Papa rregulltarëve: fol pak, dëgjo shumë, ruaj në zemër
R.SH. – Vatikan
Flisni pak, dëgjoni shumë, ruajeni në zemrën tuaj. Jetoni duke ndjekur pas Krishtin, e kjo duhet të jetë një mënyrë jetese. Këto ftesa Papa Françesku u drejtoi rregulltarëve dhe rregulltareve të Kongregatës së Zemrave të Shenjta të Jezusit e Marisë dhe Kongregatës së Motrave të Shpëtimtarit Hyjnor, të cilët sot paradite i priti në audiencë, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, me rastin e kapitujve të tyre të përgjithshëm përkatës.
Besnik ndaj identitetit dhe misionit
“Ju kujtoj se kremtimi i një kapitulli të përgjithshëm nuk i përgjigjet një logjike njerëzore apo një nevoje institucionale, por nevojës për të ndjekur pas Krishtin”, tha Françesku në spanjisht, duke u folur në rend parë vëllezërve dhe motrave të Kongregatës së Zemrave të Shenjta të Jezusit e Marisë, e shpjegoi se të ndjekësh shembullin e Jezusit do të thotë “të dëgjosh gjithmonë me vëmendje” atë që sugjeron Shpirti Shenjt, të “jetosh me besnikëri identitetin dhe misionin”.
Për një pranverë të rinovuar
Ashtu si dishepujt, thirrja është të "dëgjojmë zërin e Jezusit", "të thellojmë soditjen" dhe "të jetojmë e të shpallim dashurinë e Zotit": konkretisht, kjo arrihet në mënyrë të veçantë, shpjegoi Papa nëpërmjet "shërbimit për të mirën e atyre që kanë më shumë nevojë" dhe përmes "lutjes eukaristike e riparuese".
Vetëm duke ndjekur Krishtin me besnikëri dhe bindje, strukturat tuaja, si dhe përhapja e trashëgimisë shpirtërore dhe historike të Kongregatës, do të mund të përjetojnë një pranverë të përtërirë që do ta bëjë karizmën tuaj të shkëlqejë në momentin aktual të historisë së njerëzimit.
Duke ndjekur Krishtin
Duke uruar që Zemrat e shenjta të Jezusit dhe Marisë të mund t'i nxisin rregulltarë dhe rregulltaret të gjejnë "forma të reja dëshmie" dhe "bashkëpunimi me veprën e Zotit" që realitohet në Kishë", Papa i ftoi rregulltarët e motrat rregulltare të "dëgjojnë me kujdes vullnetin e Zotit" dhe "të ndërmarrin hapa vendimtarë për të ndjekur pas Krishtin", gjë që - sqaroi Ati i Shenjtë në përfundim të fjalimit të tij - "nuk konsiston vetëm në mësimin e një doktrine, por edhe thjesht në dëshminë e mënyrës së jetesës”.
Ndaluni për një kohë të gjatë në lutje
Në fillim të fjalimit drejtuar Motrave të Shpëtimtarit Hyjnor, Papa Françesku citoi temën e zgjedhur për Kapitullin e tyre të Përgjithshëm: "Të ecim së bashku, duke rindezur dhuratën e Shpirtit mes nesh për të shpallur Ungjillin dhe për të frymëzuar të gjithë njerëzit". Katër gjëra, u tha Papa motrave rregulltare: "Të ecim së bashku - jo kundër -, duke rindezur dhuratën e Shpirtit Shenjt mes nesh, duke shpallur Ungjillin dhe duke përflakur të gjithë njerëzit" me dashurinë e Zotit. “Përpara”, inkurajoi Papa motrat e Shpëtimtarit Hyjnor, duke kujtuar themelin e karizmës së institutit rregulltar, lutjen e Jezusit drejtuar Hyjit Atë gjatë Darkës së Mbrame për shpëtimin e të gjithë njerëzve.
Dhe pikërisht në Çenakull, Papa fton të ndalemi për një kohë të gjatë në lutje.
Në fakt, aty ushqehet zjarri i Shpirtit, dhe prej andej ne fillojmë sërish të ndezim mbarë botën me dashurinë e Zotit, duke u ofruar shërbimin më nevojtarëve dhe duke u kthyer shpresën të shkurajuarve.
Ashtu si Maria Virgjër
Modeli që duhet ndjekur, kujtoi Papa Françesku, është Maria, "ylli polar" i misionit, e cila në Ungjill "flet pak, dëgjon shumë dhe gjithçka ruan në zemër".
Këto janë qëndrime të vlefshme edhe për ne: të flasësh pak (të folurit është një plagë, eh!) – të diskutosh, të ballafaqohesh, të hapesh, por të mos humbasësh në muhabete të kota –, të dëgjosh shumë – në lutje, në heshtje, në vëmendjen ndaj të tjerëve; ndonjëherë nuk dimë të dëgjojmë: tjetri flet dhe ne përgjigjemi në gjysmë të fjalës. Jo: dëgjoni gjithçka, gjithçka [deri] në fund. Dëgjoni gjithashtu e sidomos Zotin – dhe mbajeni në zemrën tuaj, ruajeni në shpirtin ruaj gjithçka Zoti u thotë, për të qenë, kështu, apostulle të shpresës, në botën që sot ka kaq shumë nevojë për të.
Në këtë drejtim, Papa kujtoi një tipar karakteristik të Zojës Mari: "Ajo nuk e tregon kurrë veten, por gjithmonë Jezusin". Prandaj nxitja e fundit është për t'u treguar të tjerëve Jezusin, jo veten, sepse për të gjithë Ai është sot dhe gjithmonë, shpresa jonë e është në Zotin, vetme në Të”.