Kërko

Don Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë Don Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Urimet e ipeshkvijve shqiptarë për Kurban Bajramin

Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Mark Pashkja, u bën urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë, në ditën e Kurban Bajramit, kur kremtohet kujtimi i përbashkët i gatishmërisë së Abrahamit për të flijuar të birin, pas kërkesës së Zotit, i cili nuk e la, por i dërgoi një qengj për fli

R.SH. – Vatikan

         Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin, përkujtimin e fesë së Abrahamit, i cili, kur ia kërkoi Hyji i Gjithpushtetshëm, u tregua i gatshëm të flijonte birin e tij, Isakun. Zoti, pasi u sigurua për besnikërinë e bindjen e tij, nuk e la dhe i dërgoi një qengj për fli. Kujtojmë se për botën myslimane, protagonistët e kësaj ngjarjeje quhen Ibrahim e Ismail. Sot, besimtarët myslimanë shqiptarë u mblodhën në sheshe për të falur namazin. Në Sheshin Skënderbej, në Tiranë, kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Bujar Spahiu, shpjegoi episodin e Besëlidhjes së Vjetër, marrë nga Libri i Zanafillës, të përbashkët për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, si edhe u uroi të gjithëve Kurban Bajramin. Iu lut Zotit që shqiptarët të bëhen “më të dashur e më solidarë me njëri-tjetrin” e t’u shtrijnë dorën nevojtarëve. U lut për paqe e begati për të gjithë popujt, por sidomos “që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri”.  

Urimi i katolikëve

         Në një mesazh, edhe kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, u uron festën të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë. Në mikrofonin tonë, ua drejton atyre këtë urim, zëdhënësi i ipeshkvijve shqiptarë, don Mark Pashkja…

Dëgjo urimet e ipeshkvijve shqiptarë, të shprehura nga don Mark Pashkja
28 qershor 2023, 12:24