Ta kremtojmë Kohën e Gjithësisë bashkë me familjen ekumenike
R.SH. - Vatikan
“E inkurajojmë Popullin e Zotit të shpejtojë hapat drejt shtigjeve të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme, duke planifikuar veprimtaritë për Kohën e Gjithësisë”. Kështu shkruhet në letrën e Sekretarit të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, imzot Bruno-Marie Duffé, ku urohet që e gjithë familja e krishterë ekumenike ta kremtojë së bashku periudhën që shkon nga 1 shtatori, Dita Botërore e Lutjes për Kujdesin ndaj Gjithësisë së krijuar nga Hyji e, deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut të Asizit.
Për t’iu përgjigjur britmës së Tokës
Në fund të Javës Laudato Sì dhe pas fillimit të Vitit të Posaçëm kushtuar enciklikës së Papës Françesku, botuar 5 vite më parë, Dikasteri kujton se Koha e Gjithësisë, siç thoshte Ati i Shenjtë më 2019, është “periudhë më intensive lutjeje e veprimi për të mirën e shtëpisë së përbashkët”, “për t’u mësuar të luemi”, “për të reflektuar mbi mënyrën tonë të jetesës”, “për të ndërmarrë veprime profetike, duke kërkuar zgjidhje të guximshme”. Në letër ftohen të gjithë të krishterët të ndërmarrin nisma të veçanta, si “një meshë e veçantë, ose një shtegtim në këmbë, ndonjë mobilizim për t’iu përgjigjur britmës së tokës dhe asaj të të varfërve”, etj..
Rojtarë të veprës së Hyjit
Kjo përgjigje është e domosdoshme dhe urgjente sidomos në këtë kohë pandemie, që “po na dëshmon se vetëm së bashku – pati thënë Papa Françesku - dhe duke marrë përsipër më të brishtët mund t’u bëjmë ballë sfidave globale”. Në pasiguri dhe në sprovë, e kuptojmë se “gjithçka është e ndërvarur” dhe se duhen “rikrijuar lidhjet e ndërprera”. Solidariteti, vëllazërimi dhe kujdesi për njëri-tjetrin, janë fjalët kyçe të tekstit të Dikasterit vatikanas, me të cilin inkurajohen ipeshkvijtë dhe institucionet kishtare të ndihmojnë besimtarët, që të bëhen të vetëdijshëm për detyrën e tyre si “rojtarë të veprës së Zotit”, “pjesë thelbësore e një jete të virtytshme, që nuk është fakultative e as aspekt dytësor i përvojës së krishterë” (Laudato sì, 217). Kohë për përtëritjen e tokës dhe të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.
Impenjimi i Dikasterit
Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor është i impenjuar në gjetjen e një përgjigjeje globale ndaj pandemisë, duke shqyrtuar si nevojat aktuale të atyre, që vuajnë në të tashmen, ashtu edhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë në të ardhmen. Informacione të mëtejshme mbi Kohën e Gjithësisë, koordinuar nga një komitet drejtues ekumenik, mund të gjenden në faqen e internetit SeasonofCreation.org.