Papa me delegacionin e Federatës Kombëtare Itali-Kinë Papa me delegacionin e Federatës Kombëtare Itali-Kinë

Dialogu Kinë - Seli e Shenjtë dhe realizmi i Papës

Në takimin me mediat, në avionin e kthimit nga Singapori, Françesku e cilësoi si "të mirë" rezultatin e dialogut me qeverinë e Pekinit dhe pohoi se "për emërimin e ipeshkvijve po punojmë me vullnet". Megjithëse në shtypin ndërkombëtar, nuk mungojnë kritikat për këtë dialog dhe për Marrëveshjen e Përkohshme me Kinën, qëndrimi i Papës justifikohet nga të dhënat e fundit pozitive, në krahasim me vështirësitë e së kaluarës

R.SH. – Vatikan

“Jam i kënaqur me dialogun me Kinën, rezultati është i mirë, edhe për emërimin e ipeshkvijve po punojmë me vullnet të mirë”. Kështu u shpreh Papa Françesku, kur foli për dialogun ndërmjet qeverisë kineze dhe Selisë së Shenjtë, gjatë bisedës me mediat, në avionin që e solli në Romë nga Singapori. Megjithëse në shtypin ndërkombëtar, nuk mungojnë kritikat për këtë dialog dhe për Marrëveshjen e Përkohshme me Kinën, qëndrimi i Papës justifikohet nga të dhënat e fundit pozitive, në krahasim me vështirësitë e së kaluarës. Ky është komenti i drejtorit të agjencisë Fides, Gianni Valente, publikuar edhe në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

Disa të dhëna

Për të vlerësuar saktë fjalët e Papës duhen pasur parasysh disa të dhëna të fundit, por edhe e kaluara, që i parapriu fazës aktuale historike. Që nga 22 shtatori 2018, dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përkohshme, të gjithë ipeshkvijtë katolikë të Republikës Popullore të Kinës hynë në bashkim të plotë me Papën. Nuk ka pasur më shugurime ipeshkvnore pa pëlqimin papnor, të cilat, që nga fundi i viteve ’50, e cënuan seriozisht bashkimin kishtar ndërmjet katolikëve kinezë.

Në 6 vitet e fundit, në Kinë janë bërë 9 shugurime të reja ipeshkvnore katolike, por edhe 8 të ashtuquajtur ipeshkvij "jozyrtarë" janë njohur publikisht nga autoritetet e Pekinit. Në vitin 2018 dhe më pas në vitin 2023, dy ipeshkvij kinezë morën pjesë në Asambletë e Sinodit të Ipeshkvijve në Romë. Më parë, asnjë prelat nga Kina kontinentale nuk u lejua të merrte pjesë në Koncilin II të Vatikanit dhe në asambletë e përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Grupe katolikësh kinezë morën pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë e shumë prej tyre mundën ta ndiqnin Papën në Romë dhe gjatë vizitave të tij apostolike në Tajlandë, Mongoli dhe Singapor. Disa prej ipeshkvijve të Kinës kanë marrë pjesë në mbledhje e konferenca në Evropë dhe Amerikë. Janë shtuar mundësitë për të nisur procese pajtimi brenda bashkësive kishtare të ndara prej dekadash në besimtarë të fshehur e në besimtarë, që bëjnë pjesë në Kishën e pranuar nga qeveria e Pekinit, e ashtuquajtura Kishë kombëtare, të cilën komunistët deshën ta impononin dikur edhe në Shqipëri.

Thesar që lulëzon

Kur e gjykon çështjen, reflekton Gianni Valenti, Papa Françesku merr parasysh të dhëna nga realiteti, që zakonisht injorohen në shumë analiza mbi temën "Kinë-Vatikan". Ato janë për të busull për t’u qëndruar pranë katolikëve kinezë, në kontekstin në të cilin jetojnë, duke dëshmuar dashurinë e tyre për Krishtin. Ipeshkvijtë janë pasardhës të Apostujve. Dhe Marrëveshja me qeverinë kineze për emërimin e tyre ka të bëjë me natyrën intime të Kishës, me misionin e saj apostolik dhe me përçarjet kishtare, të cilat, gjatë dekadave të fundit, e kanë ndarë klerin dhe laikët, bashkësitë e madje, edhe familjet në Kinë. Ipeshkvijtë shugurojnë meshtarë. Prandaj, Marrëveshja ka të bëjë edhe me vlefshmërinë e sakramenteve të kremtuara në famullitë e Republikës Popullore të Kinës. Synimi i Papës dhe i Selisë Apostolike nuk është supremacia politike. Ati i Shenjtë e ka për detyrë t’i përforocojë vëllezërit e tij në fe, t'i ngushëllojë dhe t'i mbështesë në rrugëtimin e tyre të lutjes, të shpalljes së Ungjillit, të veprave të bamirësisë, aty ku jetojnë.

Marrëveshje, për t’i lejuar Kishës të jetojë

Kur mediat flasin për katolicizmin kinez, nuk e marrin parasysh këtë rrjet besimtarësh me fe të gjallë, që shprehin çdo ditë bashkimin e tyre me Pasardhësin e Pjetrit e me Kishën universale. Pavarësisht nga kufizimet, për shkak të kontekstit politik dhe social, jeta kishtare në Kinë vazhdon edhe në dioqezat, që dalëngadalë po stabilizohen, pas vitesh të gjata pasigurie dhe ndarjesh e kjo, edhe falë dialogut të Selisë së Shenjtë me autoritetet qeveritare.

Gianni Valenti jep disa shembuj, si 41 pagëzimet e reja në Shangai, në praninë e më se 2500 besimtarëve, ose vizitat e katolikëve në qendrat e ndryshme të rehabilitimit, ku më parë nuk mund të hynin e edhe bashkimin me Selinë e Pjetrit të ndonjë ipeshkvi, shuguruar pa mandat papnor. Veprat dhe gjestet, që janë arsyeja e vetme e ekzistencës së çdo veprimtarie kishtare, mund të vazhdojnë të lulëzojnë vetëm duke gjetur mënyra për t’i konsideruar të ligjshme edhe në Kinën e sotme, ashtu siç është. Ky është thesari, që ka për zemër Papa, në harmoni të plotë me “sensus fidei” të shumicës së katolikëve kinezë.

16 shtator 2024, 16:11