Papa, ipeshkvijve të rajoneve arabe: mbajeni të gjallë shpresën
R.SH. / Vatikan
Faleminderit, "sepse jeni flaka e shpresës, atje ku duket se po shuhet!”: është urim ky! Tregon se "ju mund ta mbani gjallë shpresën" në Lindjen e Mesme, ku konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit "duket se po bëhet kronik". Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku prelatëve të Konferencës Ipeshkvnore Latine në Rajonet Arabe (Celra), me të cilët u takua para audiencës së përgjithshme, me rastin e mbledhjes plenare të Celra-s.
Konflikt që rrezikon t'i vërë flakën të gjithë rajonit
Në përshëndetjen drejtuar prelatëve të Celra-s, të udhëhequr nga kryetari, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve, Papa kujtoi se Lindja e Mesme "po jeton çaste shumë të forta tensioni, të cilat në disa kontekste çojnë në përplasje të hapura dhe në ndezjen e luftës”. E edhe se konflikti i shkaktuar nga agresioni terrorist i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023, "në vend të gjetjes së një zgjidhjeje të drejtë, duket se po bëhet kronik, me rrezikun që të përhapet deri në atë pikë, sa t'i vërë zjarrin të gjithë rajonit". Lufta, pas reagimit të ushtrisë izraelite me pushtimin e Rripit të Gazës - nënvizoi Françesku - "shkaktoi mijëra e mijëra vdekje, shkatërrime të mëdha, me vuajtje të pamasa dhe përhapje të ndjenjave të urrejtjes dhe të pakënaqësisë, të cilat përgatisin terrenin për tragjedi të reja”.
Prani, që ushqen fjalët dhe gjestet e paqes
Papa shprehu afërsinë e tij me ipeshkvijtë dhe kishat që përfaqësojnë, duke u lutur që "Zoti t'ju japë gjithmonë forcën për ta dëshmuar besimin në Të, edhe nëpërmjet dialogut të respektueshëm dhe të sinqertë me të gjithë".
Mbajeni të gjallë shpresën! Bëhuni vetë, për të gjithë, shenja shprese, prani që ushqen fjalë e gjeste paqeje, vëllazërie, respekti. Prani që, në vetvete, të fton të arsyetosh, të pajtohesh, për të kapërcyer me vullnet të mirë përçarjet dhe armiqësitë e panumërta e të ngurtësuara me kalimin e kohës, gjithnjë e më të pazgjidhshme. Faleminderit, sepse jeni flakëza e shpresës, atje ku duket se po shuhet!
Formacion, për t’i dhënë arsye shpresës së krishterë
Papa Françesku u uron, më pas, prelatëve të Celrës punë të mbarë në nismat e tyre baritore, duke shpresuar se ata mund të "zgjedhin mënyrën më të mirë dhe më efektive për të siguruar edukimin e përshtatshëm të krishterë të nxënësve të shkollave publike, në mjedise ku prania e krishterë është pakicë".
Ky formim ka rëndësi të madhe, në mënyrë që përmbajtja e fesë të njihet dhe të shoqërohet me reflektim dhe kështu feja, në krahasim me kulturën, të bëhet më i fortë dhe të ketë mjetet për të dhënë llogari për shpresën e krishterë.
Papa, përpara bekimit, e përfundoi përshëndetjen drejtuar prelatëve të Konferencës Ipeshkvnore Latine në Rajonet Arabe me një thirrje drejtuar Zojës, për t'i "ruajtur" dhe për t’i "ngushëlluar".