Papa në Ditën Botërore të të Varfërve: çdo akt dhembshurie është shenjë shprese

Në homelinë e meshës për Ditën Botërore të të Varfërve, Papa Françesku bën thirrje ta shohim praninë e Zotit në vuajtjet e të varfërve dhe të veprojmë me dhembshuri e me vendosmëri para çdo padrejtësie. Jezusi, nënvizoi ai, na fton të kemi sy të aftë për të "lexuar brenda" ngjarjeve të historisë, për të zbuluar se, edhe në ankthin e zemrave dhe të kohës sonë, ka një shpresë të palëkundur

R.SH. - Vatikan

Sot, në Ditën VIII Botërore të të Varfërve, Papa Françesku kremtoi meshën në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve, ndërmjet të cilëve edhe shumë të varfër dhe përfaqësues të organizmave, që i ndihmojnë. Duke reflektuar mbi pamjet apokaliptike, paraqitur në leximin e sotëm ungjillor marrë nga Ungjilli sipas Markut, Papa Françesku e filloi homelinë e tij, duke vënë në dukje ankthin, që mund të ngjallin. Teksti thotë: «Dielli do të errësohet, hëna nuk do të japë më dritën e saj, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë, që janë në qiell do të tunden” (Mk 13,24-25). Për Atin e Shenjtë, kjo pasqyron dhimbjet e botës sonë - urinë, luftën, pabarazitë dhe indiferencën. Por, “nëse nga njëra anë Jezusi duket se përshkruan gjendjen shpirtërore të atyre që kanë parë shkatërrimin e Jeruzalemit dhe mendojnë se fundi tashmë ka ardhur, në të njëjtën kohë Ai shpall diçka të jashtëzakonshme: pikërisht në orën e errësirës dhe të shkretimit, pikërisht kur gjithçka duket se po shembet, Zoti vjen, Zoti afrohet, Zoti na mbledh për të na shpëtuar”. Prandaj, reflektimi i Papës u përqendrua në këto dy realitete: ankthi dhe shpresa, që sfidojnë gjithmonë njëra-tjetrën në duel, në fushën e zemrave tona.

Ankthi na paralizon

Ankthi, nënvizoi ai, “është ndjenjë e përhapur në epokën tonë, ku komunikimi social përforcon problemet dhe plagët, duke e bërë botën më të pasigurt dhe të ardhmen më të vështirë… Nëse vështrimi ynë ndalet vetëm në lajmet e faktet, na pushton ankthi” e ka rrezik “të zhytemi në dëshpërim dhe të mos e kuptojmë praninë e Zotit brenda dramës së historisë”. Mendojnë se "bota është kështu" dhe "nuk mund të bësh asgjë për të". 

“Atëherë – theksoi Ati i Shenjtë - edhe vetë feja e krishterë reduktohet në një përkushtim të padëmshëm, i cili nuk i shqetëson fuqitë e kësaj bote dhe nuk krijon angazhim konkret ndaj bamirësisë. E ndërsa një pjesë e botës është e dënuar të jetojë në lagjet e varfra të historisë, ndërsa pabarazitë rriten dhe ekonomia penalizon më të dobëtit, ndërkohë që shoqëria i kushtohet idhujtarisë së parasë dhe të konsumit, ajo që ndodh është se të varfërit dhe të përjashtuarit nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të vazhdojnë të presin (shih Nxitja Apostolike Evangelii gaudium, 54)”.

Jezu Krishti ndez shpresën

Por Jezusi, në mes të këtij kuadri apokaliptik, ndez shpresën. Hap horizontin, zgjeron shikimin tonë në mënyrë që ta kuptojmë, edhe në pasigurinë e dhimbjen e botës, praninë e dashurisë së Zotit që nuk na braktis. Thotë Ungjilli sipas Markut, "ata do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë me fuqi dhe lavdi të madhe"; dhe Ai "do t'i mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skajin e qiellit" (v. 26-27).

Pra, vërejti Papa, pavarësisht se Jezu Krishti shpall vdekjen e tij, fuqia e ringjalljes do t’i thyejë zinxhirët e vdekjes dhe një botë e re do të lindë nga rrënojat e një historie të plagosur nga e keqja. Kjo është shpresa, që na jep Biri i Hyjit. Edhe ne duhet t’i interpretojmë kështu situatat e historisë sonë tokësore, kërkoi Françesku: “ku duket se ka vetëm padrejtësi, dhimbje dhe varfëri, pikërisht në atë çast dramatik, Zoti afrohet për të na çliruar nga skllavëria dhe për ta bërë të shkëlqejë jetën ( shih v. 29)”.

“E bëhet i afërt me afërsinë tonë të krishterë, me vëllazërimin tonë të krishterë. Nuk është fjala për të hedhur një monedhë në duart e nevojtarëve. Atij, që e jep lëmoshën, i bëj dy pyetje: “I prek duart e njerëzve apo e hedh monedhën pa i prekur? A e sheh në sy njeriun, që ndihmon apo sheh nga ana tjetër?".

A ndjej të njëjtën dhembshuri si Zoti para të varfërve?

Jemi ne, vijoi Papa, dishepujt e Krishtit, që falë Shpirtit Shenjt mund ta mbjellim këtë shpresë në botë. Jemi ne ata, që mund dhe duhet të ndezim dritat e drejtësisë dhe të solidaritetit, ndërsa dynden hijet e një bote të mbyllur. (shih Enc. Fratelli tutti, 9-55). Jemi ne, që Hiri i tij na bën të shkëlqejmë, është jeta jonë e përzier me dhembshuri dhe bamirësi, që bëhet shenjë e pranisë së Zotit, gjithmonë pranë vuajtjeve të të varfërve, për të qetësuar plagët e tyre dhe për të ndryshuar fatin e tyre. Të mos harrojmë, vuri në pah Ati i Shenjtë: shpresa e krishterë ka nevojë për ne dhe përkushtimin tonë, për të krishterë që nuk shohin nga ana tjetër. Françesku tregoi historinë e një çifti të pasurish krejt indiferentë, që dilnin nga restoranti, në mes të dimrit, duke mos e vënë re gruan e varfër, që lypte para tyre. Pastaj, përmendi një teolog të Nëntëqindës, që thoshte se feja e krishterë duhet të nxisë në secilin një “mistikë të syve të hapura”, pra, një përshpirtëri që i sheh problemet e kësaj bote me sytë e Krishtit.

“A ndjej të njëjtën dhembshuri si Zoti para të varfërve, para atyre që nuk kanë punë, që nuk kanë çfarë të hanë, që përjashtohen nga shoqëria? E, nuk duhet të shikojmë vetëm problemet e mëdha të varfërisë globale, por edhe atë pak që të gjithë mund ta bëjmë, çdo ditë, me stilin tonë të jetesës, me vëmendje dhe kujdes për ambientin në të cilin jetojmë, me kërkimin këmbëngulës për drejtësi, me ndarjen e pasurisë sonë me më të varfrit, me angazhimin social dhe politik për të përmirësuar realitetin rreth nesh”.

Në Ditën Botërore të të Varfërve, Papa e përfundoi homelinë e tij, duke kujtuar një paralajmërim të kardinalit të ndjerë Carlo Maria Martini, që thoshte se “bëhemi Kisha e Jezusit në masën me të cilën u shërbejmë të varfërve”.

Projekti për Sirinë

Para meshës, Papa Françesku bekoi simbolikisht 13 çelësa, të cilët përfaqësojnë 13 vendet në të cilat Aleanca e të Pastrehëve Famvin (FHA), pjesë e Familjes Vinçenciane, do të ndërtojë shtëpi të reja për të varfërit, përmes projektit "13 shtëpi" për Jubileun. Ndër këto vende është edhe Siria, 13 shtëpitë e së cilës do të financohen drejtpërdrejt nga Vatikani, si gjest bamirësie për Vitin Shenjt.

17 nëntor 2024, 11:24