PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Papa: kërkoj që armët të heshtin menjëherë!

Françesku, i sapo kthyer “në shtëpi”, e nis lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, publikuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, duke kujtuar vlerën e durimit, që i çon njerëzit drejt kthesës së madhe, drejt Zotit! Më pas e vijon duke i quajtur “të dashur” vëllezërit e motrat, grumbulluar me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit e duke u uruar “të dielë të lumtur!”. Pa harruar kujdesin e personelit shëndetësor, që e ndihmoi e as dhimbjen për rifillimin e bombardimeve në Gaza

R.SH. - Vatikan

E diela e sotme ishte e pazakontë, e shumëpritur, ende me jehonën e  Rruzareve, që një turmë e madhe i përsëriti, duke iu lutur me gjithë shpirt Zotit të vinte kjo ditë… Ditë që erdhi! Erdhi dhe e solli Papën atje ku pritej: në mes të popullit, që e quan “Atë”.  

Ndonëse në dalje nga spitali, Papa përshëndeti turmën e mbledhur para spitalit Gemelli dhe gjeti aq forca sa ta krijonte rishtas atmosferën e lutjes së Engjëllit në një ditë si kjo, e pazakontë, plot gëzim! Nga kati i dhjetë i Poliklinikës, Ati i Shenjtë bekoi besimtarët, duke dalluar, mes tyre, një grua me lule të verdha, simbol i flamurit vatikanas.

"Faleminderit të gjithëve! - tha Papa. - E po shoh atë zonjën me lule të verdha. Sa e mirë!"

Durimi i Zotit…

Edhe kësaj së diele, teksti i reflektimit papnor për Engjëllin e Tënzot u botua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Shëmbëlltyra që gjejmë në Ungjillin e sotëm - kujton në të Papa - na flet për durimin e Zotit, i cili na nxit ta bëjmë jetën tonë kohë kthimi në fe. Jezusi përdor figurën e një fiku pa kokrra, që nuk ka dhënë frytin e dëshiruar të cilin, megjithatë, fshatari nuk do ta presë: dëshiron ta plehërojë rishtas për të parë "nëse do të japë fryte në të ardhmen" (Lk 13:9). Ky fshatar i duruar është Zoti, që e punon me kujdes tokën e jetës sonë dhe e pret plot besim kthimin tonë tek Ai.

e durimi i Papës…

Në këtë periudhë të gjatë shtrimi në spital - vijon Papa  - pata rastin ta jetoj durimin e Zotit, të cilin e pashë të pasqyruar edhe në kujdesin e palodhur të mjekëve e të punonjësve shëndetësorë, si dhe në vëmendjen dhe shpresat e të afërmve të të sëmurëve.

Ky durim besimplotë, i ankoruar në dashurinë e pashuar të Zotit, që nuk mungon kurrë, është vërtet i nevojshëm në jetën tonë, veçanërisht për të përballuar situatat më të vështira dhe më të dhimbshme.

Me trup në spital, me zemër në viset e martirizuara

Më hidhëroi shumë rifillimi i bombardimeve të rënda izraelite në Rripin e Gazës – thekson dhimbshëm Papa - me aq shumë vdekje dhe plagosje:

Kërkoj që armët të heshtin menjëherë; e të kemi guximin të rifillojmë dialogun, në mënyrë që të gjitha pengjet të lirohen dhe të arrihet armëpushimi përfundimtar. Situata humanitare në Rrip është rishtas shumë e rëndë, ndaj kërkon veprim urgjent nga palët ndërluftuese dhe bashkësia ndërkombëtare.

Jam i kënaqur, ndërkaq, që Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për tekstin përfundimtar të Marrëveshjes së Paqes. Shpresoj të nënshkruhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kështu të kontribuojë për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Kaukazin e Jugut.

Falënderim i dalë nga zemra!

Ju po vazhdoni të luteni për mua me kaq shumë durim e këmbëngulje - këto fjalët e falënderimit, që u drejton Papa besimtarëve:

Faleminderit shumë! Edhe unë lutem për ju. E, së bashku, lutemi të marrin fund luftërat e të bëhet paqe, veçanërisht në Ukrainën e martirizuar, në Palestinë, Izrael, Liban, Myanmar, Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

Virgjëra Mari na ruajtë dhe vazhdoftë të na shoqërojë!

23 mars 2025, 12:09

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >