Papa: kur lutemi le ta bëjmë me zemër, jo si papagaj
R.SH. - Vatikan
“Lutja e krishterë nuk është njeriu që nga njëra anë e telefonit i flet Zotit, në anën tjetër. Jo, është Zoti që lutet në ne! Ne i lutemi Zotit nëpërmjet Zotit. Të lutesh do të thotë të jemi brenda Zotit e Zoti të hyjë brenda nesh" dhe, kështu, Shpirti Shenjt jo vetëm "ndërmjetëson për ne, por edhe na mëson të ndërmjetësojmë për vëllezërit tanë".
Papa Françesku vazhdon kështu ciklin e katekizmit kushtuar Shpirtit Shenjt dhe Kishës e, pasi ka shpjeguar më parë se si shprehet veprimi shenjtërues nëpërmjet Fjalës së Zotit dhe Sakramenteve, në audiencën e sotme, 6 nëntor, ndalohet tek marrëdhëniet ndërmjet Shpirtit Shenjt dhe lutjes.
Lutuni lirshëm, si fëmijë
Në lutjen e krishterë, pra, Shpirti Shenjt është njëkohësisht "subjekt" dhe "objekt": "Ne lutemi të marrim Shpirtin Shenjt - shpjegoi Françesku, duke iu drejtuar besimtarëve që e ndiqnin nën një diell të butë nëntori në Sheshin e Shën Pjetrit – dhe e marrim Shpirtin për të qenë në gjendje të lutemi me të vërtetë, domethënë si fëmijë të Zotit, jo si skllevër". Për ta bërë këtë, është e nevojshme "të lutemi gjithmonë lirisht", pa menduar "sot duhet të them këtë lutje, e këtë, e këtë, e këtë, e këtë, sepse e kam premtuar këtë, këtë, këtë, përkundrazi, do të shkoj në fund të ferrit":
Lutja është e lirë. Ti lutesh kur Shpirti të ndihmon të lutesh. Ti lutesh kur ndjen nevojën për t'u lutur në zemrën tënde e, kur nuk ndjen asgjë, ndalon dhe pyet veten: “Pse nuk ndjej dëshirën për t'u lutur? Çfarë po ndodh në jetën time?". Por, çka na ndihmon gjithnjë më shumë, është spontaniteti në lutje:
“Kjo do të thotë të lutesh si fëmijë, jo si skllevër!”
Kur e thërret, Shpirti Shenjt arrin gjithmonë
Para së gjithash - sqaroi Papa - “duhet të lutemi për ta marrë Shpirtin Shenjt” – do ta pranojmë, siç ndodh me “vocrrakët” të cilëve secili prej nesh di t’u japë gjëra të mira - dhe kujtoi lidhur me këtë se: "Në Testamendin e Ri shohim se Shpirti Shenjt zbret gjithmonë gjatë lutjes": mbi Jezusin kur pagëzohet në Jordan, ndërsa "ishte në lutje", në Rrëshajë mbi dishepujt, ndërsa "ata ngulmonin njëzëri në lutje".
Lutja është i vetmi "pushtet" - vazhdoi Françesku - që kemi mbi Shpirtin e Perëndisë" - "ne lutemi, e ai vjen" - dhe kujton kur, në malin Karmel, profetët e rremë të Baalit sticoheshin duke thirrur nga qielli zjarrin mbi flijimin e tyre, ndërsa nuk ndodhi asgjë, derisa Elia u lut, e zjarri zbriti dhe e përpiu flijen:
Kisha e ndjek me besnikëri këtë shembull: ka gjithmonë në buzë lutjen “Eja! Ti eja!" drejtuar Shpirtit Shenjt, "Eja" - sa herë i drejtohet Shpirtit Shenjt. Dhe e bën posaçërisht në Meshë, që të zbresë si vesa e t’i shenjtërojë bukën dhe verën për flijën eukaristike”.
Mësoni të luteni çdo ditë
Prandaj aspekti i dytë i theksuar nga Papa, është më i rëndësishmi dhe më inkurajuesi për ne: “Shpirti Shenjt na e dhuron lutjen e vërtetë". E më pas citon Shën Palin, kur thotë se "Shpirti i vjen në ndihmë ligështisë sonë; në të vërtetë, shumë herë nuk dimë të lutemi siç duhet, por Shpirti vetë ndërmjetëson me rënkime të pashprehshme".
Është e vërtetë, reflekton Françesku, "ne nuk dimë të lutemi", duhet "të mësojmë çdo ditë" ta bëjmë këtë. Më pas përsërit një thënie, të lehtë për t'u mbajtur mend edhe për ata që nuk dinë latinisht", e që ia vlen ta kemi parasysh, "sepse vetëm ajo përmban një traktat të tërë": "Ne, qenjet njerëzore, kujton ajo thënie: ‘mali, mala, male petimus', që do të thotë: duke qenë të këqinj (mali), kërkojmë gjëra të gabuara (mala) e në mënyrë të gabuar (domethënë, të keqe)”.
Jezusi thotë: "Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe pjesa tjetër do t'ju jepet si shtesë", ne ndërkaq kërkojmë gjithçka, domethënë interesat tona - shumë herë, eh - dhe harrojmë plotësisht të kërkojmë mbretërinë e Zotit.
Shpirti Shenjt, avokat dhe mbrojtës
Këtu “dobësisë sonë i vjen në ndihmë Shpirti Shenjt": duke na vërtetuar se "ne jemi bij të Perëndisë", "na vë në buzë thirrjen: "Atë!". Nuk mund të themi "Atë, Abba", nuk mund të themi "Atë" pa fuqinë e Shpirtit Shenjt". Në lutje, në veçanti, Shpirti Shenjt shfaqet si "paraklit", domethënë "avokat dhe mbrojtës":
Ai nuk na paditë përpara Atit, por na mbron. Po, ai na mbron, na bind se jemi mëkatarë, por e bën që ne të shijojmë gëzimin e mëshirës së Atit, e jo që të na shkatërrojë me ndjenja sterile faji. E kur zemra na qorton për diçka, Ai na kujton se ‘Zoti është më i madh se zemra jonë”.
Gramatika e Zotit
Por jo vetëm kaq, shton Papa duke folur lirisht: "Zoti është më i madh se mëkati ynë". Dhe nëse dikush ka shumë frikë se "për gjërat që ka bërë, do të qortohet nga Zoti" dhe "nuk mund të gjejë paqe", këshilla e Françeskut është: "Lutuni, thirreni Shpirtin Shenjt e Ai do t'ju ndihmojë, do t’ju mësojë se si të kërkoni falje":
Dhe a e dini diçka? Zoti nuk di shumë gramatikë dhe, kur i kërkojmë falje, nuk na lë të mbarojmë! “Për…” dhe aty, ai nuk na lë ta përfundojmë fjalën falje. Ai na fal i pari, na fal gjithmonë, është gjithmonë pranë nesh për të na falur, para se të mbarojmë fjalën falje. Ne themi “Për…” dhe Ati na fal gjithmonë.
Lutja e ndërmjetësimit, falas, pa interes
Kështu Shpirti Shenjt jo vetëm që "ndërmjetëson për ne", por na mëson ta bëjmë këtë edhe për të tjerët me lutjen ndërmjetësuese, veçanërisht e pëlqyeshme për Zotin "sepse është më e lira dhe më e painteresuara". "Kur të gjithë luten për të gjithë, ndodh - thoshte Shën Ambrozi - që të gjithë luten për të gjithë" dhe "lutja shumëfishohet": lutja "për këtë person, lutja për atë të sëmurë, për atë që është në burg, lutje". …, lutu edhe për vjehrrën tënde”, bëri shaka Françesku.
Së fundi, Papa caktoi "një detyrë shumë të çmuar dhe të nevojshme në Kishë", veçanërisht në këtë kohë të përgatitjes së Jubileut: "të bashkohemi me Paraklitin" që "ndërmjetëson për të gjithë ne në planet e Zotit". Por, paralajmëron, “mos u lutni si papagaj, ju lutem! Mos thuaj 'Bla, bla, bla...' Jo!
Thuaj 'Zot', por thuaje nga gjithë zemra. 'Më ndihmo, o Zot', 'Të dua, Zoti im'. Dhe kur thoni Atynën, lutuni kështu ‘O Atë, Ti je Ati im. Lutuni me zemër, e jo me buzë’.