Kërko

Papa mes fëmijëve me aftësi ndryshe në Dili: "Janë mësuesit tanë, na mësojnë kujdesin"

Françesku vizitoi Casa Irmãs Alma, e cila garanton kujdes dhe ndihmë për të miturit me sëmundje të rënda. Papa takoi murgeshat dhe rreth pesëdhjetë fëmijë, që e pritën me këngë dhe dhurata. Ati i Shenjtë inkurajoi dashurinë për më të brishtët: “Është sakramenti i të varfërve”. Më pas, komentoi jetën e Silvanos, 7 vjeç, i cili vuan nga një sëmundje neurodegjenerative: “Na mëson ta lëshojmë veten në dorën e Zotit”. Nënshkroi edhe bllokun e Arkangjelos, i ri në karrocë

R.SH. – Vatikan

“Kur Jezusi flet për Gjykimin e Mbramë, u thotë disave: ‘Ejani me mua’. Por nuk thotë: 'Ejani me mua se u pagëzuat, se u krezmuat, se u martuat në kishë, se nuk gënjyet, se nuk vodhët...'. Jo! Ai thotë: 'Ejani me mua se jeni kujdesur për mua. U kujdesët për mua".

Faqe ungjillore ato, që u përjetuan sot, më 10 shtator, në Dili, në ditën e dytë të udhëtimit të Papës Françesku në Timorin Lindor, ku Ati i Shenjtë vizitoi shtëpinë Irmãs Alma, strukturë e murgeshave të Shoqatës së Institucioneve Misionare Laike, që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të sëmurë rëndë. 50 fëmijë hidheshin e kërcenin rreth Papës, i uleshin në gjunjë, ndërsa Ati i Shenjtë përkëdheli Silvanon 7-vjeçar, që vuan nga një sëmundje shumë e rëndë neuro-degjeneruese, si edhe ngushëlloi një nga një nënat e baballarët e dëshpëruar, që, me lot në sy, mbanin në krahë fëmijë hidrocefalë, ose me të meta mendore, kryqi i tyre i jetës.

Emocioni i njerëzve

Faqe ungjillore, që u mishëruan me Papën e prekur nga vuajtja, përpara së cilës - siç ka thënë në shumë raste - ka vetëm lot dhe asnjë shpjegim. Bergoglio mbërrinte në shtëpinë e murgeshave pas përshëndetjes së jashtëzakonshme të njerëzve në rrugë, që e shoqëruan kalimin e makinës papnore me thirrje, flamuj, duartrokitje, lot dhe valle gëzimi. E natyrisht, pas gjithë kësaj, përshtypja ishte edhe më e thellë, kur në hyrjen e shtëpisë së murgeshave, e pritën një vajzë e vogël më pak se 5 vjeç, me gjymtyrë të pazhvilluara, së bashku me dy vajza të tjera moshatare, veshur me rroba kombëtare, që i dhanë “tais”-in, shallin tradicional timorez. Françesku e mbajti afër vajzën e vogël dhe i futi rruzare e karamele në brez, pastaj iu drejtua bashkëpunëtorëve: “S’mund të bëhet diçka për të? A mund ta operojmë?”, pyeti.

Sakramenti i të varfërve

Shumica e këtyre fëmijëve vuajnë nga sëmundje të pashërueshme e të indinjon fakti, se për shumë prej tyre mund të ndërhyhej në periudhën e shtatzanisë, por nuk ka qenë e mundur, për shkak të varfërisë dhe të mungesës së mjeteve shëndetësore. Mbetet vetëm dashuria për këta fëmijë krejtësisht të verbër, autikë, me aftësi të kufizuara, pa gjymtyrë e me sindromën Down.

"Një dashuri që inkurajon, ndërton dhe forcon"

Unë e quaj "sakramenti i të varfërve", tha Papa në italisht, në fjalimin e tij të shkurtër të paraprirë nga përshëndetja e eprores, motrës Gertrudis Bidi. Dashuri, që shihet në gjestet e vogla të murgeshave, që e bëjnë të pushojë një fëmijë që qan, mbajnë në krah një tjetër, që e ka zënë gjumi, i rregullojnë flokët një vajze e shkojnë pas fëmijëve më të lëvizshëm, që nuk rrinë të qetë në sallë.

Tri vajzat që pritën Papën
Tri vajzat që pritën Papën

Falënderimi për murgeshat dhe fëmijët

“Pa dashuri, kjo nuk mund të kuptohet”, vërejti Papa, “nuk mund ta kuptojmë dashurinë e Jezusit, nëse nuk fillojmë ta vëmë në jetë dashurinë. Të ndash jetën me njerëzit më në nevojë është një program, programi yt, është programi i çdo të krishteri”. Më pas, Françesku falënderoi murgeshat dhe bashkëpunëtorët e tyre për gjithçka bëjnë e falënderoi edhe fëmijët, "që na japin dëshminë si ta lëshojmë veten në duart e Zotit".

“Janë ata që na mësojnë si ta lëshojmë veten në duart e Zotit. Ta lemë Hyjin të kujdeset për ne dhe të mos tërhiqemi nga shumë ide a projekte, ose edhe nga teka. Ta lëshojmë veten në duart e Zotit. Këta fëmijë janë mësuesit tanë. Faleminderit për këtë".

Papa me Silvanon
Papa me Silvanon

Dëshmia e heshtur e Silvanos, blloku i Arkangjelit

Papa përkëdheli më pas Silvanon 7-vjeçar, i cili flinte në karrocën e tij, e vetmja që i mundëson lëvizjen. Ati i Shenjtë përsëriti se çdo njeri duhet ta lëshojë veten në dorën e Zotit, si ky fëmijë, pasi Zoti e Zoja e duan shumë secilin prej nesh. Gjatë takimit, iu afrua Françeskut edhe një i ri 24-vjeçar, në karrocë. I dha dy blloqe, ku çdo ditë shkruan mendimet e reflektimet e tij, duke i kërkuar Papës t’i firmosë. E Ati i Shenjtë shkroi në portugalisht: “A Arcangelo, con a minha abençoe” (Arkangjelit, me bekimin tim). Papa u largua nga shtëpia e murgeshave me një dhuratë: shtatoren e skenës së Lindjes së Krishtit. “Shikoni – komentoi – Shën Jozefi kujdeset për Virgjërën e Virgjëra kujdeset për Jezusin. Personi më i rëndësishëm është ai, që i lë të tjerët të kujdesen më shumë për të: Jezusi”. Edhe ne duhet të bëjmë si Ai, theksoi së fundi.

Përqafimi për nënat dhe baballarët në lot

Papa nënshkroi edhe pllakën për 60-vjetorin e themelimit të kongregatës Alma e doli jashtë. Një rresht i gjatë prindërish e prisnin pranë makinës. Njerëz të munduar nga vuajtjet e fëmijëve të tyre. Shumë gra u gjunjëzuan para Papës; njëra, me duar të bashkuara në lutje e mbështeti kokën në mantelin e tij; një babai i ra të fikët dhe u ndihmua shpejt nga ambulanca; një nënë e përkulur nga pesha e fëmijës hidrocefale, që mbante në marsup, ia lau me lot dorën Françeskut. Ati i Shenjtë shikoi çdo gjë në heshtje, mbylli sytë përgjysmë, dha bekimin e tij, preku ballin e njerëzve, që i dilnin përpara. Asnjë fjalë me këtë rast: vetëm lot. Ato të zemrës.

10 shtator 2024, 08:40