Kërko

Papa duke rrëfyer Papa duke rrëfyer  (Vatican Media)

Jubileu, rregullat për të marrë ndjesën

Pendestaria Apostolike botoi dokumentin që tregon metodat, praktikat dhe vendet e shenjta, në Romë dhe në botë, në të cilat do të mund të merret dhurata e mëshirës në muajt e Vitit të Shenjtë, veçanërisht në shtegtime dhe me vepra bamirësie.

R. SH. - Vatikan

"Ndjesa apo falja e mëkateve, është hir jubilar", i cili "na ndihmon të zbulojmë sa e pakufishme është mëshira e Zotit". Pendestaria Apostolike citon Spes non confundit - Bulën me të cilën Papa shpalli Jubileun 2025 më 9 majin e kaluar - për të shpjeguar, në një dokument të hollësishëm, vendet dhe mundësitë që do t'i lejojnë besimtarët ta marrin këtë dhuratë nga Papa, duke nisur nga 24 dhjetori i ardhshëm, kur do të fillojë Viti i Shenjtë.

Ndjesë e shtegtime

“Rregullorja për dhënien e ndjesëve”, saktësohet, nënshkruar nga kardinali i madh pendestar Angelo De Donatis dhe regjenti, Imzot Krzysztof Nykiel, sqaron para së gjithash se “gjatë jubileut të zakonshëm të 2025 mbetet në fuqi çdo lëshim tjetër i indulgjencave” dhe se për këtë arsye në kushtet e zakonshme do të jetë e mundur të merret dhe të zbatohet edhe "për shpirtrat e Purgatorit, në formën e lutjes". Por shtegtimet janë padyshim mjeti që nënvizohet veçanërisht nga Pendestaria Apostolike, si ato në Romë, "të paktën në “një nga Bazilikat Papnore, ashtu edhe në Tokën Shenjte, të paktën në një nga Bazilikat e Varrit të Shenjtë në Jerusalem, të Lindjes së Krishtit në Betlehem dhe të Lajmërimit, në Nazaret.

Ndjesa mund të fitohet - saktësohet - edhe duke marrë pjesë, ndër të tjera, në Meshë, në Rruzare, në Udhën e Kryqit dhe në kremtime të tjera, në një shtegtim shpirtëror "në çdo vend të shenjtë jubilar" ose "në rrethe të tjera kishtare", Katedrale dhe Kisha, sipas porosive të ipeshkvijve vendas. Dokumenti kujton edhe Vende të tjera të Shenjta në Romë dhe në mbarë botën si destinacione - duke përfshirë Kishat dhe Bazilikat e mëdha si ato në Asizi, Loreto dhe Pompei - e gjithashtu nënvizon procedurat lidhur me ata që "për arsye serioze" (murgesha të mbyllura, njerëz të sëmurë, të burgosur, etj…) do të jenë ende në gjendje të fitojnë ndjesën e plotë, pa marrë pjesë në shtegtime a në kremtime.

Ndjesë, vepra mëshire, pendesë

Në linjën e Spes non confundit, ku sipas Françeskut "në Vitin Jubilar 2025 do të thirremi të jemi shenja të prekshme shprese për shumë vëllezër e motra që jetojnë në kushte të vështira", Normat Pendestare sqarojnë se ndjesa "lidhet edhe me veprat e mëshirës dhe të pendesës”. Ftesa për besimtarët është të rizbulojnë veprat trupore dhe shpirtërore të mëshirës, domethënë, të vizitojnë të sëmurët, të burgosurit, të moshuarit e vetmuar, njerëzit me aftësi të kufizuara, gjë që krijon mundësinë të fitohet ndjesa për çdo vizitë, qoftë edhe një herë në ditë.

E njëjta mundësi lidhet - vijon dokumenti i Selisë së Shenjtë - me iniciativat "që zbatojnë në mënyrë konkrete dhe bujare frymën pendestare, që është shpirti i jubileut", në veçanti duke rizbuluar "vlerën pendestare të së premtes" me heqjen dorë "të paktën gjatë një dite" nga shpërqendrimet "reale por edhe virtuale", si ato të shkaktuara nga media dhe rrjetet sociale, nga "konsumimi i tepërt", ose praktikimi i agjërimit, siç tregohet nga Kisha, apo "kushtimi i një shume proporcionale parash për të varfër" ose "puna mbështetëse e natyrës fetare ose shoqërore", në favor të mbrojtjes së jetës, të fëmijëve të braktisur, të të rinjve në vështirësi, të të moshuarve nevojtarë ose të vetmuar, të migrantëve, apo edhe të "kushtimit të një pjese të përshtatshme të kohës së lirë aktiviteteve të vullnetarizmit”.

Sakramenti i Pajtimit

Viti i Shenjtë, pohon Pendestaria Apostolike në paraqitjen e Normave, është periudhë e veçantë, në të cilën mund të fitohet ndjesa hyjnore. Për këtë arsye, në pjesën përfundimtare, i krijohet hapësirë ​​çdo gjëje që lehtëson Rrëfimin, me një sërë lejesh, që u jepen ipeshkvijve në këtë kuptim dhe me ftesën e të gjithë priftërinjve "për t’u ofruar besimtarëve mundësitë të përfitojnë nga mjetet e shëlbimit”.

Kujtohen edhe masa praktike, si publikimi i "sferave kohore për rrëfimet", nxitja "për t’u rrëfyer, duke planifikuar kremtimet pendestare në mënyrë fikse dhe të shpeshtë", gjithashtu duke kërkuar ndihmë nga priftërinjtë e moshuar që nuk kanë detyra baritore.

Një rekomandim përfundimtar për ipeshkvijtë është të kujdesen që t’i shpjegojnë "qartë dispozitat dhe parimet" që janë baza për marrjen e ndjesëve, me formime që kanë parasysh "në veçanti rrethanat e vendit, të kulturës dhe të traditave" të çdo populli.

13 maj 2024, 15:08