Kërko

2024.01.24 Pollak memoria 2024.01.24 Pollak memoria

Krahu i kujtesës

Historia e grupit Laocoön, vepër identifikuese e Muzeut të Vatikanit. E gjetur pothuajse e paprekur në vitin 1506 nën tokën e një vreshti. Krahu i djathtë u gjet pak metra larg atij vendi, 400 vjet më vonë. Ishte tregtari hebre i artit Ludwig Pollak, ai që e njohu. Si përfundoi në shënjestër të nazistëve, ai nuk mundi ta mbronte më shtatoren në Vatikan. AS atë e as veten. U internua dhe u vra në Aushvic. Përpjekjet për ta shpëtuar, të bëra nga drejtor i Muzeut Nogara, nuk patën dobi

R.SH. / Vatikan

Mosbesimi dhe pamundësia për të ndërhyrë përballë një fati tragjik që u duk papritur: këto janë ndjenjat që bashkojnë dy personazhe të largët në kohë, historitë e të cilëve për të mos u ndarë më kurrë. Takimi i tyre ndodhi falë një fragmenti skulpturor, në dukje anonim.

Në një punishte gurgdhendësish

I pari është studiuesi, tregtari i artit dhe arkeologu hebre me famë ndërkombëtare, Ludwig Pollak, i njohur për zbulimin e rëndësishëm në Romë të një kopje mermeri të Athenës së Myronit, sot në Liebighaus në Frankfurt, mik i Sigmund Frojdit dhe aktiv në qarkun e koleksionistëve të mëdhenj si JP Morgan, Stroganoff, Barracco, Bode. Edhe ai i përfundoi ditët e jetës mbi tokë në kampin e shfarosjes së Aushvic Birkenau, në vitin 1943. Dyzet vjet para gjetjes, duke shëtitur nëpër rrugët e Colle Oppio gjatë një prej inspektimeve të zakonshme të gërmimeve, të tregtarëve të dorës së dytë dhe punëtorëve të mermerit, në punëtorinë e një gurgdhendësi në Via delle Sette Sale, ai vuri re dhe bleu një krah mermeri që vinte nga gërmimet në Via Labicana aty pranë. Intuita e tij e pagabueshme e shtyu të identifikonte menjëherë gjetjen: i përkiste Laocoön-it, skulpturës simbol i Muzeve të Vatikanit.

Viktima e flijimit

Personazhi i dytë është vetë prifti trojan, viktimë e flijimit themelues të lindjes së Romës, i padëgjuar në thirrjen e tij drejtuar bashkëqytetarëve të   që të mos i besonin kalit të drurit dhe i ndëshkuar nga perëndesha Athena, e cila e lidhi atë, së bashku me dy djemtë e tij, me dy gjarpërinj gjigantë që dolën nga deti

Lugati

Ndryshonte fytyrën dhe lëkurën e tij, siç bën tufa e zvarranikëve në natyrë, përbindëshi që papritur, në një mënyrë të pashpjegueshme, shpërthente në çastet e përditshme të njeriut: në këtë rast kishte fytyrën brutale të nazizmit, në tjetrin ishte mjet i 'dënimit hyjnor të papërfytyrueshëm, të pamerituar dhe fatal. Në të dyja, ai gëlltiti në mënyrë tragjike edhe shpresën më të vogël për të mbetur gjallë.

Pollak
Pollak

Tragjedia përsëritet

Kjo histori e stërlargët, është edhe histori e kohëve tona - reflekton Giandomenico Spinola, zëvendësdrejtor artistik dhe shkencor i Muzeve të Vatikanit, ish-drejtues i Departamentit të Arkeologjisë - "Sot në Tokën Shenjte njerëzit thjesht duhet të ngriheshin në mëngjes, të mendonin për pazarin, për t’i çuar fëmijët e tyre në shkollë, për të vazhduar jetën e përditshme, si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra. Nuk e besoj se ndokujt i pëlqen lufta, është tragjedi e madhe. E atëherë, për arsye të palogjikshme, keqtrajtimi dhe vrasja janë bërë për diçka që nuk ka lidhje as me fenë e as me lirinë e përditshme, e as me asgjë që mund ta justifikojë vdekjen e njerëzve të pambrojtur.

Një zbulim tronditës

Ajo që bie në sy është mospërfillja e dukshme me të cilën Ludwig Pollak, në një letër të vitit 1903, të ruajtur në Zentralarchiv në Berlin, e njofton për zbulimin tronditës të krahut, mikun e tij, historianin gjerman të artit Wilhelm Bode, themelues i Muzeut Kaiser-Friedrich. “Pollak - tregon Federica De Giambattista, doktoraturë në Historinë e Artit në Universitetin Sapienza të Romës dhe eksperte e arkeologut pragez – për shkak të rolit të tij si tregtar ekspert arti ishte në kontakt me koleksionistët kryesorë privatë dhe drejtorët e muzeve ndërkombëtare. Në një letër drejtuar Wilhelm Bode, ndër të tjera, shkruan se ka blerë krahun e djathtë të Laocoön. Gjë që e cilëson 'gjetje e madhe' e zbulim i bukur, ndërsa shkruan: 'Tani është prona ime!”. Pollak përdor këtu pikëçuditësen, mbasi është i vetëdijshëm se po komunikon diçka shumë të rëndësishme". Lidhja e ngushtë me Laocoön-in demonstrohet edhe nga dy bocete terrakote të cilat – vëren De Giambattista – “ishin pjesë e koleksionit të pasur të skicave të shekujve 16 dhe 17 nga Ludwig Pollak, që sot ruhen në koleksionet e Princeton University Art Museum.

Grupi i Laocoonte
Grupi i Laocoonte

Athina në kuzhinën e Kontit Stroganof

Talenti i veçantë i shfaqur në disa raste në njohjen e veprave të artit i kishte sjellë atij porosi të shumta nga koleksionistë të pasur privatë. Ndërmjet të gjithave, kujtojmë marrëdhënien e tij të frytshme me kontin Grigorij Stroganoff për koleksionin e famshëm të të cilit kishte redaktuar personalisht katalogun. Në një shtatore femre, që besohet të jetë e rreme dhe, për këtë arsye, e vendosur në një dhomë shërbimi ngjitur me kuzhinën e Pallatit të fisnikut dhe diplomatit rus në Via Gregoriana, Pollak identifikoi një Athinë të famshme: kopjen romake të grupit të bronzit të Athenës dhe Marsyas të Myron, i cili përfundoi me Marsyas të Muzeumeve të Vatikanit. “Ajo vepër - kujton ende De Giambattista – u zgjodh si shenjë koleksioni nga Pollak: në fakt ajo shoqëronte shkronjat L.P. që arkeologu printoi në të gjitha vizatimet e Mjeshtrave të Vjetër që ruante"

Tregu dhe etika

Edhe pse i bindur se koleksionet private, më shumë se muzetë, ruanin shpirtin e shijes dhe pasionit për të lashtën, Pollak tregoi etikë të lartë profesionale kur kuptoi se qëllimi i rikompozimit të grupit të famshëm Laocoön meritonte humbje fitimi. Ndaj kreu inspektimin e parë të Muzeut të Vatikanit në vitin 1904, i mirëpritur nga drejtori dhe miku i ardhshëm Bartolomeo Nogara: në pamje të parë krahu dukej shumë i vogël dhe mendohej se mund të kishte ardhur nga një kopje me përmasa të vogla të vetë Laocoön.

Shtatë krahët e Laocoon

Mendohet se gjatë shekujve u krijuan të paktën shtatë krahë, për të përfunduar skulpturën e ruajtur në Muzetë e Vatikanit dhe të realizuar në Rodos ndërmjet viteve 40 dhe 20 para Krishtit. Kur u zbulua nga vreshti i Felice de Fredis, zyrtar i Dhomës Apostolike në kohën e Papës Juli II dhe u identifikua nga Giuliano da San Gallo dhe Michelangelo në mermerin e përshkruar nga Plini, shtatorja e Laocoön ishte krejt e paprekur. Ndër pjesët që mungonin binte në sy krahu i djathtë. U debatua për një kohë të gjatë nëse fillimisht ishte përkulur pas shpatullës, apo zgjatur në një gjest heroik shumë dinamik

Krahu brenda bazamentit

Besnik në këtë ide të fundit ishte integrimi i parë në terrakotë, vepra e Fra Giovanni Agnolo Montorsoli, nxënës i Buonarrotit. Tregohet më pas për një krah tjetër, këtë herë të përkulur, realizuar, sipas besimit popullor, nga autori i Gjyqit të Mbram dhe më afër në pozë me origjinalin. Një tjetër variant i famshëm është ai i shekullit të tetëmbëdhjetë nga Agostino Cornacchini, tek i cili mund të gjurmohet edhe krahu i papërfunduar që ndodhet aktualisht në pjesën e pasme të bazës së Laocoön-it në Cortile Ottagono - Kopshtin Tetëkëndësh të Vatikanit.

Dhurata Papës

Krahu Pollak e rihapi debatin. Shumë shpejt u kuptua se disproporcioni i dukshëm në krahasim me trupin e shtatores duhej t'i atribuohej erozionit progresiv të shpatullës, shkaktuar nga përpjekjet e ndryshme rindërtuese të kryera gjatë shekujve. Prandaj, fragmenti i gjetur tek gurgdhendësi në Colle Oppio u konsiderua si i përshtatshëm. Në vitin 1906, 400 vjet pas zbulimit të Laocoön, antikuari bohem vendosi t'i dhuronte gjetjen e çmuar koleksioneve papnore. Ky gjest konfirmoi partneritetin me Nogara-n dhe i siguroi tregtarit të artit Kryqin e Madh për kulturën, nga Papa Piu.

La minuta manoscritta e dattiloscritta di Bartolomeo Nogara per chiedere la liberazione di Ludwig Pollak alle autorità tedesche custodita nell'archivio dei Musei Vaticani
La minuta manoscritta e dattiloscritta di Bartolomeo Nogara per chiedere la liberazione di Ludwig Pollak alle autorità tedesche custodita nell'archivio dei Musei Vaticani

Hebreu i parë, që mori medaljen papnore

Ishte i vetmi rast i një hebreu, që nderohej kështu dhe një nga të paktat homazhe zyrtare që iu bë Pollak gjatë jetës për zbulimin e pabesueshëm. Një vit pas vdekjes së tij, më 1942, zbulimi u njoh nga arkeologu i famshëm Ernesto Vergara Cappellolli, siç dëshmohet nga dy artikuj në L'Osservatore Romano dhe Corriere della Sera. Megjithatë, njeriu i Pragës nuk e pa kurrë "krahun e tij" të ribashkuar me Laocoön.

Një sukses i pa shijuar në jetë

Rilidhja do të ndodhte pesëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1957-59 falë ndërhyrjes së Filippo Magi-t, i cili hoqi të gjitha shtesat jo origjinale, sipas parimeve të restaurimit modern. Pamjet historike të ruajtura në Fototekën e Muzeumeve të Vatikanit janë dëshmi e gjallë për këtë, peshtah i vërtetë me një thesar kujtimesh, që ruan një trashëgimi prej qindra mijëra imazhesh duke përfshirë negativë, filma, pllaka qelqi: 9 mijë prej të cilave mund të ndiqen në internet nga të gjithë. Trashëgimia fotografike që i është besuar Zyrës përbëhet nga afërsisht 350,000 negativë origjinalë bardhë e zi (me pozitivët përkatës të printuar), 70,000 imazhe me ngjyra në film (pjesërisht të marra edhe në format dixhital) dhe 49,000 pllaka qelqi që përbëjnë grupin e koleksioneve historike.

25 ditarë, për të mos harruar  

Regjistrimi i çdo detaji, edhe i atij më i parëndësishmit, duke ruajtur gjurmët e gjithçkaje për të mos harruar - ishte imperativ në veprimtarinë profesionale të Ludwig Pollak. Foto të panumërta u bënë prej tij dhe u propozuan për shitjen e objekteve të artit dhe të antikuariatit. Njëzet e pesë ditarë të shkruar me dorë, së bashku me bibliotekën dhe arkivin e tregtarit të Pragës, ruhen edhe në Muzeun Barracco në Romë, ku arkeologu ishte drejtor nderi duke filluar nga vdekja e koleksionistit dhe mikut Giovanni Barracco, më 1914.

"Kur ishte në shtratin e vdekjes, më 29 dhjetor 1913, Barracco i kërkoi shprehimisht Ludwig Pollak të kujdesej për muzeun dhe koleksionin e tij kur ai të mos ishte më" - kujton Lucia Spagnuolo, kuratore përgjegjëse e Muzeut të Skulpturës së Artit të lashtë Giovanni Barracco. “Natyrisht që Pollak pranoi, përderisa ishte absolutisht pa pagesë. Pikërisht falë kësaj marrëdhënieje shumë të ngushtë ndërmjet të dyve, Muzeu ruajti, me testament të trashëgimtares së vetme të Pollak, zonjës Margarete Süssman Nicod, materialet që vijnë nga trashëgimia Pollak, pra dokumente, fotografi, dorëshkrime letrash që sot janë pjesë e arkivin Pollak së bashku me bibliotekën e tij”.

Nga këto tekste autografike, të transkriptuara dhe të botuara pjesërisht nga Margarete Merkel Guldan në 1988 dhe 1994, të cilat "së shpejti", siguron Lucia Spagnuolo, do të botohen, del një ndërgjegjësim: kujtesa ka pushtetin të shmangë faktin se gjithçka ishte e kotë.

Fërkimet me nazizmin

Nuk është rastësi që kur, në vitin 1935, ende para ligjeve racore, ai u përjashtua nga Biblioteka Hertziana, ku kishte qenë vizitor i shpeshtë, Pollak vendosi të fotografonte letrat që i shkruante me tone të zjarrta drejtorit të ri, Leo Bruhns. Ky i fundit kishte zënë vendin e drejtorit të parë të Herztiana-s dhe mikut të dashur, Ernst Steinmann.

"Letrat drejtuar Leo Bruhns dëshmojnë për një nga faqet më të errëta në historinë e Bibliotekës sonë" - pohon Tatjana Bartsch, zëvendës- menaxhere e bibliotekës së fotografive Hertziana, ku ruhen origjinalet e letrave. E rëndësishme është ajo që shënoi Pollak në ditarin e tij më 19 prill 1933, kur u zhvillua një takim me Fyhrer-in në Palazzo Zuccari, selia e institutit gjerman të specializuar në studimet historiko-artistike, me rastin e ditëlindjes së Hitlerit: “Hitleri në Hertziana (!!!) Fondacioni i hebrejes Henrietta Hertz!!!!”. “Nuk mund t’i besoja vetes - vijon Bartsch - që një festim i tillë të mbahej në një vend aq të dashur, sa Roma”, themeluar vetëm njëzet vjet më parë nga mikja koleksioniste e filatrope.

I izoluar e i diskriminuar

Që nga ky çast Pollak e provoi mbi lëkurën e vet përbuzjen e fyrjen kudo shkelte, e sidomos, në ambientet zyrtare romano-gjermane. Pas vitit 1938 iu ndalua edhe frekentimi i Institutit të Arkeologjisë. U strehua rishtas  tek dashuria e tij e pafundme për artin e letërsinë, sidomos për Goethen e tij të shumëdashur të cilit i kushtoi, me shpenzimet e veta, një vëllim në italisht e gjermanisht. Pastaj u braktis. Nga të gjithë… Edhe nga kolegët! I mbetën vetëm pak miq, ndërmjet të cilëve historiani i artit Denis Mahon. Me të e bashkonte i njëjti pasion për artin barok, ndaj vijoi ta takonte. Qyteti i amshuar kishte humbur pamjen mikpritëse, që e pati shtyrë ta zgjidhte si atdhe i adoptuar.

Nuk do të vijnë të më marrin…

Megjithatë, deri në fund ai nuk pranoi të besonte se Gestapo do të vinte për ta marrë, duke shkelur privatësinë e shtëpisë së tij në Palazzo Odescalchi në Piazza Santi Apostoli. Nuk ua vuri aspak veshin paralajmërimeve që me sa duket i mori nga miqtë hebrenj, si Hermine Speier, porositur nga Piu XI e Nogara, drejtor i fototekës së Muzeve të Vatikanit deri më 1934, pagëzuar në vitin 1939 dhe historianit të artit Wolfgang Fritz Voaklbach.  

Refuzimi i ofertës për strehim në Vatikan

Falë ndërmjetësimit të Bartolomeo Nogara-s, Pollak dhe familja e tij ishte rregulluar edhe nën një strehë në Vatikan. Një makinë erdhi për ta marrë atë më 15 tetor 1943 për ta çuar në siguri përtej Tiberit. Po ai nuk e pranoi ftesën.

Il Laocoonte nelle due versioni prima e dopo il braccio Pollak
Il Laocoonte nelle due versioni prima e dopo il braccio Pollak

Në dhomat e gazit të Aushvicit

Të nesërmen në mëngjes, Ludwigu shtatëdhjetë e pesë vjeç, së bashku me dy fëmijët, gruan dhe një mijë hebrenj të tjerë romakë, u bënë viktima të grumbullimit nazist. Destinacioni: Aushvic. “Archives Arolsen” – thotë Federica De Giambattista, “ruan trembëdhjetë dokumente që konfirmojnë deportimin e katër anëtarëve të familjes Pollak në Gjermani me një “sonderzug”, një transport special. Julia Süssmann u caktua në kampin Birkenau ku vdiq pak më vonë, ndërsa Ludwig, Susanna dhe Wolfgang vdiqën në kampin kryesor të Aushvicit. Mungesa e emrave të të kërkuarve në dokumentet e mbijetuara vërehet shpesh për faktin se këto janë burime jo të plota mbasi shumica e tyre u shkatërruan nga SS. para çlirimit ose pastrimit të kampeve të përqendrimit përballë avancimit të trupave aleate dhe ushtrisë ruse. E ky është, sipas të gjitha gjasave, fati i letrave që duhet të kenë regjistruar hyrjen dhe vdekjen e Pollakëve në kampin e përqendrimit”.

Refugjatët e fshehur në muzetë e Papës

“Në kohë lufte shumë njerëz gjetën strehë në kisha dhe kuvende, por edhe brenda Shteteve Papnore. Pollak – vazhdon Spinola – u ftua të jetonte në Vatikan. Asnjëherë nuk iu kërkua të kthehej në krishterim, në këmbim të mbrojtjes". Ndër të tjera, ndoshta për t'u ofruar strehim disa refugjatëve dhe për të rezervuar furnizime ushqimore, " në muze u çmontuan edhe disa zona ekspozimi: Muzeu Chiaramonti dhe Lapidari. Galeria u bë vend strehimi. Vatikani sigurisht punoi shumë në nivel diplomatik dhe praktik”. “Gestapoja - thekson më tej zëvendësdrejtori artistik dhe shkencor i Muzeumeve të Vatikanit - sekuestroi edhe disa nga ditarët e Pollak. Ato pas vitit 1933 u zhdukën dhe kjo sugjeron se ndoshta përmbanin shkrime të konsideruara të papërshtatshme nga nazistët”.

Kujto Pollak

"Deri disa dekada më parë, historia e Pollak u fsheh nën qilim këtu në Bibliotekën Hertziana," pranon Tatjana Bartsch. “Tani instituti ynë po ndryshon politikën. Ne nuk jemi fajtorë për atë që ndodhi me kaq shumë hebrenj, por as nuk mund ta fshijmë atë epokë të errët. Duke studiuar Pollak, mendova se po të mos mund ta kujtojmë atë duke shkuar për t'u lutur te varri i tij, të paktën mund t'i japim një vend në kujtesën tonë."

Gurët dhe pengesa

Për këtë arsye, në vitin 2022, me iniciativën e zëvendësmenaxherit të fototekës së Hertziana-s, i cili organizoi një mbledhje fondesh brenda institutit, përballë Palazzo Odescalchi-t u vendosën katër Stolpersteine, pllaka të vogla tunxhi dhe datat e lindjes dhe vdekjes së Ludwigut, gruas së tij Julia dhe fëmijëve të tyre Wolfgang dhe Susanna Pollak. Ndër dosjet e Bibliotekës Hertziana është gjithashtu domethënëse prania e një “Stolperschachtel / Stumbling box”, me një etiketë të zezë në të cilën bie në sy shkrimi i bardhë: “Ludwig Pollak. Lindur në Pragë në vitin 1868. U dëbua dhe u vra në Aushvic më 1943”.

Një krah për t'u mbajtur mend

Historia dhe kujtesa e Pollak rijetojnë edhe tek Laocoön. Falë tregtarit hebre të artit, shtatorja e famshme tani na rikujton mesazhin e saj të vërtetë: "Nuk është hero që i kundërvihet vdekjes si fitimtar, me krahun e shtrirë, por - vëren Giandomenico Spinola -  njeri tashmë pa shpresë që, me krahun e palosur, mbrohet nga sulmi i një përbindëshi. Ashtu si Pollak”.

14 maj 2024, 10:08