Papa me afganët Papa me afganët

Papa afganëve: të mos nxitet urrejtje në emër të Zotit, të drejtat, për të gjithë

Françesku priti Shoqatën e Bashkësisë Afgane në Itali: në Afganistan ka shumë popuj, ky diferencim ndonjëherë shkakton diskriminim dhe përjashtim, nëse jo persekutimin e vërtetë. Edhe feja "i nënshtrohet manipulimit" dhe përfundon "duke shërbyer modele të papërshtatshme". Shpresa e Papës është të ndërtojë një shoqëri ku të gjithëve t’u njihen të drejta të barabarta dhe të gjithë mund të jetojnë sipas zakoneve dhe kulturës së tyre, pa diskriminim

Para së gjithash është dhimbja për "kohën tragjike" që jetoi Afganistani në dekadat e fundit, mes luftërave dhe konflikteve të përgjakshme, destabilitetit, operacioneve të luftës, shkatërrimit, vdekjes, ndarjeve të brendshme, diskriminimit, migrimeve. Prej këndej, "dhembshuria" dhe shpresa për një "bashkëpunim në respekt të ndërsjellë" për të krijuar "një qytetërim më të drejtë dhe njerëzor", në të cilin "të drejtat e të gjithëve njihen", pa abuzim apo diskriminim, dhe në të cilin emri i Zotit nuk duhet të përdoret kurrë për të "terrorizuar njerëzit" ose për të nxitur urrejtje dhe dhunë. Në këtë atmosferë Papa Françesku mirëpriti sot në mëngjes, 7 gusht, përpara audiencës së përgjithshme në Sallën e Palit VI, një delegacion të Shoqatës Bashkësia Afgane në Itali, organizatë që bashkon burra dhe gra me origjinë nga vendi i trazuar, banues në territorin italian, për të gjithë rrjetin dhe promovimin e integrimit.

Rruga e mërgimit

Në të kaluarën Papa kishte mirëpritur disa herë familjet e refugjatëve nga Afganistani, në Vatikan; Ai vetë e kujtoi këtë në fillim të fjalës së tij, duke nisur nga rrënjët e "mërgimit" masiv të mijëra afganëve e duke iu referuar kështu "historisë së ndërlikuar dhe dramatike, të karakterizuar nga një sërë luftërash dhe konfliktesh të përgjakshme" që tronditën "Afganistanin në dekadën e fundit gjë që "i krijoi shumë vështirësi popullsisë të niste një jetë paqësore, të lirë dhe të sigurt".

Paqëndrueshmëria, operacionet e luftës, me barrën e tyre të shkatërrimit dhe vdekjes, ndarjet e brendshme dhe pengesat për njohjen e disa të drejtave themelore, inkurajuan shumë njerëz të marrin rrugën e mërgimit.

Papa pret një delegacion nga Shoqata e Bashkësisë Afgane në Itali
Papa pret një delegacion nga Shoqata e Bashkësisë Afgane në Itali

Diskriminimet dhe përjashtimet

Duke u thelluar në jetën e shoqërisë afgane e duke kujtuar edhe atë të Pakistanit fqinj, Françesku nënvizoi se si struktura shoqërore e të dy vendeve përbëhet "nga shumë popuj, secili krenar për kulturën e tij, traditat e tij, mënyrën e tij specifike të jetesës". “Ky diferencim i dukshëm, në vend që të jetë mundësi e krijimit të një emëruesi minimal të përbashkët për të mbrojtur specifikat dhe të drejtat e çdo personi, ndonjëherë shndërrohet në arsye për diskriminim dhe përjashtim, nëse jo përndjekje të plotë,” vëren Papa.

E drejta e forcës në vend të forcës së së drejtës

E gjithë kjo ka një rëndësi edhe më të madhe në zonën kufitare me Pakistanin, ku "ndërthurja e grupeve etnike" dhe "poroziteti" ekstrem i kufijve përcaktojnë një situatë që nuk është e lehtë të deshifrohet dhe në të cilën, nënvizon Papa Françesku, është shumë e vështirë të pranohet ligjishmëria dhe të zbatohet nga të gjithë”.

Në kontekste të ngjashme, mund të shkaktohen procese në të cilat pala që është ose ndihet më e fortë synon të shkojë përtej diktateve të ligjit ose të mbizotërojë mbi pakicat, duke u mbrojtur nga e drejta e pretenduar e forcës, në vend që të mbështetet në forcën e ligjit.

Shpërdorimi i fesë

Nëse faktori fetar, për nga natyra e tij, duhet të kontribuojë për "zbutjen e ashpërsisë së konflikteve" dhe krijimin e "hapësirës që të gjithë të kenë të drejta të plota qytetare me baza të barabarta dhe pa diskriminim", në realitet, edhe vetë feja "përdor manipulime dhe shfrytëzim" dhe përfundon "duke shërbyer çka nuk është në përkim me të". “Në këto raste feja bëhet faktor konflikti dhe urrejtjeje, që mund të çojë në akte të dhunshme”, denoncon Papa dhe shton: “Ju e keni parë disa herë. Më kujtohet një çast i vështirë, që e ndoqa duke parë video në lajme: me sa ashpërsi, me sa dhimbje...”.

Një çast nga audienca
Një çast nga audienca

Promovoni harmoninë

Nevoja urgjente është që "secili të fitojë bindjen se nuk mundet, në emër të Zotit, të nxisë përbuzje, urrejtje dhe dhunë kundër të tjerëve". Në këtë kuptim, Françesku i inkurajon të gjithë të vazhdojnë "qëllimin fisnik" të promovimit të harmonisë fetare dhe të punojnë "në mënyrë që keqkuptimet ndërmjet feve të ndryshme të kapërcehen për të ndërtuar kështu rrugën e fesë, dialogut dhe paqes":

“Nuk është rrugë e thjeshtë, ndonjëherë pëson edhe pengesa, por është e vetmja rrugë e mundshme që duhet ndjekur me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri, nëse vërtet dëshironi të bëni të mirën për bashkësinë dhe t’i shërbeni paqes”.

Kujtimi i shtegtimit në Afrikën Qendrore

Duke folur lirisht, jashtë tekstit të shkruar, Papa kujtoi udhëtimin e tij të vitit 2015 në Republikën e Afrikës Qendrore dhe vizitën në komunitetin islamik, e, sidomos, një lutje në xhami. “Ishte takim me udhëheqësit atje, dhe xhamia ishte pak përpara. E unë thashë: "Po, a mund të shkoj të falem?". Nuk e prisnin. 'Po': I hoqa këpucët dhe shkova të lutesha atje. Dhe pastaj kreu i komunitetit hipi në makinën time dhe shkuam për të vizituar të gjitha bashkësitë, si ato islamike, ashtu edhe protestante dhe katolike.

“E kjo bashkon, kjo bashkon shumë”.

Thirrja e Dokumentit të Abu Dhabit

 Duke u mbështetur përsëri në papninë e tij dhe atë që ishte një nga gurët e tij themelorë, d.m.th nënshkrimi me Imanin e Madh të Al-Azharit të Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën e Përbashkët, në Abu Dhabi në vitin 2019, Papa Françesku përsërit thirrjen kundër çdo shfrytëzimi apo interpretimi të shtrembëruar dhe shtrembërues të feve:

“Fetë kurrë nuk nxisin kurrë për luftë dhe nuk kërkojnë ndjenja urrejtjeje, armiqësie, ekstremizmi, as nuk ftojnë për dhunë apo gjakderdhje. Këto fatkeqësi janë rezultat i devijimit nga mësimet fetare, i përdorimit politik të feve dhe gjithashtu i interpretimeve të grupeve të besimtarëve që e shpërdorojnë ndikimin e ndjenjave fetare në zemrat e njerëzve për t'i shtyrë ata të bëjnë atë, që nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën e fesë”

Duhet t’i japim fund shfrytëzimit të feve për të nxitur urrejtjen, dhunën, ekstremizmin dhe fanatizmin e verbër dhe ta ndalojmë përdorimin e emrit të Zotit, për të justifikuar aktet e vrasjeve, mërgimit, terrorizmit dhe shtypjes - nënvizoi Papa - duke përsëritur një nga thirrjet themelore të Dokumentit të Abu Dhabit: "Zoti nuk dëshiron që emri i Tij të përdoret për të tmerruar njerëzit".

Papa me disa anëtarë të bashkësisë afagane
Papa me disa anëtarë të bashkësisë afagane

Të përvetësohet kultura e dialogut si rrugë

E njëjta gjë vlen edhe për dallimet etniko-gjuhësore-kulturore, theksoi Papa: ne duhet të "përvetësojmë kulturën e dialogut si rrugë; bashkëpunimin e përbashkët si sjellje; njohjen reciproke si metodë dhe kriter”. Shpresa e Papës është që këto kritere të bëhen "trashëgimi e përbashkët, si dhe të ndikojnë në mendësi dhe sjellje, në mënyrë që parimet jo vetëm të vlerësohen dhe të ndahen në mënyrë abstrakte, por të zbatohen konkretisht dhe përpikshmërisht".

“Nëse kjo ndodh, diskriminimi për të cilin Shoqata juaj ankohet kundër grupit etnik pashtun në Pakistan, do të marrë fund dhe mund të fillojë një epokë e re, në të cilën forca e ligjit, dhembshuria - kjo fjalë është kyçe - dhembshuria - dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në respekt reciprok do të krijojnë një qytetërim më të drejtë dhe më njerëzor”.

Shembull janë disa vende afrikane, ku "në Krishtlindje myslimanët shkojnë për të përshëndetur të krishterët dhe për të sjellë qengja dhe gjëra të tilla, ndërsa për festën e Kurbanit të krishterët shkojnë te myslimanët dhe u çojnë gjëra për festën". “Kjo është vëllazëri e vërtetë, e është e bukur. Luftoni për këtë”- inkurajon Jorge Mario Bergoglio.

Barazi e plotë, pa diskriminim

Prej këndej, lutja drejtuar Zotit për t’i ndihmuar "qeveritë dhe popujt në ndërtimin e një shoqërie ku të gjithëve u njihet qytetaria e plotë me të drejta të barabarta; ku secili mund të jetojë sipas zakoneve dhe kulturës së tij, në një kuadër që merr parasysh të drejtat e secilit, pa shpërdorime dhe diskriminime”.

07 gusht 2024, 12:58