Kërko

Il cardinale Pizzaballa nell'Aula Paolo VI dell'università lateranense per la sua lectio sulla pace Il cardinale Pizzaballa nell'Aula Paolo VI dell'università lateranense per la sua lectio sulla pace

Kard. Pizzaballa: kohë të gjata për paqen e vërtetë. Të dialogojnë falja, e vërteta, drejtësia

Në Lateran, lectio magistralis i Patriarkut të Jeruzalemit: "Duhet të punojmë për armëpushimin, si hapi i parë drejt perspektivave të tjera politike të cilat, megjithatë, duhen vënë në jetë". Kardinali flet për ligështinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe u bën thirrje feve të mos “hedhin benzinë ​​në zjarr”: duhen dëshmitarë të besueshëm dhe të ndershëm, në Ungjill gjenden të gjitha kriteret për të ndërtuar paqen

R.SH. / Vatikan

Pas marrjes në zotërim të famullisë së Shën Onufrit, në Romë, patriarku i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, mbajti një lectio magistralis, organizuar nga Universiteti Papnor Lateran me temë "Karakteret dhe kriteret për baritorinë e paqes", takim veçanërisht i rëndësishëm edhe për lidhjen e Institutit të Studimeve Teologjike të Patriarkanës Latine të Jeruzalemit me Fakultetin Teologjik të PUL-së (Universiteti Papnor Lateranens), lidhje e Romës me Jeruzalemin, me "rëndësi themelore për Kishën sot" - vëren Patriarku.

Në përfundim të fjalës së tij të detajuar, duke u ndalur për pak çaste me gazetarët, ai saktësoi se "paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme do të kërkojë një kohë të gjatë. Tani duhet të punojmë për armëpushimin, si hapi i parë drejt perspektivave të tjera politike, të cilat megjithatë duhet punë që të ndërtohen, sepse janë të gjitha paksa të largëta". Prelati përsëriti edhe se "është shumë e vështirë të identifikohen rrugët dhe perspektivat, ndërkohë që konflikti është në vijim”. Mbështeti kërkesën për lirimin e pengjeve izraelite dhe, të paktën, të disa të burgosurve palestinezë, duke shtuar "të shohim pastaj".

Të krishterët - kujtoi Kardinali Pierbattista Pizzaballa - mund të krijojnë hapësira ku të takohen organizatat, institucionet, politikanët dhe rregulltarët. Ndërkaq  Kisha impenjohet të krijojë premisa dhe kontekste lehtësimi. Ky aspekt ishte thelbi i raportit përpara një asambleje studentësh, klerikësh, punëtorësh, burrash e grash që punojnë për paqen. Ndërmjet të pranishmëve, edhe Atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte.

Toka e Shenjtë rrjedh gjak, paqja kërkohet përvujtërisht

"Ajo që po ndodh në Tokën Shenjte është tragjedi e pashoqe" - theksoi Kardinali Pizzaballa. - "Përveç kontekstit ushtarak dhe politik, i cili po keqësohet gjithnjë e më shumë, po keqësohen edhe konteksti fetar e ai social" - vërejti - “Vija ndarëse ndërmjet bashkësive, kontekstet e pakta por të rëndësishme të bashkëjetesës ndërfetare dhe civile po shpërbëhen gradualisht, me një qëndrim mosbesimi, që rritet çdo ditë e më shumë. Panoramë e mjerueshme". Kardinali shpjegoi se shenjat e shpresës nuk mungojnë, por se duhet "pranuar se këto janë realitete të veçanta dhe se tabloja e përgjithshme mbetet shumë shqetësuese".

Termi paqe “duket sot fjalë e largët, utopike dhe e zbrazët në përmbajtje, në mos po objekt shfrytëzimi pafund” - nënvizoi Kardinali Pizzaballa. - Si në hebraisht, ashtu edhe në arabisht, ai shpreh "plotësinë e jetës". “Prandaj nuk është thjesht shprehje njerëzore e as qëllim i bashkëjetesës njerëzore, por realitet që vjen nga Zoti dhe nga marrëdhënia me të”. Ata që ungjillëzojnë - kujton Kardinali - e shpallin paqen edhe për armiqtë, ashtu siç bëri Pjetri me Kornelin, centurion i forcave ushtarake që pushtuan tokën e tij. Pizzaballa thekson një tipar, i cili duhet t’i karakterizojë ata, që kërkojnë paqe: "të jesh i vetëdijshëm për dobësinë tënde". Nëse nuk shkon duke çaluar drejt tjetrit - thekson - rrezikon të hapësh skenare të vazhdueshme lufte, sepse "tjetri nuk është më një unë tjetër, por një armik, për t'u drashtë ose për t'u eliminuar".

Për paqen, gati të vdesim, si Jezusi

Kard. Pizzaballa sqaron se çfarë nuk është paqja: “ajo nuk është thjesht konventë shoqërore, armëpushim, marrëveshje e rëndomtë apo mungesë lufte, rezultat i përpjekjeve diplomatike dhe ekuilibrave gjeopolitike globale apo lokale që, për fat të keq, po dështojnë në Tokën Shenjte".  Përshkruan - më pas - konturet e paqes, të cilat janë shumë më të gjera, dhe citon Shën Agustinin, sepse "bazohet në të vërtetën e personit njerëzor". Është e nevojshme që njeriu të jetë përsëri në qendër, të kthehet tek fytyra e tjetrit, tek qendra e personit njerëzor dhe e dinjitetit të tij të pashoq. “Kur fytyra e tjetrit shpërbëhet - vijoi - zhduket edhe fytyra e Zotit, pra, edhe paqja e vërtetë”. E, më pas, komenton: “Për paqen duhet të rrezikosh gjithmonë. Duhet të jesh i gatshëm të humbasësh gjithçka, të vdesësh si Jezusi". Duke pranuar se paqja do të jetë gjithmonë punë në progres, Patriarku kujton se për “Kishën e Tokës Shenjte, vendosur në  kontekstin e një shoqërie plurifetare dhe plurikulturore, të pasur me shumë diversitete, por edhe në ndarjet, "paqja e Jeruzalemit", për të cilën flet Psalmi 121, nuk është zhdukja e dallimeve, anulimi i distancave, por as armëpushimi apo marrëveshja e garantuar me pakte e me mure". Pizzaballa është i bindur se bashkësia është e thirrur të jetë "rrugë e hapur, në të cilën frika dhe dyshimi i lënë vendin dijes, takimit dhe besimit e ku dallimet janë mundësi shoqërimi dhe bashkëpunimi e jo pretekst për luftë".

Dëshmitarë të ndershëm dhe të besueshëm, nuk është temë e rëndomtë Ne duhet të largohemi gjithnjë e më shumë nga shqetësimi për të zënë sa më shumë struktura fizike dhe institucionale, për t'u përqendruar më tepër në dinamikën e bukur dhe të mirë të jetës, që mund ta nisim ne, si besimtarë - vijoi Kardinali Pizzaballa. - Në një kontekst social dhe politik ku shtypja, mbyllja dhe dhuna duket se janë e vetmja fjalë e mundshme, ne do të vazhdojmë të afirmojmë rrugën e takimit dhe të respektit të ndërsjellë si e vetmja rrugëdalje që mund të çojë drejt paqes”. E më pas shtoi: “Paqja ka nevojë për dëshminë e gjesteve të qarta dhe të forta nga ana e të gjithë besimtarëve, ndërsa duhet shpallur e duhet mbrojtur me fjalë po aq të qarta”.

Të shmanget hyrja në logjikë konkurrence dhe ndarjeje: kjo, këshilla kryesore e  Patriarkut. “Qëndrimi ynë në Tokën Shenjte si besimtarë nuk mund të kufizohet vetëm në intimitetin devocional, as vetëm në shërbimin e bamirësisë për më të varfërit, por është edhe parrezi”. Këmbëngul, prandaj, se  ndihma për të varfërit dhe të ligshtit, megjithatë, nuk duhet të çojë në parti politike.

Udhëheqja fetare bëhet zë i lirë dhe profetik

Në fjalën e tij, Kard. Pizzaballa vë në pikëpyetje përgjegjësinë e udhëheqjes fetare, veçanërisht në Lindjen e Mesme, e cila, siç thotë ai, është themelore. E në vijim kujton disa prioritete: udhëheqja fetare - argumenton Kardinali - së pari duhet të bashkëpunojë me të gjithë pjesën më të mirë të shoqërisë në krijimin e një kulture të re ligjshmërie dhe të bëhet zë i lirë e profetik i drejtësisë, i të drejtave të njeriut dhe i paqes. Duke pasur parasysh se nuk mund të rrihet kurrë duarkryq, veçanërisht në kontekstin e Tokës së Shenjtë, Kard. Pizzaballa ndalohet edhe tek funksioni i rëndësishëm publik i fesë. “Jo rrallë politika dhe feja kombëtare sot gjenden në bankën e të akuzuarve, të akuzuar për të keqen e sotme, apo për paaftësi, prapambetje e kështu me radhë” - nënvizon ai, duke saktësuar se besimi fetar ka një rol themelor në ripërtëritjen e kategorive të historisë: kujtesës, fajit, drejtësisë, faljes. Plagët e shkaktuara në të kaluarën e largët dhe të afërt, si dhe ato aktuale, nëse nuk trajtohen, nuk pranohen, nuk përpunohen, nuk ndahen, do të vazhdojnë të prodhojnë dhimbje edhe pas vitesh apo edhe shekujsh”.

Fetë nuk janë lëndë djegëse e hedhur në zjarr

Kardinali shpreson në bashkëpunimin e kishave dhe bashkësive të tjera fetare, duke paralajmëruar se fetë, kur merren me luftën politike, siç ndodh shpesh në Tokën Shenjte, "bëhen benzinë e hedhur në zjarr". Ndaj përqendrohet tek vlera e dialogut ndërfetar i cili, nëse është i vërtetë, krijon mendësinë e  paqes.

Më pas ankohet se “nuk mund të jetë më si më parë, të paktën ndërmjet të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve”. E jep disa shembuj: “bota hebraike nuk u ndje e mbështetur nga të krishterët dhe e shprehu qartë. Të krishterët nga ana e tyre, të ndarë si gjithmonë në çdo gjë, të paaftë për një fjalë të përbashkët, u dalluan, për të mos thënë u ndanë, në mbështetjen e njërës palë ose tjetrës, shpesh të pasigurt dhe të çorientuar. Myslimanët ndihen të sulmuar dhe të bashkuar me masakrat e kryera më 7 tetor... Me pak fjalë, pas vitesh dialogu ndërfetar, ne nuk po e kuptojmë njëri-tjetrin. Gjë që për mua është mësim i madh!

Pastroni kujtesën, paqja është e lidhur me faljen

Paqja dhe falja janë të ndërlidhura ngushtë. Nuk mund ta kesh gjithçka menjëherë: “Reflektimi për faljen kërkon një kohë të gjatë”. Këtë theksoi Kardinali që, në vijim, nënvizoi se “duhen pasur parasysh plagët kolektive, dhimbja e të gjithëve”. Pastrimi i kujtesës është themelor: “Derisa të ketë një rilexim të marrëdhënieve historike, plagët e së shkuarës do të vazhdojnë të jenë ngarkesë për t'u mbajtur mbi supe dhe kriter për të lexuar marrëdhëniet e ndërsjella”. Në këtë këndvështrim, formimi i vërtetë kulturor është i nevojshëm në çdo fushë. Kështu dinamika e jetës mund të riaktivizohet. Imzot Pizzaballa vëren se "të gjitha marrëveshjet e paqes në Tokën Shenjte, deri tani, kanë dështuar, sepse shpesh ishin marrëveshje teorike, të cilat supozonin të zgjidhnin tragjeditë e viteve, pa pasur parasysh barrën e madhe të plagëve, dhimbjen, inatin, zemërimin që ende digjet ndër shpirtra e që muajt e fundit shpërtheu në mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme. Për më tepër, nuk u mor parasysh konteksti kulturor e, mbi të gjitha, fetar, i cili fliste një gjuhë krejtësisht të kundërt (duke nisur nga krerët fetarë vendas) nga ajo e atyre, që flisnin për paqen”.

Falja nuk ndahet kurrë nga e vërteta dhe drejtësia

Kard. Pizzaballa është lakonik në një pikë themelore: "falja nuk mund të ndahet nga dy fjalë të tjera: e vërteta dhe drejtësia". Ai shton se asnjë ideologji nuk do t'i mbajë të bashkuara, por vetëm dashuria. E në vijim kujton se për dekada në Tokën Shenjte ka pasur pushtim izraelit të territoreve të Bregut Perëndimor, "me të gjitha pasojat e tij dramatike në jetën e palestinezëve dhe gjithashtu të izraelitëve". Flet për padrejtësinë si pasojën e parë dhe më të dukshme të kësaj situate politike. Flet edhe për mungesën e njohjes së të drejtave elementare dhe vuajtjet në të cilat jeton popullata palestineze në Bregun Perëndimor. “Është situatë objektive e padrejtësisë”.

"Ruajtja e bashkësisë ndërmjet katolikëve palestinezë dhe izraelitë, në këtë kontekst të copëtuar dhe të polarizuar, është më e vështirë se kurrë" - vëren Kardinali - i cili vazhdimisht i referohet përvojës së tij personale në terren, duke parë fytyrat dhe rrënojat. Ka një mënyrë të krishterë për të qenë në konflikt, shprehet ai, duke kujtuar një letër drejtuar dioqezës disa muaj më parë, në të cilën ka ftesë për të pasur guxim për drejtësi. Ajo kërkon gjuhë krijuese, që jep jetë, krijon perspektiva, hap horizonte. Me pak fjalë, Pizzaballa nxit të zbatohet "kujdesi baritor kishtar, që di t'i përdorë këto tre elemente në një dialog të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, të vështirë, të dhimbshëm, kompleks, të lodhshëm".

Kriza e organizatave shumëpalëshe

Në përfundim, Patriarku i Jeruzalemit. Kardinali Pierbattista Pizzaballa kujton me dhimbje se në Tokën  Shenjte shihet “një krizë në rritje e organeve shumëpalëshe, si OKB-ja, e cila është gjithnjë e më e pafuqishme dhe, për  më tepër, peng e fuqive të mëdha (mendoni vetëm kompetencat e ndryshme të vetos). Bashkësia Ndërkombëtare është gjithnjë më e ligshtë, e po ashtu edhe organet e tjera të ndryshme ndërkombëtare”.

Fjalimi i tij i gjatë në Lateran përfundon me denoncimin e mungesës së "referencave politike dhe sociale, të afta për të bërë në territor gjeste që  krijojnë besim, të afta për zgjedhje të guximshme paqësore, për bisedime pajtimi, për të pranuar kompromise të nevojshme". Së fundi tërheq vëmendjen kundër tundimit të lehtë të punonjësve baritorë për t'i zëvendësuar këto organizma, megjithëse presioni është gjithnjë e më këmbëngulës. Kujdesi baritor i paqes - përfundon ai - mbështetet vetëm mbi Ungjillin.

Të krishterët e Gazës: në situatë komplekse, por ende të gjallë

Në hapësirën kushtuar debatit në Sallën Pali VI të universitetit papnor, Kardinali Pizzaballa pati më pas mundësinë të përshkruajë shkurtimisht gjendjen e refugjatëve në Gaza dhe të  flasë për numrin e atyre që janë aktualisht në famullitë e krishtera: 462 persona në famullinë latine dhe 208 në atë ortodokse. “Krahasuar me muajt e parë të luftës, situata është më e qetë - pohon Patriarku - ushqimet kanë filluar të mbërrijnë, kryesisht blihen në tregun e zi, por të paktën i kemi, e të gjithë janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërkaq përhapen sëmundjet e ka mungesë ilaçesh.

“Na duan të gjithë të rekrutuar” - rrëfen sërish Kardinali, duke vënë në pah gjendjen e vështirë edhe si përfaqësues i Kishës. “Tani për tani nuk është shumë e lehtë të jesh person konstruktiv. Këtë e them me dhimbje, sepse njerëzit që e pohojnë nisen nga dhimbja e vërtetë, për t’u respektuar”.  

Këmbëngul ende Kardinali në nevojën për të kapërcyer tundimin për të parë vetëm rezultatin personal, edhe nëse ai është shumë fisnik. "Jo rezultati, jo suksesi duhet të udhëheqë përkushtimin, por dëshira që lind nga bindja personale, nga përvoja e fesë e cila, nga ana tjetër, buron nga dashuria". I nxitur nga një pyetje për tregtinë ndërkombëtare të armëve - denoncimi është i nevojshëm - komenton ai - "por duhet bërë me zgjuarsi, duke shmangur parullat e lehta, për të krijuar rrjete, marrëdhënie opinionesh", në mënyrë që qëllimi i çarmatimit të jetë "vërtetë domethënës”.

03 maj 2024, 15:19