Papa i shkruan nuncit në Rusi: lufta, plagë e rëndë, shkaktuar familjes njerëzore
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku merr sërish kartë e penë për të shkruar, siç bëri më 19 nëntor me nuncin në Ukrainë, një letër për përfaqësuesin e tij në Federatën Ruse, imzot Giovanni d'Aniello. Ati i Shenjtë shpreh dhimbjen për luftën sfilitëse e tejet të zgjatur, "plagë serioze, shkaktuar familjes njerëzore", për të inkurajuar më pas "përpjekje të reja diplomatike", që i vënë fre konfliktit dhe çojnë drejt paqes.
“Shpresoj që përpjekjet humanitare në favor të më të brishtëve t’u hapin rrugën përpjekjeve të reja diplomatike, të nevojshme për të ndalur vazhdimin e konfliktit dhe për të arritur paqen e shumëpritur”.
Pranë kujtdo që vuan
Fatkeqësisht, paqja e shumëpritur, më se një mijë ditë pas fillimit të agresionit rus, duket ende larg. Në gati tri vjet bombardime, vrasje, plagosje, burgime, numri i të vdekurve ka arritur në qindra mijëra dhe një lumë lotësh është derdhur nga familjet. Françesku dëshiron t’u qëndrojë pranë të dy popujve, si atij ukrainas, ashtu edhe atij rus, duke u bërë zëri i dhimbjes së "dhjetëra mijëra nënave, baballarëve dhe fëmijëve, që vajtojnë të afërmit e tyre të rënë në luftë, ose që janë në ankth për të zhdukurit, robërit a të plagosurit, ushtarakë a civilë".
“Britma e tyre lartohet deri tek Zoti, duke kërkuar paqen në vend të luftës, dialogun në vend të krismave të armëve, solidaritetin në vend të interesave të pjesshme, sepse nuk mund të bëhen kurrë vrasje, në emër të Zotit”.
Fjodor Dostojevski dhe romani “Vëllezërit Karamazov”
“Zgjatja e dhimbshme e kësaj lufte na sfidon urgjentisht, duke na bërë thirrje të reflektojmë së bashku si t’ua lehtësojmë dhimbjen të prekurve prej saj dhe të arrijmë paqen”, shkruan Papa në letrën e 12 dhjetorit, që u bë e njohur sot, 14 dhjetor. Lajmet për bombardime e civilë të vrarë nën bomba, për furnizimet me armë dhe për mungësën e një armëpushimi, që duket se nuk ka ndërmend të mbërrijë, e shqetësojnë jashtëzakonisht Papën. E denoncon këtë gjendje, duke përdorur kulturën ruse e duke përmendur një nga autorët më të dashur për të, Fjodor Dostojevskin dhe romanin e tij “Vëllezërit Karamazov”. Në veçanti, kujton dialogun e kapitullit të katërt të Librit V, në të cilin Ivani, njëri nga vëllezërit, i shpjegon Aljoshës se ai e refuzon botën e Zotit, për shkak të vuajtjeve njerëzore, veçanërisht të fëmijëve. Skenë e cituar disa herë nga Papa në këto vite të papnisë.
“Vuajtja, që u shkaktohet të pafajshmëve, është denoncim i fuqishëm kundër çdo forme të dhunës”.
Të përtërihen përpjekjet diplomatike
Papa Françesku shkruan se bashkohet me thirrjen e të vuajturve, që e kanë “zemrën e thyer për jetët e ndërprera, për shkatërrimet e mizoritë”, duke pasur parasysh “plagën e rëndë, që i ka shkaktuar familjes njerëzore kjo luftë”. Së bashku me kërkesën për përpjekje të reja diplomatike, në favor të paqes, Ati i Shenjtë kujton fjalët e "një njeriu të urtë të Zotit, aq të dashur për popullin rus", Shën Serafimit të Sarovit: "Përvetëso frymën e paqes dhe mijëra rreth teje do të shpëtohen".
Përmes nuncit në Rusi, Papa e fton "çdo njeri vullnetmirë të bashkohet në lutjen drejtuar Zotit për dhuratën e paqes dhe në impenjimin për të kontribuar në këtë qëllim fisnik, për të mirën e mbarë njerëzimit".