Papa në lutjen ekumenike: turp, për ndarjen ndërmjet të krishterëve

Në lutjen ekumenike me pjesëmarrësit në Sinod, ndër të cilët edhe delegatët vëllazërorë, si edhe përfaqësuesit e tjerë ekumenikë, që kanë ardhur në Romë, Papa Françesku e dorëzoi homelinë pa e shqiptuar. Në të, ai thekson se kemi nevojë për një dëshmi të përbashkët, provuar, fatkeqësisht, në shumë anë të botës si "ekumenizëm i gjakut", më i fortë se çdo fjalë. "Ky Sinod është rast" për të kapërcyer "muret, që ende ekzistojnë ndërmjet nesh"

R.SH. - Vatikan

Në vazhdën e mbrëmjes ekumenike të lutjes "Së bashku" (Together), mbajtur më 30 shtator 2023, në prag të hapjes së Sinodit, çast historik i rëndësishëm, sot në Vatikan u mbajt edhe një moment tjetër lutjeje ekumenike, gjatë këtij Sesioni të dytë, për të gjithë pjesëmarrësit në Sinod, në prani të Papës Françesku dhe të delegatëve vëllazërorë, si edhe të përfaqësuesve të tjerë ekumenikë, që kanë ardhur në Romë.

Kjo lutje u kremtua nga ora 19.00 deri në orën 20.00 jo shumë larg Sallës Sinodale, në sheshin e Protomartirëve romakë, vend ku, sipas një tradite të lashtë, u martirizua Shën Pjetri Apostull. Edhe data e zgjedhur është shumë simbolike, pasi shënon përvjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, që filloi më 11 tetor 1962.

Papa Françesku mbajti homelinë e rastit

 Papa Françesku e dorëzoi homelinë e rastit, pas leximeve marrë edhe nga Kushtetuta dogmatike mbi Kishën “Lumen Gentium” dhe nga Dekreti mbi ekumenizmin “Unitatis Redintegratio”, që këtë vit mbushin 60 vjet. Para Kryqit të Shën Damianit, prej të cilit Shën Françesku i Asizit mori thirrjen për të rindërtuar Kishën, Papa u kërkon në homeli vëllezërve të krishterë nga tradita të ndryshme që të gjithë së bashku “të përqendrohemi në terrenin e përbashkët të Pagëzimit tonë të përbashkët, i cili na shtyn të bëhemi dishepuj misionarë të Krishtit, me një mision të përbashkët. Bota ka nevojë për një dëshmi të përbashkët, bota ka nevojë që ne të jemi besnikë ndaj misionit tonë të përbashkët”.

 Ati i Shenjtë kujton martirët e parë të Kishës, të cilëve u është kushtuar sheshi ku u kremtua lutja. “Mbi gjakun e tyre u ndërtua kjo bazilikë, mbi gjakun e tyre u ndërtua Kisha”, shkruan ai, duke u lutur që pikërisht këta dëshmitarë të fesë t’i ndihmojnë pjesëmarrësit në Sinod e gjithë të krishterët të afrohen më njëri-tjetrin, ndërsa afrohen me Krishtin.

Intensiteti i hovit ekumenik

 “Ndër frytet më kuptimplote të Sinodit 2021-2024 është intensiteti i hovit dhe premtimi ekumenik që e dallon" (Instrumentum Laboris 2, 107). Në të vërtetë, gjatë gjithë procesit sinodal, si në konsultimet lokale, ashtu edhe në takimet kontinentale e në Sesionin e parë të Asamblesë XVI të Ipeshkvijve, ka qenë gjithnjë e fuqishme thirrja për të vazhduar në rrugën drejt unitetit dhe marrëdhënieve ekumenike. Për këtë arsye, Papa vendosi të rrisë numrin e "delegatëve vëllazërorë", siç quhen pjesëmarrësit nga traditat e tjera të krishtera. Në Sesionin e dytë të Sinodit, që po mbahet këtë muaj në Vatikan, ka 16 përfaqësues të Kishave dhe bashkësive të tjera të krishtera, katër më shumë se vitin e kaluar.

Uniteti i të krishterëve e sinodaliteti

Duke shprehur turpin për shkandullin e ndarjes ndërmjet të krishterëve, gjatë lutjes së sotme ekumenike, Papa Françesku nënvizon në homeli se uniteti dhe sinodaliteti janë të lidhur. Në të dyja proceset, thekson, nuk është fjala për të ndërtuar diçka se sa për të pranuar e për ta bërë të frytshme dhuratën e marrë nga Hyji. Ati i Shenjtë analizon disa aspekte të dhuratës së bashkimit. Së pari, pohon ai, ajo është hir, dhuratë e paparashikueshme e Shpirtit Shenjt, që e udhëheq Popullin e Zotit drejt bashkimit më të madh. Pastaj, uniteti është udhë, njëlloj si procesi sinodal, pasi maturon gjatë rrugës së përbashkët, në shërbimin e ndërsjellë, në dialogun e jetës, në bashkëpunimin ndërmjet të krishterëve. Së treti, vijon Papa, uniteti është harmoni e pikërisht Sinodi ndihmon të zbulohet bukuria e Kishës në shumë fytyrat e saj. Bashkimi ndërmjet të krishterëve, vëren Françesku, nuk është uniformitet, as fryt kompromisi e ekuilibrizmi. Uniteti është harmoni e karizmave të ndryshme dikuar nga Shpirti Shenjt për bashkësinë e gjithë të krishterëve. Së fundi, thekson Papa, ashtu si sinodaliteti, uniteti i të krishterëve është i domosdoshëm për dëshminë e tyre: uniteti është për misionin, sipas fjalëve të Krishtit që “të gjithë të jenë një, që bota të besojë”. Lëvizja ekumenike lindi nga dëshira për të dëshmuar së bashku Krishtin, me të tjerët – nënvizon Ati i Shenjtë – jo larg njëri-tjetrit, ose, edhe më keq, kundër njëri-tjetrit.

Bashkë me vëllezërit e Bashkësisë ekumenike të Taizé-së

Lutja e sotme ekumenike u përgatit nga një ekip i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit dhe nga Dikasteri për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, bashkë me vëllezërit e Bashkësisë ekumenike të Taizé-së. Këta të fundit, ashtu siç bënë vitin e kaluar për lutjen "Together", i dhanë kujt dëshironte mundësinë për të organizuar lutje ekumenike lokale, në lidhje me atë gjatë Sinodit.

11 tetor 2024, 20:35