dogjën nga rënia e zjarrit në një fabrikë tekstili, në Nju Jork.

Piu XII: gruaja është kurorëzimi i krijimit

Papët folën vazhdimisht për gratë, për forcën e tyre, që përtërin njerëzimin. Në mesazhin radiofonik të 14 tetorit 1956, drejtuar të gjithë pjesëmarrësve të shtegtimit në Shenjtëroren e Zojës së Loretos, Papa Piu XII kujtoi "dinjitetin e madh të gruas në çaste shumë të rënda, kur një kohë e errët, e kalbur, veçanërisht për shkak të pasojave të luftës, trondit besimin e shumë njerëzve”. E kur - shton Papa Pacelli - të gjitha grave iu besua “e ardhmja e botës”:

“Gruaja, kurorëzim i krijimit, në një farë kuptimi, përfaqëson kryeveprën e tij; gruaja, kjo krijesë e ëmbël, në duart delikate të së cilës Zoti duket se ka besuar aq shumë nga e ardhmja e botës, si ndihmëse e burrit; gruaja,  shprehje e gjithçkaje më të mirë, më të dashur dhe më të sjellshme përmbi dhé, është ende shpesh objekt përbuzjeje, pavarësisht nga dukja mashtruese e lartimit....”.

Gjoni XXIII: shembulli i grave ndryshoi botën

Gratë e krishtera, që nga zanafilla e krishterimit, patën gjithnjë fjalë për t'ia thënë botës kur është larg Zotit. Gjoni XXIII e pati kujtuar këtë pasi priti disa delegacione vajzash katolike nga kryeipeshkvia e Milanos, më 1 qershor 1962. I priti e i porositi të përtërijnë "zellin e mirë dhe bujar të grave, apostulle të Kishës së hershme: Cecilia, Agnes, Katerina, Agatha, Lucia".

Gjoni XXIII kujton apostujt e Kishës së lashtë:

“Në fillim të dy mijëvjeçarëve të krishterë, bota, me disa përjashtime, ishte e zhytur në errësirën e paganizmit të korruptuar dhe korruptues. Gruaja psherëtinte në kërkim të dinjitetit të saj të humbur. E zakoni nisi të ndryshojë me hir të Zotit e falë lutjes, shembullit dhe flijimit të këtyre heroinave. Edhe sot, bashkëjetesa njerëzore po ndërron për mirë, sepse shumë të krishterë e nderojnë pagëzimin e tyre me ndërmjetësinë e  besnikërisë së jetuar dhe shembullit tërheqës”.

Pali VI: dinjiteti i gruas duhet mbrojtur

Në vitin 1975, që përkon me Vitin Ndërkombëtar të Gruas, për herë të parë në histori, Kombet e Bashkuara e kremtuan 8 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Tre vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara propozoi që një ditë në vit të shpallej "Dita e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e grave dhe paqen ndërkombëtare".

8 Marsi, i cili tashmë festohej në shumë vende, u zgjodh si datë zyrtare nga shumë kombe. Në Engjëllin e Tënzot të 17 gushtit 1975, Papa Pali VI kërkoi njohjen e të drejtave "njerëzore dhe civile" të grave.

Pali VI uron përparimin e grave në jetën shoqërore:

“Sivjet në botë kremtohet Viti i Gruas, të cilin Kisha, ashtu siç i takon, e pret pozitivisht, duke uruar përparimin e rolit të gruas në jetën profesionale e shoqërore e, në të njëjtën kohë, duke mbrojtur dinjitetin dhe misionin e gruas, veçanërisht gruas së krishterë, që plani i Zotit e caktoi për të, si vajzë e ëmbël, si virgjëreshë e pastër dhe e fortë, si nuse e dashur, si nënë mbi të gjitha, gjithmonë e shenjtë dhe e denjë - edhe si vejushë e devotshme, e dhimbshme dhe punëtore. Jemi të bindur se në konceptimin e krishterë të gruas duhet të gjejmë njohjen e të drejtave të saj njerëzore dhe qytetare si dhe mbrojtjen e virtyteve të saj të larta natyrore, nën dritën orientuese dhe mbrojtëse të Asaj, e cila, rrezatuese në bukuri dhe shenjtëri, sundon amsisht me Krishtin mbi fatet njerëzore, Marisë”.

Gjon Pali I: "Zoti është atë, e më tepër, nënë"

Gratë janë edhe nëna që ngushëllojnë, që shërojnë plagët. Duke kujtuar këtë tipar dallues të përmasës së nënës, Gjon Pali I, në lutjen e Engjëllit më 10 shtator 1978, shqiptoi fjalë plot butësi për botën e copëtuar nga masakra të kota. Ishte periudha historike, në të cilën presidenti amerikan Carter, presidenti egjiptian Sadat dhe kryeministri izraelit Begin kërkonin rrugën drejt paqes në Lindjen e Mesme.

Gjon Pali I: Zoti është nënë

Kryeministri Begin kujton se populli hebre dikur kaloi kohë të vështira dhe iu drejtua Zotit duke u ankuar: "Ti na braktise, o Zot, na harrove!". "Jo! – gjegji Zoti përmes profetit Isaia - A mund ta harrojë një nënë fëmijën e saj? Por edhe nëse ndodh, Zoti nuk do ta harrojë kurrë popullin e tij”. Edhe ne që jemi këtu kemi të njëjtat ndjenja; ne jemi objekti i Perëndisë i një dashurie të përjetshme. Ne e dimë: ai i ka gjithmonë sytë hapur mbi ne, edhe kur duket sikur është natë. Është baba e, aq më tepër, është nënë.

Gjon Pali II: kushtëzime në rrugën e grave

Nga 8 marsi 1998 jehojnë ende fjalët e Papës Gjon Pali II shqiptuar në lutjen e Engjëllit: "Fatkeqësisht jemi trashëgimtarë të historisë së kushtëzimit të madh, që e vështirësoi rrugën e grave, sepse shpesh të papranuara në dinjitetin e tyre, të keqpërfaqësuara në kërkesat e tyre dhe   të lëna mbas dore”. Papa Wojtyla bën, në veçanti, një pyetje, që vijon të tingëllojë aktuale.

Gjon Pali II: femrat vlerësohen më shumë për pamjen e tyre fizike

Sa gra janë vlerësuar dhe vlerësohen më shumë për pamjen e tyre fizike, sesa për cilësitë e tyre personale, kompetencën profesionale, punën e inteligjencës, pasurinë e ndjeshmërisë së tyre dhe, në fund të fundit, për vetë dinjitetin e qenies së tyre? E çka mund të themi për kufizimet që, në shumë pjesë të botës, i pengojnë ende gratë të integrohen plotësisht në jetën sociale, politike dhe ekonomike?

Benedikti XVI: shumë gra punojnë për Mbretërinë e Zotit

Gratë "u respektofshin gjithnjë e më shumë në dinjitetin e tyre dhe u vlerësofshin në potencialin e tyre pozitiv". Kjo është lutja e Papës Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të 8 marsit 2009:

Data e sotme - 8 Marsi - na fton të reflektojmë për gjendjen e gruas dhe të  përtërijmë angazhimin tonë, në mënyrë që çdo grua të mund të jetojë dhe t’i shprehë aftësitë e saj, duke u respektuar plotësisht për dinjitetin e saj. Kështu shprehen Koncili II i Vatikanit dhe Magjisteri Papnor e, veçanërisht, Letra Apostolike Mulieris dignitatem e shërbëtorit të Zotit Gjon Pali II (15 gusht 1988). Megjithatë, më shumë se vetë dokumentet, vlejnë dëshmitë e shenjtoreve; e epoka jonë pati atë të Nënë Terezës së Kalkutës: bijë e përvuajtur e Shqipërisë e cila me hirin e Zotit, u bë shembull për mbarë botën në ushtrimin e bamirësisë dhe shërbimit për përparimin njerëzor. Sa gra të tjera punojnë çdo ditë, në fshehtësi, për të mirën e njerëzimit dhe për Mbretërinë e Zotit!

Françesku: gratë kanë zemra të buta e këndvështrim krijues

Në audiencën e përgjithshme të 8 marsit 2023, Papa Françesku shqiptoi fjalë tejet prekëse, plot mirënjohje për botën e grave. Mendimet e Papës, pas katekizmit, i kushtohen të gjitha grave dhe, në veçanti, të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit.

Françesku: me gratë, një shoqëri më humane

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, mendoj për të gjitha gratë: i falënderoj për angazhimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më humane, përmes aftësisë për të kuptuar realitetin me vështrim krijues dhe  zemër të butë. Ky është privilegj vetëm i grave! Një bekim i veçantë për të gjitha gratë e pranishme në shesh. E edhe një duartrokitje për gratë! E meritojnë!

Në këtë ditë të 8 Marsit, shpresohet që fryma krijuese dhe zemrat e buta të grave ta përtërijnë botën e  munduar nga urrejtja, luftërat, egoizmi.

08 mars 2024, 10:19