Në kufirin ndërmjet Azisë dhe Oqeanisë, Papa inkurajon punën e misionarëve me fiset papuane

Pasditen e sotme, pas ndalesës në Vanimo për takimin me 20 mijë vetë në fushën para katedrales, Papa u zhvendos në fshatin e afërt Baro për t'u takuar privatisht, në Shkollën Humaniste të Trinisë së Shenjtë, me katër misionarët argjentinas, që u shërbejnë pa ndërprerje bashkësive më të izoluara në xhungël. Mijëra njerëz në rrugë e përshëndetën Papën me lule, vallë e këngë tradicionale

R.SH. – Vatikan

E pamundur të numërohen njerëzit, që hidhnin gjethe e petale lulesh, të ulurit në karrige plastike, ose në tokë, përgjatë rrugës së paasfaltuar, ata që shikonin nga dritaret e kasolleve në bregun e oqeanit, ose pas shkurreve. Kjo turmë shumëngjyrëshe i shoqëroi kështu rreth 6 kilometrat e Papës nga fusha para katedrales së Vanimos deri në fshatin Baro, afër zonës kufitare të Papua Guinesë së Re me Indonezinë.

Takimi me misionarët

Pas takimit me 20 mijë banorë të dioqezës papuane, qyteti i dytë i vizituar në Papua Guinea e Re, përveç kryeqytetit Port Moresby, Papa Françesku shkoi në Baro për të takuar misionarët argjentinas, të cilët shërbejnë atje prej vitesh. Ndër ta, miku i tij Át Martin Prado, 35 vjeç. Vendi i takimit ishte Shkolla Humaniste e Trinisë Shenjte, shkollë katolike e drejtuar nga famullia e Trinisë Shenjte dhe nga Instituti rregulltar i Fjalës së Mishëruar, i pranishëm në këto territore që nga viti 1997.

Valle dhe këngë

Në këtë strukturë të bardhë dykatëshe, Papa mbërriti pasi kaloi nëpër dy krahë turmash, që këndonin e vallëzonin. «Çdo grup etnik - i shpjegoi një misionar vendas - ka veshjen e tij të veçantë dhe krerët e fshatit dallohen, për shembull, nga një lloj i caktuar puplash ose guaskash. Edhe vallet janë të gjitha të ndryshme. Ato që bëhen për Papën këto ditë janë vallet e rezervuara për autoritetet më të larta dhe më të nderuara”.

Përkëdhelje për fëmijët

Në oborrin e shkollës e pritën shumë fëmijë. Dy prej tyre, të verbër, i ofruan një gjerdan me lule dhe pupla, ndërsa Ati i Shenjtë u dha rruzare dhe ëmbëlsira, duke i përkëdhelur. Më pas, kori dhe orkestra e Institutit dhanë një shfaqje të vogël. Ndalesa tjetër e Françeskut ishte një podium të zbukuruar me lule, bimë, harqe, si edhe me Zojën e Lujanit, Virgjërën pajtore të Argjentinës, tejet të nderuar edhe në Papua Guinea e Re. Falë Át Martinit dhe misionarëve të tjerë nga Argjentina, si edhe murgeshave që bashkëpunojnë në mision (Servidoras del Señor y de la Virgen de Matará, krahu femëror i Ive) në famulli bëhen shërbime të ndryshme, sidomos për të sëmurët. Pikërisht në shtëpinë kushtuar Zojës së Lujanit, rregulltaret strehojnë e kujdesen për vajzat, viktima të dhunës dhe abuzimit, shpesh edhe nga familjet e tyre që i akuzojnë për magji.

Me mision, mes pyjesh

Murgeshat ndihmojnë misionarët e Fjalës së Mishëruar - dy meshtarë aktivë dhe dy murgj - në ungjillëzimin jo gjithmonë të lehtë në vendet ku jetohet krishterimi i ditëve të para. Domethënë, ku misionarët aktualë janë të parët që shkelin për të çuar Lajmin e Mirë. Motrat kujdesen për “kapelat” e ndryshme kishtare dhe bëjnë udhëtime të gjata drejt vendeve të izoluara ku qëndrojnë ditë të tëra bashkë me komunitetet. “Punojmë në procesin e inkulturimit me bashkësitë e lidhura me natyrën dhe me tokën”.

Ky shërbim ishte një nga temat kryesore të takimit privat të Papës me bashkëqytetarët e tij dhe me një grup murgeshash, disa prej të cilave erdhën edhe nga Ishujt Solomon. Át Miguel de La Calle pohoi për mediat e Vatikanit: “Folëm për misionin dhe Papa na dha këshilla e sugjerime. Folëm për Argjentinën, për Institutin tonë, por Ati i Shenjtë tashmë i di të gjitha, sepse është gjithmonë në kontakt me Át Martinin, ndaj nuk hymë në detaje, ishin diskutime të përgjithshme. Pastaj shijoi maten dhe tortën e ftohtë... Jemi shumë të lumtur që erdhi, ashtu si të gjithë”.

08 shtator 2024, 14:23