Kërko

Papa me mbretin jordanez Abdallah II Papa me mbretin jordanez Abdallah II

Mbreti i Jordanisë në audiencë te Papa Françesku

Njëzet minuta bisedë ndërmjet Papës dhe sovranit të Mbretërisë Hashemite, Abdullah II, i shoqëruar nga delegacioni. Ati i Shenjtë dhe mbreti njihen prej një kohe të gjatë

R.SH. - Vatikan

Zgjati rreth 20 minuta biseda private e Papës me Mbretin e Jordanisë Abdullah II, pritur në audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit bashkë me delegacionin, paraditen e djeshme, 2 maj. Një dialog shumë i përzemërt, siç njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni. Françesku dhe sovrani i Mbretërisë Hashemite njihen prej kohësh, pasi janë takuar për herë të parë në vitin 2014, me rastin e shtegtimit të Papës në Tokën Shenjte, një nga etapat e të cilit ishte kryeqyteti jordanez Aman.

Dhuratat

Sipas traditës, në fund të audiencës, Papa Françesku dhe Mbreti Abdullah shkëmbyen disa dhurata. Papa i dhuroi sovranit një mozaik ku paraqitet "Bekimi papnor në sheshin e Shën Pjetrit", vepër e artistëve të Studios së Mozaikut në Vatikan. Pastaj, vëllimet e dokumenteve të magjisterit të tij dhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024. Mbreti ia ktheu me një skulpturë metalike të ndërtuar me shkronja arabe.

Papa dhe sovrani i Mbretërisë Hashemite, Abdullah II
Papa dhe sovrani i Mbretërisë Hashemite, Abdullah II

Takimi me imzot Gallagher në mars

Në mars, Madhëria e Tij priti Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në një audiencë në Pallatin Al Huseiniya, pjesë e udhëtimit të prelatit në Jordani. Me atë rast, përveç kujtimit të miqësisë me Papën, u vunë në dukje marrëdhëniet e mira diplomatike ndërmjet Jordanisë dhe Selisë së Shenjtë, të cilat, gjatë 30 viteve, kanë dhënë fryte bashkëpunimi dhe vlerësimi të ndërsjellë. Përveç shprehjes së shqetësimit serioz për situatën në Gaza, shpresës për një armëpushim të menjëhershëm dhe nevojës për të ndihmuar popullsinë palestineze, gjatë bisedës me imzot Gallagher u fol edhe për rëndësinë vendimtare që ka respektimi i status quo-së në Vendet e Shenjta në Jerusalem, qytet qendror për të tria fetë e mëdha monoteiste.

03 maj 2024, 11:43