Papa përpara skenës së lindjes së Krishtit në Shën Martë në Vatikan Papa përpara skenës së lindjes së Krishtit në Shën Martë në Vatikan

Papa: në audiencë,"një betlehem të lindjes së Krishtit në shtëpitë tuaja"

Papa: “Krishtlindja tashmë është afër dhe më pëlqen të mendoj se në shtëpitë tuaja ka një skenë a betlehem të lindjes së Krishtit”. “Ky element i rëndësishëm i spiritualitetit dhe kulturës sonë, është një mënyrë ndjellëse për të kujtuar Jezusin që erdhi për të jetuar e banuar mes nesh”.

R.SH. / Vatikan

“Krishtlindja tashmë është afër dhe më pëlqen të mendoj se në shtëpitë tuaja ka një skenë a betlehem të lindjes së Krishtit”. Kjo është dëshira e Papës shprehur në fund të audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në sallën Pali VI, në Vatikan, gjatë përshëndetjes drejtuar besimtarëve italishtfolës. “Ky element i rëndësishëm i spiritualitetit dhe kulturës sonë, që është Betlehemi me skenën e Lindjes së Jezusit, – nënvizoi Ati i Shenjtë Françesku – është një mënyrë ndjellëse për të kujtuar Jezusin, që erdhi për të jetuar e banuar mes nesh”.

Skenat e Betlehemit dhe "drama e luftës"

Shpella e Betlehemit, siç e shikojmë të realizuar edhe sot e kësaj dite, sipas traditës, nis me Shën Françeskun. Varfanjaku i Asizit pati dëshirë ta rijetonte si të ndodhte atë ditë, skenën natyrore të Lindjes së Krishtit në Betlehem. Në vitin 1223, në Greçio, fshat që ndodhet në krahinën italiane të Umbries, e pasuroi për herë të parë Meshën e Natës së Krishtlindjes me një Shpellë të gjallë Betlehemi, ngjarje që më pas u pikturua me mjeshtri të rrallë nga Xhoto në Bazilikën e sipërme të Asizit.

Të paraqesësh ngjarjen e madhe të Lindjes së Jezusit - lexojmë në letrën apostolike “Admirabile signum” të Papës Bergoglio, nënshkruar më 10. 12. 2019, në Greçio të Italisë - është njëlloj si të kumtosh misterin e Mishërimit të Birit të Zotit me thjeshtësi e gëzim”. “Ndërsa kundrojmë skenën e Krishtlindjes - pohon Papa - jemi të ftuar të vihemi shpirtërisht për udhë, të tërhequr nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar çdo njeri. E, zbulojmë se Ai na do deri në atë pikë, sa të bashkohet me ne, që kështu edhe ne të mund të bëhemi një me Të.

Kështu, duke shikuar skenat e lindjes së Jezusit, tha Papa, gjatë audiencës me elegacionet që sivjet dhuruan simbolet e Krishtlindjes, Bedhin e Shpellën e Betlehemit, për Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe Sallën Pali VI, të pritura, më 7 dhjetor, vëren, megjithë larminë e tyre, "të njëjtin mesazh paqeje dhe dashurie" të lënë nga Jezusi, të gjithë njerëzit vullnet mirë, e edhe për ata që "në vendin ku lindi i biri i Zotit ", sot vijojnë të vuajnë "nga drama e luftës".

18 dhjetor 2024, 12:29