Run4Unity 2023, stafeta botërore ekologjike e të rinjve
R.SH. – Vatikan
Dje, 7 maj, në shumë vende të botës, adoleshentë, familje e të rinj nga kultura të ndryshme, përshkuan mijëra kilometra dhe mbollën pemë, në shenjë të impenjimit të tyre për paqen. 200 mijë vetë morën pjesë në Run4Unity, stafetë botërore në qindra qytete, megjithëse larg njëri-tjetrit, me një objektiv të vetëm: favorizimin e kthesës ekologjike.
Së bashku për të mbrojtur gjithçka ka krijuar Zoti
Mbështetur dhe promovuar nga Platforma e Nismave “Laudato Si'” e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, udhëhequr nga të rinjtë e Lëvizjes Fokolarine si pjesë e Javës së tyre Bota e Bashkuar, Run4Unity 2023 pati si temë "Njerëzit, planeti dhe kthesa jonë ekologjike”. Pjesëmarrësit e të gjitha moshave shkëmbyen kilometrat e përshkuara dhe minutat e ushtrimeve fizike me pemë për t’u mbjellë në gjithë botën.
Nisma filloi nga Ishujt Fixhi, vend simbolik për ekologjinë, pasi i ndien jashtë mase pasojat e ndryshimeve klimatike. Prej andej, të rinjtë ia kaluan stafetën njëri-tjetrit, sipas meridianeve të ndryshimit të orarit, duke përshkuar kështu gjithë planetin. Stafeta, gjatë së cilës u mbajtën një sërë videokonferencash, përfundoi në Kaliforni, pas 24 orësh. Pjesëmarrësit vrapuan, ecën, morën pjesë në ngjarje sportive lokale, disa prej të cilave u zhvilluan në vende simbolike për paqen, në kufi me shtete e me bashkësi në konflikt, si edhe në zona të rëndësishme nga pikpamja ekologjike, për të dëshmuar unitetin dhe paqen. Ndër pjesëmarrësit, edhe disa nga njëmijë shkollat e “Laudato si’”, të pranishme në gjithë botën, si edhe grupe, që bëjnë pjesë në Projektin “Living Peace”.