Il conferimento del Premio Pontificie Accademie 2023 Il conferimento del Premio Pontificie Accademie 2023

Papa: politika duhet të trajtojë pabarazitë dhe të promovojë të mirën e të gjithëve

Në mesazhin me rastin e dhënies, dje, më 23 tetor, të Çmimit të Akademive Papnore 2023 në fushat e latinishtes dhe shkencës, latinishtes dhe politikës, Papa Françesku u ndal në rëndësinë që ka reflektimi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe theksoi se shkenca dhe feja duhet të dialogojë për të "na udhëhequr në kuptimin e botës". "Në kohëra të paqëndrueshme shoqërore", thotë Papa, tradita latine është një vlerë, ajo promovon një lidhje të ngushtë midis "çështjeve publike" dhe parimeve themelore.

R.SH. – Vatikan

Dy çmimet që na ftojnë të reflektojmë mbi mjedisin dhe të mirën e përbashkët: janë çmimet e Akademive Papnore që Pontificia Academia Latinitatis, në marrëveshje me Dikasterin e Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, cakton mbi temat e De rerum natura, për latinishten dhe shkencat, dhe De re publica, për latinishten dhe politikën. Dy fusha studimi këto përmes të cilave del në pah se si gjuha latine "përgatit terrenin pjellor për eksplorim dhe sintezë midis shkencës, kulturës dhe politikës" dhe së bashku me trashëgiminë intelektuale të njerëzimit mund të bëhet një instrument "harmonie midis popujve, promovimit të respektit reciprok dhe dinjitetit njerëzor”, nënvizon Papa Françesku në mesazhin e tij dërguar kardinalit José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kulturën dhe Arsimin, me rastin e dhënies së Çmimit të Akademive Papnore 2023 që u mbajt pasditen e djeshme më 23 tetor.

Angazhimi për një kulturë të rritjes integrale njerëzore

Kjo njohje nderon "kërkimin, pasionin dhe angazhimin e studiuesve të rinj që kanë zgjedhur t'i kushtojnë përpjekjet e tyre intelektuale dhe dashurinë e tyre për dijen në interpretimin e një trashëgimie gjuhësore dhe kulturore me vlerë të paçmueshme, siç është ajo latine", saktëson Papa, që sheh në “kërkimin skrupuloz dhe sistematik të fituesve” jo vetëm “një kontribut akademik, por një thirrje reale drejtuar secilit prej nesh”. Kjo është arsyeja pse takimi i sotëm nuk kremton ekskluzivisht e vetëm "kërkimin, por na fton të riafirmojmë angazhimin tonë drejt një kulture të rritjes integrale njerëzore".

Shkenca dhe feja të dialogojnë për të mirën e shtëpisë së përbashkët

Duke u ndalur në dy fushat e Çmimit të Akademive Papnore, Papa Françesku vëren se tema De rerum natura "na bën të mendojmë për mrekullitë e krijimit" dhe thekson se sa "vendimtar" është "reflektimi mbi botën natyrore" sot, duke u ndërgjegjësuar kështu "për brishtësinë e 'mjedisit". "Shkenca na ofron mjete për të kuptuar ligjet e natyrës, për të eksploruar misterin e jetës dhe për t'u përballur me sfidat ekologjike", pohon Papa, duke shtuar se "vetëm përmes një interpretimi etik, kulturor dhe shpirtëror" është e mundur "të kuptojmë thellësinë" e kuptimit të kozmosit që na rrethon, pjesë e të cilit ne jemi”. Për Papën, "vizioni i natyrës, në tërësinë e tij, si një dhuratë nga Zoti", duhet të çojë "të reflektojmë mbi përgjegjësinë që kemi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët" dhe më pas "shkenca dhe feja mund dhe duhet të dialogojnë", pasi "të dyja janë të thirrura për tëna udhëhequr në kuptimin e botës". Në këtë drejtim, çmimi i dhënë nga Pontificia Academia Latinitatis "na kujton se shkenca nuk mund të reduktohet në grumbullimin e thjeshtë të të dhënave, por duhet të ndihmojë për të kuptuar kompleksitetin dhe bukurinë e krijimit".

Shërbimi komunitar

Sa i përket temës De re publica, ajo "na nxit të eksplorojmë themelet dhe strukturat e politikës", duke pasur parasysh të mirën dhe drejtësinë e përbashkët", thekson Papa Françesku, i cili, "në kohëra paqëndrueshmërie shoqërore", e konsideron traditën latine "një vlerë", sepse promovon një lidhje të ngushtë midis 'çështjeve publike' dhe parimeve themelore të reflektimit”. “Politika, kur ushtrohet me ndershmëri dhe integritet, është një art fisnik – shprehet Ati i Shenjtë –, një thirrje kjo për t'i shërbyer komunitetit, asnjëherë interesit privat”. Prandaj, "propozimi i një morali të rrënjosur në vlerat humaniste" është "një thirrje për veprime të përgjegjshme, në një klimë dialogu, respekti dhe përfshirjeje". Në praktikë, "politika duhet të trajtojë pabarazitë dhe të promovojë të mirën e të gjithëve, veçanërisht të atyre që janë më të cenuar" në shoqëri, dhe për këtë, thekson Papa, nevojitet "formim njerëzor dhe kulturor", pasi "vetëm qytetarë të formuar mirë dhe të ndërgjegjshëm mund të të jenë aktorë të ndryshimeve të shëndetshme në shoqëri”.

24 tetor 2024, 11:54