Bamirësia e Papës në zemër të luftës në Ukrainë, kamionët me ndihma mbërritën në Kharkiv

Kamionët me ushqime, veshmbathje, produkte higjienike dhe ilaçe, të ngarkuar në Romë nga Rojet Zvicerane, mbërritën dje, më 12 gusht, në rajonin e goditur nga sulmet ruse. Shpërndarja iu besua Dikasterit për Bamirësinë dhe Ekzarkatit greko-katolik. Ipeshkvi Tuchapets: “Shumë njerëz të evakuuar nga kufiri trokasin në dyert tona duke kërkuar ndihmë. Ikin pa asgjë, vetëm me dokumentet. Faleminderit të gjithë bamirësve”. Kardinali Krajewski: "Shumë romakë bujarë"

R.SH. – Vatikan

         Bamirësia e Papës arrin në qendër të konfliktit në Ukrainë, në Kharkiv, rajon ndër më të prekurit nga bombardimet ruse. Kamionët me ushqime (veçanërisht ushqime jetëgjata), produkte ushqimore për fëmijë dhe higjienë personale, rroba, ilaçe dhe sende të tjera mbërritën dje, më 12 gusht, afërsisht katër ditë pas nisjes nga Roma. I gjithë operacioni u organizua nga Dikasteri vatikanas për Bamirësinë, kryesuar nga kardinali lëmoshtar Konrad Krajewski.

Ndihma e Rojeve Zvicerane

Një grup Rojesh Zvicerane bashkëpunoi në këtë vepër të re bamirësie të Papës,  i cili që nga fillimi i luftës ka dërguar vazhdimisht dhurata për popullsinë e prekur nga konflikti, me vetë kardinalin Krajewski, që ka bërë personalisht rreth dhjetë udhëtime në Ukrainë. Ushtarët e rinj shkuan në bazilikën e Shën Sofisë, pikë referimi për emigrantët ukrainas në Romë dhe ngarkuan kamionët për disa orë, duke i mbushur plot me kuti.

Mirënjohje nga ekzarku i Kharkiv

Ndihmat mbërritën nga Roma në rajonin e Kharkiv-it dhe iu dorëzuan Kishës lokale greko-katolike. Në një video – dërguar mediave të Vatikanit – ipeshkvi Vasyl Tuchapets, i Eksarkatit të Kharkiv-it, falënderon Papën dhe Selinë e Shenjtë për këtë gjest afërsie. Mbrapa tij shihet katedralja e Shën Nikollit, ku është ngritur një qendër grumbullimi ndihmash. “Lëvduar qoftë Jezu Krishti – përshëndet ipeshkvi. - Në katedralen tonë ka mbërritur ndihma humanitare nga Roma. Do të doja të falënderoja veçanërisht don Marco Semehen, që organizoi grumbullimin e sendeve për njerëzit e Kharkiv-it, të cilët vuajnë nga lufta. Falenderoj Shoqatën e Shën Sofisë, vullnetarët dhe anëtarët e bashkësisë së Romës, që përgatitën dhe dërguan këtë ndihmë. Produktet që njerëzit i kërkojnë gjithmonë kanë mbërritur, bashkë me gjëra të tjera që u duhen”. Ai shpjegon se kohët e fundit kanë ardhur në Kharkiv njerëz nga zonat e reja të luftës, në kufi me Rusinë, veçanërisht nga Vovchansk e Lyptsi, nga ku kanë arritur të ikin vetëm më dokumentet me vete dhe me asgjë tjetër.

Kardinali Krajewski: "Faleminderit për bujarinë"

Edhe kardinali Krajewski komenton për Vatican News: “Është vërtet gëzim i madh të marrësh lajmin se kamionët me dhuratat e Atit të Shenjtë dhe të shumë romakëve kanë mbërritur në destinacionin e tyre në Ukrainë. Nuk mund ta thoshim se ku më parë, për arsye sigurie. Këto janë zonat më të bombarduara, ku njerëzit vuajnë shumë”. Kardinali falënderon edhe rojet zvicerane dhe romakët, që u treguan shumë bujarë. Një falënderim, natyrisht, i shkon Papës, për afërsinë e tij konkrete me Ukrainën e “martirizuar”, të cilën e përmend në çdo thirrje publike, duke u kërkuar besimtarëve të mos e harrojnë.

13 gusht 2024, 17:48