Kërko

Fundi i jetës, imzot Paglia: kujdesi më i madh për të sëmurët është t’u rrish pranë

Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën paraqiti për gazetarët udhëtimin, që do të bëjë nga data 17 deri më 23 maj, fillimisht në SHBA-të dhe më pas, në Toronto të Kanadasë, për të marrë pjesë në një simpozium ndërkombëtar mbi temën e kujdesit mjekësor paliativ

R.SH. – Vatikan

Çështja nuk është "eutanazi po, eutanazi jo", sepse e thënë kështu tema duket "tejet e thatë dhe e ftohtë". Problemi “është si ta shoqërojmë, si ta bëjmë këtë kalim në botën tjetër sa më pak të dhimbshëm dhe, njëkohësisht, më pak të dëshpëruar”. Para gazetarëve të mbledhur në selinë e Akademisë Papnore për Jetën, kryeipeshkvi Vincenzo Paglia, bëri një reflektim të gjerë mbi temën e fundjetës. Pas pak ditësh, ai do të niset për në SHBA dhe menjëherë më pas do të shkojë në Kanada, me ftesë të ipeshkvijve vendas, për të marrë pjesë në një simpozium kushtuar kujdesit paliativ. Synimi i tij, shpjegoi imzot Paglia, është të vendosë nën dritën e duhur një temë që, sipas tij, disa ligje priren ta konsiderojnë jo aq të rëndësishme, ose ta homogjenizojnë, por "çdo vdekje është e ndryshme nga tjetra, prandaj, duhet të shoqërohet në mënyrë personale". Imzot Paglia u shpjegoi gazetarëve si po përgatitet për këtë takim…

 “Vizita në Kanada – vuri në dukje ai - përfaqëson një moment të veçantë për mua pikërisht sepse, në një kulturë si ajo perëndimore, tema e fazës së fundit të jetës duhet të marrë një rëndësi, që nuk e ka ende sot”. Imzot Paglia nënvizoi rrezikun e një legjislacioni, që nuk e trajton seriozisht këtë problem, duke filluar nga shpjegimi fjalës “kujdes paliativ”, e cila duhet kuptuar si “shoqërim, që i bën ballë dramës së vetmisë, për shembull, e cila nuk është dhimbje fizike, por një lloj tragjedie e brendshme”, për t’u mjekuar me dashuri, interes, afërsi.

Kreu u Akademisë Papnore për Jetën u bëri thirrje qeverive për punë kërkimore-shkencore në këtë fushë, por iu drejtua edhe Kishave që “të rizbulojnë rëndësinë e shoqërimit drejt vdekjes së mirë, e cila, për ne besimtarët, është kalimi në jetën me Jezu Krishtin. Duhet t’i ndihmojmë edhe të gjitha fetë e tjera, ose njerëzit vullnetmirë, sepse në atë çast të fundit, secili prej nesh duhet të ndjejë fizikisht afërsi. Në këtë kuptim më duket e rëndësishme që reflektimi nuk është vetëm "eutanazi po, eutanazi jo". Rruga, që do të zgjidhet, është e rëndësishme sidomos për brezat e ardhshëm.

A është vërtet fundi i jetës?

“Të reflektojmë për fundin e jetës – sqaroi imzot Vincenzo Paglia - do të thotë të kuptojmë para së gjithash këtë: a është vërtet fundi i jetës? Filozofia kuantike na thotë jo, sepse në çdo rast, gjithsesi, mbetemi energji. Zbulesa e krishterë na thotë se vdekja është një kalim dhe jo fundi, mund të themi fundi i kësaj jete tokësore, por e dimë nga Besojma se, pas vdekjes, jeta e njeriut vazhdon, megjithëse e ringjallur - e fatkeqësisht kjo përmasë pothuajse nuk theksohet më në predikime, ndërsa duhet ta rizbulojmë”. Kryeipeshkvi nënvizoi më tej se kjo temë ka të bëjë me shumë fusha, nga ajo mjekësore tek ajo shkencore dhe pedagogjike, nga ajo humaniste tek ajo filozofike, teologjike dhe psikologjike. Hapi tjetër është shoqërimi i njerëzve në fundin e jetës së tyre, pa u shkaktuar vdekjen, ose pa ua lehtësuar vetëvrasjen e asistuar, siç kërkon gjithnjë Papa Françesku. Akademia Papnore për Jetën ka publikuar një dokument, ku në dhjetë pika, shpjegohet se ç’nënkuptohet me kujdes paliativ.

Jeta është dhuratë, që na e beson Zoti

“Jeta është dhuratë – thekson imzot Paglia - është dhuratë, që na e beson Zoti. Prandaj, jeta është edhe e jona, por nuk është vetëm e jona. Zoti na e ka dhënë jetën si dhuratë të madhe, që ta shumëfishojmë për veten dhe për të tjerët. Në të vërtetë, nëse e shumëfishojmë për të tjerët, e shumëfishojmë edhe për veten. Kjo është arsyeja pse Papa Françesku na nxit të kuptojmë se shoqërimi i njëri-tjetrit në këtë çast të fundit i pasuron të gjithë. Ç’ndodhi në Kalvar mund të jetë, në një farë mënyre, shembull për këtë. Fakti që Jezusi kishte nënën dhe dishepullin e ri pranë tij, sigurisht që e ngushëlloi atë. Nëna dhe dishepulli e dëgjuan kur u tha: kjo është nëna jote dhe ky është yt bir. Ishte dashuria, që vijonte. Aty fillon Ringjallja, sepse vdekja, që donte ta heshtonte Jezusin, filloi të krijojë një solidaritet të ri, një vëllazërim të ri. Në fund të fundit, afërsia përjetohet edhe në fillim të jetës: kur nëna lind një fëmijë, dikush e pret, dikush i pret kordonin e kërthizës, dikush kujdeset për të dhe e bën të rritet së bashku me të tjerët. Ja, ashtu siç kemi lindur bashkë, duhet të vdesim së bashku”. Kisha dhe Akademia për Jetën duhet të jenë në gjendje të konfrontohen konstruktivisht me këndvështrimet më kritike për këto tema.

Të reflektojmë dhe të flasim me të gjithë

“Ne duhet të vazhdojmë të reflektojmë dhe të flasim me të gjithë, sepse këto perspektiva janë humaniste - vëren imzot Paglia. – Feja i shndrit, por arsyeja i kupton. Ja pse detyra e Kishës është t’i de-ideologjizojë këto tema, të cilat shpesh trajtohen me ideologji dhe jo me shoqërim efektiv. Mjafton vetëm pak arsye për të kuptuar se çdo vdekje është e ndryshme nga tjetra, prandaj, duhet të shoqërohet në mënyrë personale. Secili ka nevojë për fjalët, gjestet, praninë, që i shkojnë për shtat atij. Këtë duhet t’u shpjegojmë njerëzve. Pastaj, ligjet janë të nevojshme, por edhe më e domosdoshme është një kulturë, që bashkon besimtarët dhe jobesimtarët, sepse të lindësh dhe të vdesësh nuk është çështje katolike, është çështje e të gjithëve. Kjo është arsyeja pse unë besoj se një nga detyrat e Akademisë Papnore për Jetën është pikërisht ta bëjë të besueshëm, ta shpjegojë, edhe atë ‘diçka’ më shumë, që mund të kemi për çështje, të cilat u interesojnë vërtet të gjithëve, duke u nisur pikërisht nga përmasa e arsyeshme”.

14 maj 2024, 17:22