2022.06.28 Papa Françesku përpara skenës së lindjes së Krishtit gjatë audiencës së përgjithshme 2022.06.28 Papa Françesku përpara skenës së lindjes së Krishtit gjatë audiencës së përgjithshme

Papa: të përgatitemi për ardhjen e Shëlbuesit

Papa: të përgatitemi për ardhjen e Shëlbuesit, në këtë kohë të #Ardhjes dhe veçanërisht në Vitin e Shenjtë që po afrohet, duke u lutur me shpresë: "Eja, o Zot Jezus!".

R.SH. / Vatikan

"Le të përgatitemi për ardhjen e Shëlbuesit, në këtë kohë të #Ardhjes dhe veçanërisht në Vitin e Shenjtë që po afrohet, duke u lutur me shpresë: "Eja, o Zot Jezus!"". Kështu shkruan Papa Françesku në platformën sociale X, sot më 17 dhjetor 2024.

Të presim Lindjen e Zotit në zemra

“Zoti është afër: ejani ta adhurojmë!”. Me këtë thirrje liturgjia na fton, këto ditë e orë të fundme të Kohës së Ardhjes, t’i afrohemi, gati-gati në majë të gishtërinjve, Shpellës së Betlehemit, ku ndodhi ngjarja e jashtëzakonshme, që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit: lindja e Shëlbuesit. Në Krishtlindje ndalemi përsëri para Shpellës së Betlehemit, për të kundruar, të mrekulluar, “Fjalën e Zotit të mishëruar” - "Emanuelin" Zotin me ne.

Ndjesi gëzimi e mirënjohjeje rilindin në zemrat tona si çdo vit, duke dëgjuar ecur drejt Krishtlindjes. Krijuesi i universit vjen për dashuri për të vendosur banesën e vet ndërmjet njerëzve. Në letrën drejtuar Filipianëve, Shën Pali Apostull pohon se Krishti: “…edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me të, nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të; por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (2,6). U duk në formë njerëzore – shton Apostulli – duke e përulur vetveten”. 

Po i afrohemi Lindjes së Jezu Krishtit dhe Kisha na fton të kujdesemi më shumë për t’i ngritur në shpirtin tonë dhe në familjet tona një banesë të denjë, ku Ai ta ndjejë se e presim me fe e dashuri. Virgjëra Mari e Shën Jozefi na ndihmojnë e mësojnë si ta jetojmë misterin e Krishtlindjes, me të njëjtën mahnitje që e jetuan ata, me gëzim e paqe.

Të dëgjojmë thirrjen e Shën Maksimit, ipeshkvit të Torinos: “Ndërsa presim Lindjen e Zotit, të vishemi përsëri me rroba të pastra, pa asnjë njollë. Flas për veshjen e shpirtit, jo për atë të korpit. Të vishemi jo me rroba mëndafshi, por me vepra të shenjta! Veshjet madhështore mund të mbulojnë gjymtyrët, por nuk e zbukurojnë ndërgjegjen”.

 

17 dhjetor 2024, 12:53