Në lutje për shëndetin e Papës (AFP ose licencuesit) Në lutje për shëndetin e Papës (AFP ose licencuesit)

Papa: tri vjet luftë në Ukrainë, “përvjetor i dhimbshëm dhe i turpshëm për njerëzimin”

Papa, i shtruar në spital, në Gemelli, e dorëzoi tekstin e Engjëllit të Zotit, transmetuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, me rastin e përvjetorit të tretë, më 24 shkurt, që nga fillimi i konfliktit kundër Kievit, rikujton "afërsinë me popullin e munduar ukrainas" dhe bën thirrje për lutje, kushtuar edhe vendeve të tjera në luftë. Përshëndet të pranishmit në Jubileun e Diakonëve, falënderon stafin mjekësor të Gemellit për kujdesin e edhe besimtarët, veçanërisht të vegjlit,për dashurinë e tyre

R.SH. / Vatikan

Edhe një herë, lutja e Engjëllit të Zotit e së Dielës i krijoi Papës Françeskut mundësinë t’i falënderojë të gjithë ata që po tregojnë dashuri në këto ditë, duke e ndjekur gjatë mjekimit në Poliklinikën Gemelli, në Romë. Mendimet e tij, siç bëri edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të dielën e kaluar, 16 shkurt, i kushtohen të gjithë punonjësve spitalorë, që kujdesen për shëndetin e tij.

Nga ana ime, vazhdoj me besim shtrimin në Poliklinikën Gemelli, duke vijuar mjekimet e nevojshme; edhe pushimi është gjithashtu pjesë e terapisë! Falënderoj sinqerisht mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë të këtij spitali për vëmendjen që po më tregojnë dhe përkushtimin me të cilin kryejnë shërbimin e tyre ndërmjet njerëzve të sëmurë.

Ndër shprehjet e shumta të afërsisë, Françesku kujtoi veçanërisht ato të të vegjëlve.

Në këto ditë kam marrë shumë mesazhe dashurie dhe më kanë prekur veçanërisht letrat dhe vizatimet e fëmijëve. Faleminderit për këtë afërsi dhe për lutjet e ngushëllimit që mora nga e gjithë bota! Ia besoj të gjithë ndërmjetësimit të Marisë dhe ju kërkoj të luteni për mua.

Një nga vizatimet dërguar Papës nga fëmijët e Departamentit të Onkologjisë Pediatrike të Gemellit

Përshëndetje pjesëmarrësve në Jubileun e Diakonëve

Papa u drejtoi, pastaj, përshëndetjet e tij kandidatëve për diakonat dhe të gjithë pjesëmarrësve në Jubileun e Diakonëve, zhvilluar ditët e fundit në Vatikan, që morën pjesë edhe këtë mëngjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në meshën e kryesuar, siç ishte deleguar nga Papa, nga Imzot Rino-Prefekti i cili lexoi homelinë e përgatitur nga Papa.

Papa u bën të gjithëve ftesën për të ndjekur rrugën e dashurisë në ushtrimin e apostullimit të tyre.

Të nderuar vëllezër Diakonë, ju që i kushtoheni shpalljes së Fjalës dhe shërbimit të bamirësisë; kryejeni shërbesën tuaj në Kishë me fjalë dhe me vepra, duke sjellë dashurinë e mëshirën e Zotit për të gjithë. Ju bëj thirrje të vazhdoni me gëzim apostullimin tuaj dhe - siç na porosit Ungjilli i sotëm nga Luka- të jeni shenjë e një dashurie që i përqafon të gjithë, që e shndërron të keqen në të mirë dhe krijon një botë vëllazërore. Mos kini frikë të rrezikoheni për dashurinë!

Ukrainë, përvjetor i turpshëm

Françesku, si zakonisht, i bëri thirrje besimtarëve të luten për paqe në të gjitha ato vende, që po përballojnë konflikte dramatike, nga Palestina në Sudan, me një mendim të veçantë për Ukrainën, e cila nesër, më 24 shkurt, do të përjetojë përvjetorin e tretë të fillimit të luftës: turp, denoncon, për mbarë botën.

Nesër mbushet viti i tretë i luftës në shkallë të gjerë kundër Ukrainës:  përvjetor i dhimbshëm dhe i turpshëm për mbarë njerëzimin! Ndërsa përsëris afërsinë time me popullin martir ukrainas, ju ftoj të kujtoni viktimat e të gjitha konflikteve të armatosura dhe të luteni për dhuratën e paqes në Palestinë, Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme, në Mianmar, në Kivu dhe në Sudan.

23 shkurt 2025, 13:22

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >