Kardinali Parolin hap Festivalin e Ekologjisë së gjithanshme
R.SH. - Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, hap punimet e edicionit të parë të Festivalit të Ekologjisë së gjithanshme, që mbahet në Montefiascone të Italisë nga data e sotme (24 qershor) e deri më 27 qershor. Organizuar nga shoqata “Kështjella e Papëve, për një ekologji të gjithanshme”, takimi titullohet “Në gjithësi, gjithçka është e lidhur: rizbulimi i marrëdhënive”. Është fjala për tri ditë me debate, shfaqje, tryeza të rrumbullakëta dhe koncerte.
Natyrë, kundrim dhe falënderim
Festivali ka si pikë referimi Enciklikën e Papës Françesku “Laudato si’” dhe fton të “rizbulohet ajo ekologji shpirtërore, që dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet themelore me Zotin Krijues, duke inkurajuar kontaktin më të madh me natyrën”, siç shpjegon imzot Fabio Fabene, kryeipeshkëv titullar i Montefiascone-s dhe sekretar i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. “Bukuria natyrore e peizazhit në të cilin jemi zhytur, që shtrihet nga deti në Apenine - pohon imzot Fabene - na hap vështrimin kundrues dhe mahnitjen, që kthehet në lavd, gëzim dhe mirënjohje për Zotin”. Që sot, krah Festivalit, është hapur një ekspozitë bio-arkitekture, ndërsa në fund të tij, do të jepet çmimi “Rojtar i Krijimit” për disa persona dhe ndërmarrje, që promovojnë ekologjinë e gjithanshme.